Është jetike për udhëheqësit që të kuptojnë tolerancën e tyre dhe të ekipit ndaj pasigurisë dhe të kenë një sërë parimesh për t’u përballur me të.
Udhëheqja ka të bëjë me marrjen e vendimeve dhe drejtimin e ekipit për të arritur qëllimet e përbashkëta, por çfarë ndodh kur rruga përpara nuk është e qartë? Si e sigurojnë liderat drejtimin në situata paqartësie? Këto janë pyetje që duhen marrë parasysh, pasi pasiguria është e zakonshme dhe shpesh e pashmangshme në ekuacionin drejt suksesit.
Çfarë është paqartësia?
Në përgjithësi, kjo fjalë i referohet mungesës së qartësisë ose sigurisë dhe mund të prodhojë konfuzion ose dyshim, shpesh sepse njerëzit ofrojnë interpretime dhe opsione të shumta. Në udhëheqje, mund të lindë nga mungesa e informacionit, qëllimet konfliktuale dhe/ose një mjedis që ndryshon me shpejtësi.
Hapi i parë i lundrimit në situata të paqarta është të kuptoni tolerancën tuaj ndaj tyre. Disa njerëz janë natyrshëm më të mirë në përballimin e pasigurisë, ndërsa të tjerët luftojnë. Është gjithashtu jetike për të kuptuar tolerancën e anëtarëve të ekipit, pasi mund të ndikojë shumë në aftësinë e tyre për të performuar. Për ta vlerësuar këtë, aplikoni teknika të tilla si vlerësimet e personalitetit, reagimet 360 gradë ose thjesht duke kërkuar mendimet e tyre. Duke kuptuar tolerancën e një grupi, ju mund të përshtasni komunikimin dhe t’i ofroni atij mbështetjen që ka nevojë për të lulëzuar.
Një rreth vicioz
Mungesa e qartësisë mund të çojë në një vorbull ankthi dhe stagnimi. Kur njerëzit janë të paqartë për rolet, përgjegjësitë dhe pritshmëritë, ata mund të bllokohen – mund të duken produktivë në sipërfaqe, por në të vërtetë kanë ngelur në vend. Kur ballafaqohen me mungesën e përparimit, ata mund të kthehen tek mungesa e qartësisë, e cila vetëm e përjetëson ciklin.
Megjithatë, jo të gjithë preken në të njëjtën mënyrë. Disa preferojnë të marrin një qasje më autonome – duke filtruar paqartësitë përmes qëllimeve dhe proceseve të tyre. Këta individë janë shpesh më të kënaqur me pasigurinë, pasi e konsiderojnë atë si një mundësi për të ushtruar të menduarin inovativ.
“Rregullat e sheshta”: Një rrugë drejt qartësisë
Si udhëheqës, është thelbësore të keni një sërë parimesh bazë që japin zgjidhje pothuajse për çdo gjë. Gjenerali i marinës në pension dhe ish-sekretari i mbrojtjes James Mattis, këshillon liderët që të kenë një sërë “rregullash të sheshta” në çdo situatë. Në nivelin më të lartë, këto rregulla janë vlerat tuaja, por ndërsa kaloni zinxhirin në situata specifike, ato bëhen më të detajuara.
Për të krijuar tuajën, bëni disa pyetje kyçe:
- Çfarë po përpiqemi të arrijmë si ekip?
- Si përshtatet kjo në strategjinë tonë më të madhe?
- Cilat aspekte janë në kontrollin tim dhe cilat jo?
- Cila është njësia më e vogël e përparimit që do t’i mbajë gjërat të ecin përpara?
Vendimmarrja sipas modelit: Gjenerali Eisenhower
Një shembull i shkëlqyer i një udhëheqësi që solli qartësi në një situatë kaotike është gjenerali Dwight D. Eisenhower. Si Komandant Suprem i Forcave Aleate në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e planifikimit dhe ekzekutimit të pushtimit. Situata ishte shumë e pasigurt, me shumë faktorë të panjohur, duke përfshirë motin, forcën dhe aftësitë e armikut dhe gjendjen e plazheve të Normandisë.
Lexo: Rritet prodhimi i makinave vetë-drejtuese. Rritet edhe frika ndaj tyre
Pavarësisht nga pasiguria e madhe, 54-vjeçari i atëhershëm u dha udhëzime dhe drejtime të qarta trupave të tij. Ai mbajti linja të hapura komunikimi dhe siguroi që të gjitha njësitë e përfshira në operacion të punonin së bashku. Vendimet e tij jetike përfshinin vonimin e pushtimit për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, një lëvizje që në fund të fundit kontribuoi shumë në suksesin e tij.
Udhëheqja e Eisenhower-it gjatë asaj ngjarjeje që ndryshoi botën është një dëshmi e fuqisë së qartësisë në situata të pasigurta. Duke qëndruar i përqendruar në qëllimet dhe duke komunikuar në mënyrë efektive me trupat, ai ishte në gjendje të drejtonte Forcat Aleate drejt fitores dhe të hapte rrugën për humbjen përfundimtare të Gjermanisë naziste.
Mësimi: të mos kemi kurrë frikë të përcaktojmë më mirë parametrat organizativ gjatë trajtimit të çdo sfide. Ndërsa ecni përpara, edhe në errësirë, komunikoni lart e poshtë zinxhirit komandues, duke ndarë informacione rreth përparimit, pyetjeve dhe shqetësimeve, thjesht vazhdoni të ecni përpara.
Jeta është e ndërlikuar dhe ne kurrë nuk kemi qartësi të përsosur, kështu që na takon ne ta krijojmë atë, duke filtruar gjithçka përmes parimeve tona udhëzuese, duke bërë pyetje dhe duke komunikuar ndërsa shkojmë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.