Dy fjalë për Tanin… - Business Magazine Albania

Dy fjalë për Tanin…

Tan Mezini

In Memoriam – 12 Janar 2024

Doja të shkruaja sot dy fjalë për Tanin;

“E pabesueshme” ishte sot fraza e parë e qindra e mijëra mesazheve të shkruara sot, në orët e para të mëngjesit, nga gjithë bota për ndarjen e tij të papritur nga jeta. Nga miqtë e tij dhe nga ata që mund ta kishin takuar qoftë edhe vetëm 1 herë, por kishin krijuar respekt dhe vlerësim për të. Tani ishte vërtet një mjeshtër i komunikimit dhe ndërtimit të marrëdhënieve, gjë që e bënte me aq dëshirë dhe pasion çdo ditë e çdo moment.

Xhaxhi Tani, Tan, Bro, Tano, kryetar… Sido që ta dëgjoje si emër, pak kush mund të mos e njihte Tan Mezinin. Të shumtë janë ata që në telefonat e tyre kanë të paktën një foto Selfie me të, nga një event, konferencë apo takim miqësor!

Falë tij, qindra e mijëra njerëz pjesë e rrethit të tij shoqëror, profesional e më gjerë ndërveprojnë çdo ditë në grupe profesionale si: Innovate For Albanians, ACN  – Rrjeti i Konsulentëve, AITA, Project Management in Albania, Digi Diaspora, Art-Kulturë, Albanian Startup Founders, AI Round Table etj…dikush më tha që janë mbi 50 grupe që Tani kishte krijuar dhe i ushqente çdo ditë me informacione. Tani besonte tek fuqia e Networks. Shpesh më thoshte që kishte qëllim të krijonte Klubet e Profesionistëve, me fokus nxitjen e bisedave të mençura për të propozuar zgjidhje kundrejt sfidave të shumta që ka secila industri. Këto klube do të ndikonin në zhvillimin e një mjedisi të shëndetshëm të biznesit dhe ekonomisë në nivel makro në vend.

Jo një punë e lehtë për një njeri të vetëm, mirëpo ai nuk ishte kurrë vetëm!

Tani ishte njeri i Komunitetit. Në fakt, mes nesh, në rrethet tona e quanim me humor Babai i Ekosistemit të Inovacionit në Shqipëri.

Atë e gjeje gjithmonë mes njerëzve, që në mëngjesin e hershëm me ecjen te liqeni, (me grupin e ecjes), në ditën e mbushur me takime dhe deri në mbrëmje sërish mes miqve në evente të ndryshme të zhvilimit, punësimit, menaxhimit të projekteve, ICT, inovacionit, startupeve, teknologjisë, transformimit digjital, Arsimit dhe Aftësimit Profesional, Ecommerce, Artificial Inteligence etj.

Përveçse njeri dhe mik i të gjithëve, Tani ishte i gjithanshëm në formimin e tij profesional dhe i angazhuar në shumë dimensione. Kjo falë kapaciteteve të tij të shkëlqyera, shkollimit me medalje ari, eksperiencave të zhvilluara në shumë industri si ICT, Bankë, Media, dhe si sipërmarrës e konsulent i niveleve ndërkombëtare.

Nuk dua të flas shumë për karrierën e tij, pasi jam i sigurt që secili që ka pasur të bëjë me Tan Mezinin ka arritur të japë vlerësimin e tij për atë që ai ishte. Dua të flas për Tanin si njeriun që dinte të bëhej mik me pothuaj të gjithë ata njerëz që u përfshinë në rrugëtimin e tij. Kam lexuar që një njeri mund të mbajë aktiv një Network të shëndetshëm maksimalisht deri në 150 persona, pasi fizikisht në ciklin tonë të jetës nuk mund të përballojmë më tepër. Por, unë besoj se për Tanin ky numër ishte tejet më i madh. Kjo falë energjisë së pashterueshme që investonte në çdo marrëdhënie dhe në çdo iniciativë ku merrte pjesë apo e drejtonte.

Startup-ër nga natyra, frymëzues në çdo diskutim, i etur për dije të vazhdueshme, mësues e nxënës, ndjekës dhe kryetar, trajner dhe student, mentor dhe audiencë. I tillë ishte Tani. Një njeri me shumë vlera njerëzore dhe i realizuar në shumë dimensione. Sa i ëmbël në tavolina, aq i matur në mendime, i fortë në lidership dhe i mençur në gjykim.

Fjalët nuk dalin për të përshkruar atë që Tan Mezini ishte, sepse ai ishte vërtet shumëdimensional, por duke lexuar mesazhet e ndryshme ngushëlluese në grupet e Whats App-it dikush shkruante:

“Mendoj se ngritja e një fondacioni për nxitjen e inovacionit me emrin e Tanit do të ishte një ide e mirë për të kujtuar atë por edhe për të kontribuar sadopak në mbushjen e boshkllëkut që ai do të lërë në këtë fushë.”

Do na mungosh xhaxhi Tani!!!

Nga Gerti Boshnjaku,
Themelues i Business Mag Albania

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0