Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se numri i bizneseve të fiskalizuara ka arritur në 13,633 dhe numri i faturave të fiskalizuara deri tani ka arritur në mbi 9 milionë.
Nga ky numër 7937 i përkasin biznesit të madh dhe 5500 janë biznes i vogël. Pjesa më e madhe e bizneseve të fiskalizuara është e përqëndruar në kryeqytet me rreth 6,500 subjekte dhe një pjesë e mirë në Durrës.
Përsa i përket sektorëve në biznesin e madh pjesa më e madhe janë biznese në tregti, më pas vijnë bizneset në sektorin e shërbimeve, ato në sektorin e prodhimeve, ndërtimit dhe në fund vijnë bizneset në sektorin e transportit.
Ndërsa për biznesin e vogël pjesa më e madhe janë në sektorin e shërbimeve.
Lexoni: Fiskalizimi – Tatimet do kontrollojnë bizneset në kohë reale
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të zbatimit të reformës së Fiskalizimit, do të jetë në mbështetje të çdo biznesi, duke ofruar suportin e saj maksimal për çdo problematikë apo paqartësi në lidhje me këtë proces. Qasja e Administratës Tatimore do të jetë këshilluese dhe informuese për t’i ardhur në ndihmë çdo tatimpaguesi.
Në 1 Janar 2021 nisi faza e parë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike (B2G), në 1 Korrik 2021 nisi faza e dytë për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve (B2B), ndërsa më 1 Shtator do të nisë faza e tretë për transaksionet me para në dorë tatimpagues-konsumator (B2C).
Gjithashtu në Kuvend u votua edhe heqja e gjobave për bizneset që nuk do të arrijnë të respektojnë kushtet ligjore që përcakton procesi i fiskalizimit deri më 31 dhjetor të këtij viti.
Për më shumë mund të ndiqni videon e mëposhtme:
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto