Pleurat Rexhepi është drejtor i inkubatorit Metropolitan të Tiranës, ai ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar mbi 10 vite, më pas vazhdoi studimet e doktoraturës në Kings College London, me anë të një burse nga Fondi i ekselencës. Për 9 vite ai ka qenë pedagog i brendshëm për lëndën e inovacionit dhe qeverisjen e korporatave pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës.
“Unë kam ngritur disa biznese, një prej tyre është Molla Store, i pari shitës i autorizuar i produkteve Apple në Shqipëri. Sëbashku me familjen kemi krijuar nje fabrikë plastike në sektorin ushqimor, por erdhi koha kur shita gjithë bizneset e mia dhe u fokusova në MetroResearch që është pjesë e Univeristetit Metropolitan të Tiranës, në Metropolitan Incubator, ku ofroj paralelisht mentorim, shkrim projektesh, asistencë për studentët në fusha të ndryshme të sipërmarrjes si dhe jam pjestar i WBIF ku operoj si partner ndërkombëtar. Në nëntor sollëm për herë të parë investitorë engjëj në Shqipëri, duke lënë një pjesë përgjegjësie mbi inkubatorët, akseleratorët shqiptarë e të gjithë sipërmarrësit shqiptarë për të nxitur kreativitetin e startup-eve. Nëse më parë mungonte hallka e investitorëve tani kjo hallkë është drejt zgjidhjes dhe lind pyetja a kemi ne produkte për t’u ofruar investitorëve ndërkombëtarë që të investojnë në Shqipëri?
Kjo do të jetë një sfidë e veçantë për të gjithë drejtuesit e ideve në fushën e startup-eve, të SME-ve, akselerimit, që të nxisin sa më shumë sipërmarrje që të regjistrohen në fushën e mentorimit në mënyrë që të jenë sa më profesional kur përballen me investitorë të huaj.”
Prishila Gjoka: Në gjithë rrugëtimin e Metropolitan Incubator a keni patur mbështetje nga institucionet shtetërore?
Pleurat Rexhepi: Në Shqipëri ka një lehtësi kohët e fundit dhe nga Ministria për Mbrojtjen e Sipërmarrjes përsa i përket ligjeve për regjistrimin e startup-eve dhe përjashtimi nga taksat lokale, megjithëse një nxitje modeste, nevoja më e madhe është për organizimin profesional të startup-eve dhe për aplikimet në grante. Së fundmi në buxhetin e ri të shtetit është premtuar se do të ketë reth 10 milionë euro buxhet për startup-et, për herë të parë një buxhet i tillë, i jashtëzakonshëm, që besoj do të krijojë një klimë pozitive për aplikimin e startup-eve në Shqipëri.
Prishila Gjoka: Aktorët e ekosistemit të Startup-eve kanë filluar të punojnë drejt kësaj, ka më shumë programe dhe ato aktuale po zhvillojnë dhe avancojnë në programet e tyre. Pyetja lind, a ka interes nga ana e startup-eve për të absorbuar njohuritë e reja që po ofrohen?
Pleurat Rexhepi: Kjo është një pyetje që duhet diskutuar në ekosistemin e startup-eve dhe sipërmarrjes, nevojitet të angazhohemi në projekte koordinuese me njëri-tjetrin, të kemi bashkëpunim të ndërmjetëm mes organizatave sepse ndodhemi në një mjedis jo shumë të madh. Nëse kemi mbi 10 inkubatorë biznesi në Shqipëri dhe secili përpiqet që të tërheqë nga ana e tij do të kemi një inefiçencë ekonomike dhe një disbalancë. Unë do të sugjeroja fokusimin e inkubatorëve të biznesit në fusha të caktuara, pra të kemi inkubatorë në fushën e teknologjisë, të kemi inkubatorë në fushën e sipërmarrjes sociale, të kemi inkubatorë në fushën e manifakturave, prodhimtarisë e me rradhë. Në Metropolitan Incubator, si drejtues prej gati dy vitesh, kemi realizuar disa projekte konkrete ku kemi asistuar mbi 15 startup-e për të aplikuar në grantet e sipërmarrjes sociale, në EU4Innovation Challenge Fund, AIDA, në trajnime të ndryshme ndërkombëtare të GIZ, pra gjithmone kemi nxitur startup-et që inkubojmë që të aplikojnë. Mendojmë se është e domosdoshme rritja e nivelit të startup-eve me njohuri të re dhe një horizont të ri, andaj asistojmë me Masterclass-a dhe trajnime profesionale, pa lënë pas dore qytetet e tjera. Në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit jemi në fazë aplikimi të një programi inkubimi në Berat.
Përveç kësaj ka nisur projekti për hapjen e qendrave të inovacionit, në fushat e teknologjisë, elektronikë, arkitekturë, ku studentët mund te zhvillojnë studime, kërkime në laboratorë profesionalë, me të gjitha kushtet dhe mbështetjen e stafit padagogjik apo mentorëve.
A është kusht për të marrë pjesë në Inkubator apo në qendrat e inovacionit të qenit studentë në Metropolitan?
Jo, qendrat kërkimore dhe Metropolitan Incubator janë të hapura përtej univeristetit, madje mbi 80% e startup-eve vijnë nga jashtë universitetit. Shpresojmë që aplikimet në universitet të rriten, por duhet theksuar që shumica e startup-eve vijnë me formimin e duhur arsimor dhe më pas eksplorojnë mënyrat për të hapur një startup, pra është një cikël që zakonisht ndiqet pas studimeve. Ka dhe studente me iniciativë të cilët ne i inkubojmë, i adresojmë por nuk janë në fazen e zhvillimit, pra është e nevojshme të dinë se çfarë kërkojnë në aplikimin e ideve të tyre.
Si është krijuar i gjithë procesi i mentorimit deri në finalizimin e idesë?
Drejtuesi i universitetit tonë, Arjan Cukaj, aktualisht financon ekipin e mentorimit në mënyrë që të ofrohet mentorim falas. Skuadra e mentorimit përfshin profesionistë nga fusha juridike dhe të administratës publike, sektori bankar, specialistë, drejtues prej mbi 10 vitesh në fushën e banking-ut si dhe drejtues projektesh në administratën publike, mentorë që kanë eksperincë mbi 10 vite dhe mentorë në fushën e biznesit. Pra, bëhet fjalë për një staf të mirëpregatitur dhe mirë-formuar.
Procesi fillon me një takim paraprak me startup-et që shprehin interesin për t’u inkubuar, bëjmë të mundur që idetë e tyre të sintetizohen, i ofrojmë mentorim të personalizuar në bazë të nevojave, si nga aspekti financiar, ligjor dhe nga pranishmëria e idesë në treg. Shumica e startup-eve kanë ide biznesi mirëpo kjo nuk mjafton, të gjithë kanë ide biznesi por duhet të dihet sa komerciale është ajo ide në tregun që kërkojnë të operojnë. Për këtë mbahet një seancë brainstorming nga të gjithë mentorët, me seanca mentorimi një deri në dy orë çdo javë, përveç kësaj, ne i nxisim startup-et që të marrin pjesë në konkurse ndërkombëtare ose kombëtare për aplikim të granteve dhe i asistojmë në procesin e aplikimit, do te thotë vlerësojmë aplikimet e tyre. Kjo është asistenca që ne japim dhe është falas.
Përveç asistencës nëpërmjet informimit, trajnimit dhe asistencës, a ofroni shpërblime monetare apo materiale si pajisje, zyra?
Çdo vit organizohet festivali i ideve inovative, Startup City, ku startup-et ose SME-të ose projektet IDEA, prezantojnë para një jurie prestigjioze dhe ne zgjedhim 10 idetë më të mira. Nga këto 10 ide , tri vendet e para përfitojnë çmime përkatësisht vendi i parë çmimin 2500 euro, vendi i dytë merr një çmim prej 1000 euro, çmimi i tretë merr inkubim nga Metropolitan Incubator dhe bursë për studimet në Universitetin Metropolitan të Tiranës. Ne vazhdimisht punojmë që me sponsorat që kemi të ofrojmë grante financiare minimalë që idetë e tyre të zënë një zanafillë dhe të zhvillohen sadopak në bërthamën e tyre. Nuk është pak për një startup nëse bën një prezantim të mirë, merr një mentorim dhe një fond prej 2500 euro. Mendojmë që këtë vit ta mbajmë Startup City në muajin maj dhe të ftojmë aplikante jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga Kosova, mbase dhe nga Maqedonia e Veriut. Në majin e kaluar kemi patur rreth 50 aplikime dhe në finale shkuan 10.
Si duket shkalla e inovacionit, implementimit të ideve, krijimit të startup-eve vit pas viti, a mendoni që po vjen në rritje?
Ne kemi vënë re që dëshira për të krijuar startup-e dhe për të rritur startup-et vjen gjithmonë kur ka një shpërblim financiar, fatmirësisht ose fatkeqësisht startup-et shqiptare ndjekin programet kombëtare kur ka shpërblime financiare për t’i zhvilluar idetë e tyre. Në ekosistemin tonë vëmë re një mungesë të theksuar të fondeve për startup-et dhe startup-et bëjnë të pamundurën që të fitojnë çmimin monetar për t’i realizuar idetë e tyre. Shpresojmë që me disbursimin e fondeve nga qeveria shqiptare dhe nga institucionet ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri ky trend të përmirësohet dhe startup-et të kenë mundësi edhe për grante për aplikim por edhe për mentorim dhe zhvillim.
Mendoni që fakti që mentorimi ofrohet falas ndikon, ndoshta startup-et kanë nevojë të paguajnë për t’ia kuptuar vlerën programit dhe për t’u investuar seriozisht në të?
Është e vërtetë, mentorimi vlerësohet më tepër kur ofrohet me pagesë, por në tregun shqiptar startup-et tona nuk janë në fazën e investimit në kapitalin njerëzor që përshijnë blerjet e paketave trajnuese. Nëse ne i vendosim një çmim ata nuk do të përballojnë dot kosot e shërbimeve që ne ofrojmë, startup-et nuk janë ende të pergatitur në këtë fazë. Në momentin që do të vijnë investitorë engjëj në Shqipëri që investojnë te startup-et, besoj që do të krijohet mundësia dhe për financim të mentorimeve, por kjo do të jetë në një fazë të dytë në Shqipëri.
Ndërkohë nga 50 startup-e aplikante në Startup City, sa ishte raporti midis atyre që ia vlenin apo kishin perspektivë dhe atyre që mbeteshin thjesht ide të pa formuara mirë?
Ne mendojmë që 10 të perzgjedhurit ia vlejnë të diskutohen, kanë treguar potencial për t’u zhvilluar dhe për t’i zbërthyer idetë e tyre në hallka të hollësishme për atë që mund të bëjmë me to. Më tepër do të thosha që aplikantët e startup-eve kanë një mungesë të informacionit, nuk kryejnë siç duhet kërkimin e tregut dhe për këto arsye skualifikohen e nuk vazhdojnë më tej.
Në fakt e dëgjojmë shpesh që puna çalon në kërkimin e tregut, ndoshta sepse individi krijon një lidhje emocionale me idenë e tij, me zgjidhjen që ofron duke e bërë atë gjysëm të verbër apo irracional ndaj kërkesave të vërteta të tregut.
Po, nga ky aspekt vëmë re që ka mangësi të theksuar. Të bësh biznes nuk do të thotë të kesh vetëm një ide profesionale, të bësh biznes do të thotë të studiosh konkurrencën që operon në të njëjtën fushë ku ti do të operosh, të gjesh burimet, të marrësh një risk përsipër dhe të ofrosh diçka inovatore që të tjerët nuk e kanë. Ky është një proces i gjatë që nuk zhvillohet brenda 2 ose tri javësh por pas 2-3 muajsh pune intensive dhe sipërmarrësit e startup-eve harrojnë të kuptojnë që në fazën e fillesave të tyre duhet të kenë një projekt pilot. Nuk është e domosdshme që ti të operosh në të gjithë Shqipërinë, ose nuk është e thënë që ti të operosh në të gjithë Tiranën, e rëndësishme është të fillosh me një projekt pilot, me një numer të caktuar produktesh dhe shërbimesh dhe të fokusohesh në një kampion ose në një sektor të caktuar. Më pas mund të ndërmarrësh hapat për zhvillim duke vendosur objektivat e duhur, duke patur një strategji të duhur në implementimin e ideve dhe zhvillimeve operacionale në tregun vendas.
Pra, janë faza që duhet ti respektojmë, nuk mund të shkojmë nga faza bërthamore e ngritjes së një startup-i dhe të pretendojmë që do shesim te gjysëm-milioni konsumatorë brenda një viti.
Ndërkohë dallohet që ka një disbalancë midis zhvillimit të startup-eve këtu në Tiranë në krahasim me qytetet e tjera, përse mendoni se ndodh kjo?
Kjo vjen dhe si rezultat i një disbalance të zhvillimit ekonomik që ka Tirana në krahasim me qytetet e tjera, metropoli i Tiranës ka rreth 1 milionë banorë në krahasim me qytetet e tjera që kanë qindra mijëra banorë, ku do të evidentoja Vlorën, Korçën, Fierin, më pak Elbasanin dhe Shkodrën, si qytete që mund të kenë premisa për zhvillimin e inkubatorëve dhe ekosistemit të startup-eve në përgjithësi.
Arsyeja tjetër është që të gjitha grantet dhe fondet janë përqëndruar kryesisht në universitetet e Tiranës sepse është vënë re një absorbim më i madh i këtyre fondeve nga aplikantët e universiteteve të Tiranës në përgjithësi, private dhe publike. Në universitetet e retheve vëmë re një mangësi në aplikimin dhe gjenerimin e ideve të biznesit. Nëse shikon raportin e aplikimeve të kryeqytetit me qytetet e tjera ka një disporporcion të madh të bizneseve të regjistruara, të zhvillimit të inkubatorëve, akseleratorëve, të disbursimit të granteve dhe të mbështetjes administrative. Kjo disbalancë bën të mundur që të gjithë të fokusohen në Tiranë, mirëpo ne nuk duhet të tregohemi pesimist sepse është një vend relativisht i vogël, falë zhvillimeve teknologjike sot ka mentorime kombëtare, online.
Metropolitan Incubator zhvillon trajnime intensive me startup-e në Vlorë, në bashkëpunim me Bashkinë e Beratit po hapim Metropolitan Incubator në Berat. Kemi startup-e nga Vau i Dejës dhe nga Durrësi. Pra, nuk ndalemi vetëm në Tiranë, por kjo kërkon kohë, kërkon durim dhe kërkon një punë të vazhdueshme nga i gjithë ekosistemi për të nxitur startup-et të regjistrohen në platforma të ndryshme dhe të kërkojnë mundësi për t’u zhvilluar.
Ndër gjithë startup-et që keni inkubuar deri më sot mund të më përmendësh disa që po ecin me hapa të sigurt deri tani dhe mendon që kanë premisa për t’u zhvilluar?
Një nga startup-et që ne kemi inkubuar është nga Vau i Dejës, Ateleri, të cilën ne e kemi asistuar për të aplikuar në Eu Fund for Innovation në Challenge Fund. Ajo arriti që të marrë një grant mbështetjeje mbi 15 000 Euro, për prodhimin dhe kultivimin në mënyrë profesionale të mëndafshit nga krimbi i mëndafshit, për herë të parë në Shqipëri. Ekipi ka blerë një makineri prodhuese dhe është në fazën e nënshkrimit të kontratave në Kosovë për eksportimin e lëndës së parë të mëndafshit. Ky është një ndër startup-et për të cilët ne ndihemi krenarë, i plotësuar nga aspekti i shërbimeve që ne u ofrojmë startup-eve, për shkak se ka rritur numrin e punonjësve, ka marrë një ambient të ri, ka filluar me 3-4 punonjes dhe sot ka mbi 10 punonjës të regjistruar dhe ofron kurse trajnimi për vajzat e reja.
Rasti i dytë është rasti i Xhejsonit, një djalë inovativ në fushën e animacioneve për fëmijë, i cili duke ndjekur një mastercalss trajnues me ne dhe falë bashkëbisedimit personal me të u informua mbi Startup City. Ai ndoqi të gjitha trajnimet, u bë pjesë e konkursit dhe mori çmimin e dytë, një çmim motivues për të zhvilluar më tej librat komike për fëmijë. Një startup që i shërben fëmijëve dhe rinisë shqiptare për t’u argëtuar në formatin e librave grafik për një grup të caktuar tematikash. Zakonisht trajtohen tematika mbi diskriminimin social, ai përpiqet të ilustrojë anën edukative dhe të rikonceptojë mënyrën se si duhet të reagojë shoqëria në fazën e fëmijërisë. Xhejsoni ka lidhur një marrëveshje me Bukinist për shitjen online të librave dhe shpresojmë që të zhvillohet dhe të ketë një qasje ndërkombëtare.
Këto janë dy startup-et pionere që ne kemi zhvilluar por kemi dhe startup-e nga Vlora përsa i përket prodhimit të mjaltit, kemi startup-e të tjera të studentëve. Kemi dhe startup-e të cilat kanë ndjekur trajnimin tonë por kanë vazhduar me inkubatorë të tjerë sepse janë të vendosur në Kosovë.
Gjithë këto ide të reja që vijnë, në cilët sektor duket të jenë më shumë të fokusuar?
Mund të përmend fushën e hoteleri-turizmit, atelerisë dhe IT-së. Këto janë fushat ku shprehet interesi i studentëve, por kohë pas kohe ne jemi në komunikim dhe me startup-e nga sektorë të tjerë. Ka shfaqur interes për shërbimin tonë dhe Ambasada Franceze që ka zhvilluar Hackathon të ndryshme dhe fituesit e Hackathon-ëve më pas janë inkubuar nga ne. Pra, ka institucione publike siç janë bashkitë, me të cilët kemi marrëveshje për të inkubuar idetë e biznesit që lindin në qytete të ndryshme si dhe kemi marrëveshje ndërkombëtare me ICK Kosova dhe institucione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut, po përpiqemi të aplikojmë në Western Balkan Fund për të organizuar një Hackathon në muajin Nëntor të vitit të ardhshëm. Ne aplikojmë vazhdimisht për të gjeneruar aktivitete për startup-et.
Mund të ndani me ne ndonjë këshillë për të inspiruar ata që kanë ide që të aplikojnë në Metropolitan Incubator dhe pse jo të marrin pjesë dhe në këto iniciativa që do të vijnë më vonë.
Sugjerimi im është të fillojnë nga shkalla e parë që është kërkimi mbi idenë dhe mundësia e komercializimit në treg. Pra, të mos e lënë idenë e tyre në fazë të paeksploruar në treg por të bëjnë sa më mirë detyrat e kërkim-zhvillimit dhe se çfarë ofron tregu, kush janë konsumatorët, kush është targetimi që do të bëjnë, çfarë fushate marketingu do të ndjekin, si do të implementojnë strategjinë që kanë dhe çfarë strategjie do të ndjekin, strategjinë e cilësisë, strategjinë e konsumatorizmit në masë, apo do të jetë një startegji hibride. Duhet të jenë të qartë se çfarë ofrojnë në shërbimin e tyre dhe çfarë ofron konkurenca në raport me produktin apo shërbimin që ata zgjedhin. Duhet të jenë më serioz në punën që ndjekin, të dedikuar minimalisht 3-4 orë intensivisht në ditë dhe të mos e konsiderojnë si një ide hapsinore por diçka që realizohet në projekte konkrete dhe ndahet në milestones. Kjo kërkon patjetër një punë me organizata të ndryshme, me inkubatorë dhe akseleratorë të vendit, të mos i lejojnë t’u ikin mundësitë që i jep Tirana apo qytete të tjera dhe t’i shikojnë si mundësi për të bashkëpunuar dhe për t’i orientuar në zbërthimin e ideve të tyre në qasje më konkrete.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.