DOGE planifikon të përdorë AI për të shkurtuar 70,000 vende pune - Business Magazine Albania

DOGE planifikon të përdorë AI për të shkurtuar 70,000 vende pune

Dy vite më parë, Elon Musk paralajmëroi publikun se inteligjenca artificiale (AI) “ka potencialin të shkatërrojë civilizimin”. Megjithatë, shumë shpejt pas këtij paralajmërimi, ai u bë pjesë e garës globale për zhvillimin dhe tregtimin e kësaj teknologjie. Sot, një sipërmarrës që punon për Departamentin për Efiçencën Qeveritare (DOGE) të drejtuar nga Musk, po përpiqet të fusë aplikacionet me AI në agjencitë federale të SHBA-së, me synimin për të zëvendësuar punën e 70,000 nëpunësve civilë.

Sipas një artikulli të fundit të revistës Wired, sipërmarrësi Anthony Jancso është forca kryesore pas kësaj përpjekjeje. Që prej mesit të janarit, DOGE ka eliminuar tashmë mbi 100,000 vende pune në sektorin publik. Tani, Jancso dëshiron të shkojë edhe më tej. Në një mesazh të shpërndarë në Slack për rreth 2,000 ish-kolegë të tij nga kompania Palantir, ai tha se synon të rekrutojë talente të reja për të zbatuar një “qasje ortogonale” për futjen e AI-së në administratë. Por nuk bëhet fjalë për aplikacione të zakonshme — Jancso dëshiron të përdorë agjentë të AI që mund të marrin në mënyrë autonome përsipër detyra pa mbikëqyrje njerëzore, duke zëvendësuar mijëra vende pune me kohë të plotë.

“Kemi identifikuar mbi 300 pozicione që mund të standardizohen plotësisht, çka mund të çlirojë të paktën 70,000 FTE (punonjës me kohë të plotë),” shkroi ai — duke shtuar se qëllimi është që punonjësit federalë të kalojnë në role me më shumë ndikim. Megjithatë, jo të gjithë ish-kolegët e tij te Palantir janë bindur nga kjo narrativë. “DOGE nuk duket i interesuar të gjejë ‘punë me ndikim më të lartë’ për punonjësit federalë,” shkruante një koment që mori 11 reagime pozitive. “Në fakt, po ndihmoni në largimin e 70,000 punonjësve dhe po i zëvendësoni ata me një autocorrect të dobët.”

Lexo edhe:Videoja virale nga Kina, ku roboti “sulmon” punëtorin në një fabrikë

Një koment tjetër me tone ironike pyeste: “Sa ‘ortogonale’ është kjo? Kërkon ende miratimin e Kremlinit apo thjesht përdorin kredencialet tuaja për t’u futur më vonë?” Megjithëse tani shihet si një figurë kyçe e politikave agresive të shkurtimeve të vendeve të punës të administratës Trump dhe Musk, Jancso nuk ka qenë gjithmonë në këtë linjë. Në një profil të vitit 2023 nga portali Mission Local në San Francisko, ai përshkruhej si një idealist që kishte themeluar startup-in AccelerateSF. Ai synonte të krijonte aplikacione AI për të ndihmuar autoritetet dhe partnerët e biznesit në përmirësimin e qytetit. Në një nga aktivitetet e kompanisë së tij, shfaqej edhe një grua trans — pjesë e komunitetit LGBTQ+, të cilin Musk e ka kritikuar publikisht. Por më pas, gjithçka ndryshoi. Jancso e riktheu kompaninë e tij në një drejtim tjetër, duke e ribaptizuar si AccelerateX dhe duke ofruar zgjidhje të teknologjisë për qeverinë amerikane. Ai kritikoi shitësit tradicionalë për “sisteme të prishura me çmime gjithnjë e më të larta” dhe nisi një mision për “ndryshim radikal”. Deri në fund të vitit, Jancso ishte ndër të parët që iu bashkua DOGE, njësia e ngritur nga Trump dhe e besuar Muskut për të prerë shpenzimet dhe vendet e punës në administratë. Ai bashkëpunoi ngushtë me ish-kolegë nga Palantir, një kompani e bashkëthemeluar nga miliarderi libertarian dhe mbështetësi i Trump, Peter Thiel.

Sot, me Musk që është distancuar disi nga Washingtoni për të përballuar sfidat e biznesit të Teslës, lind pyetja nëse Jancso do t’ia dalë ta realizojë këtë plan ambicioz përmes AI-së. Ekspertët që folën për Wired janë skeptikë. Shumë besojnë se, ndonëse agjentët AI janë të aftë të automatizojnë detyra të caktuara, ata shpesh kanë nevojë për mbikëqyrje njerëzore për të prodhuar rezultate të sakta dhe të qëndrueshme. Në këtë mënyrë, eliminimi total i 70,000 vendeve të punës shihet si një objektiv jashtë realitetit. “Nuk ka shanse,” tha Oren Etzioni, bashkëthemelues i startup-it të AI-së, Vercept. “Përveç nëse përdorni matematikë qesharake.” Madje, shtoi ai, përdorimi i AI në këtë mënyrë mund të sjellë pikërisht të njëjtat “sisteme të prishura” që Jancso kishte kritikuar më parë te shitësit tradicionalë. “Duam që qeveria jonë të jetë e besueshme, jo një eksperiment në kufijtë e teknologjisë,” theksoi Etzioni. Edhe pse DOGE ka përdorur shpesh shifra të dyshimta në llogaritjet e saj, ambicia për të automatizuar aq shumë procese mbetet tejet kontroverse — veçanërisht kur vetë sistemi aktual ka dështuar të jetë aq efikas edhe pa ndihmën e AI-së.

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0