Disa leksione jete nga Koby Bryant që të frymëzojnë - Business Magazine Albania

Disa leksione jete nga Koby Bryant që të frymëzojnë


“Kobe Bryant ishte më shumë se një super yll i NBA”, shkruan Arianna Huffington, themeluese dhe drejtuese e “Thrive Global”, një kompani amerikane mediatike dhe teknologjie në mbështetje të personave që punojnë dhe që luftojnë stresin përmes punës. Huffington vjen me një artikull kushtuar Kobe Bryant dhe jetës së tij, ku thekson se trashëgimia e tij si mësues jete tejkalon gjithçka që ka arritur.

Vdekja e Kobe Bryant ka shkaktuar një shfaqje të jashtëzakonshme të pikëllimit dhe mirënjohjes, duke nisur që nga presidentët, atletët, personat e artit dhe skenës dhe miliona njerëz në të gjithë botën, të cilët kanë shprehur keqardhjen e tyre.

Është gjithmonë tronditëse kur një figurë e dashur ndahet nga jeta në kulmin e saj. Por, në rastin e Kobe, ngjarja bëhet akoma edhe më tragjike. Ai, përveç karrierës së jashtëzakonshme, rekordeve në kampionate, ishte një njeri me një mendje kërkuese e filozofike. Për dikë që kishte grumbulluar kaq shumë arritje, si në fushën e basketbollit ashtu edhe jashtë saj, ai këmbëngulte që ne të gjithë jemi më shumë se rezultatet tona.

Ja si më fliste në 2014 gjatë një bisede që bëmë për The New York Times:

“Ajo që lëndon shumë njerëz, veçanërisht njerëzit e famshëm, është se nisin ta vlerësojnë veten e tyre me mënyrën sesi bota i sheh ata: si shkrimtarë, folës, lojtar basketbolli. Dhe ti nis e beson se ajo që ti bën, të bën ai që je. Por, këtu qëndron një ndryshim i madh”.

Për të gjitha kujtimet dhe festimet që arriti në fushën e basketbolli, për atë që Kobe Bryant bënte, ai shkoi përtej kësaj. Ai ishte bashkëshort, vëlla, djalë, dhe një mësues jete. Ai foli hapur në publik në lidhje me dështimet e tij, pengesat me të cilat përballej dhe mezi priste të ndante mençurinë dhe përvojën e tij si tregimtar.

Ai sapo kishte nisur jetën e tij të dytë pas basketbollit, përfshirë një film që fitoi çmimin Oscar dhe ngritjen e një kompanie publikimesh.

Lexo: 15 thënie frymëzuese të Kobe Bryant, nga karriera e tij legjendare

Si një fëmijë afrikano-amerikan i rritur në Itali, ndoshta nuk është aq e çuditshme që Kobe mësoi të frymëzohej në vende të çuditshme:

“Kur më shikoni  teksa hidhem për të bërë një kosh, do të vëreni se këmba ime gjithnjë është e zgjatur. Kam pasur probleme për ta bërë atë goditje në të kaluarën.  Ka qenë e vështirë për mua. Por, një ditë teksa po shihja tek Discovery Channel një çita që kishte dalë për gjueti vura re se kur vraponte e përdorte bishtin për të ruajtur balancën e trupit. Dhe pikërisht aty e kuptova  se çfarë duhet të bëja edhe unë që të përmirësoja kërcimin. Mendova se pikërisht këmba ime duhet të luante rolin e bishtit, njëlloj si çita. E kisha menduar mirë, apo jo?”.

“Frymëzimi na rrethon kudo”, tha ai.

Kërkesa e Kobe për frymëzim i dha atij një qasje më të gjërë për jetën, përtej basketbollit, i cili sigurisht e bëri një inspirim dhe një figurë frymëzuese për miliona njerëz.  Ai ishte një pionier për të kuptuar lidhjen midis mirëqenies dhe performancës. E ftova Kobe të merrte pjesë në një nga kurset tona “Thrive e-course”, që të bëhej mësues i meditimit dhe i gjumit.

“Jam rritur”, më thotë. “Dikur e anashkaloja gjumin dhe mjaftohesha me 3 ose katër orë natën. E kisha të vështirë të fikja trurin, por ndryshova”.

Ai vazhdoi: “A e dini gjënë më të rëndësishme për gjumin? Më jep më shumë energji për të kaluar kohë me familjen dhe për t’u argëtuar me fëmijët. Ndërsa pushoj më shumë, unë mund të punoj më shumë, dhe të kthehem në shtëpi edhe të futen sërish në palestër”.

Pasi trajneri i tij legjendar Phil Jackson i mësoi meditimin, Kobe e praktikonte atë çdo ditë, 10-15 minuta çdo mëngjes. Ja si i shpjegon ai përfitimet nga meditimi:

“Meditimi më mban në formë gjatë gjithë ditës. Është si të kesh një spirancë. Nëse nuk meditoj ndihem sikur diçka më mungon gjatë gjithë ditës. Kur meditoj e marr me qetësi çdo gjë që më vjen dhe ndihem mirë”.

Në 2016, pak pasi hoqi dorë nga basketbolli, Kobe tregoi se çfarë mendonte për vdekjen.

“Është një mirëkuptim. Ne s’mund të kemi jetë pa vdekjen, sikurse s’mund të ketë dritë pa errësirën”.

Që nga koha e Romës së lashtë ne përdorim një frazë, “memento mori” që do të thotë kujto vdekjen, e zakonisht e gjejmë të shkruar shkurtimisht  M.M. Sipas legjendës në një paradë fitoreje, një skllav i tha me zë të lartë komandantit triumfues “kujto se je i vdekshëm”.

Kobe dhe vajza e tij Gianna dhe 7 të tjerë, vdiqën në mënyrë tragjike, gjatë rrugës për në lojën e basketbollit të pasdites së Gianna. Vdekja e tij na kujton brishtësinë e jetës. Ne nuk kemi kohë të pakufizuar, megjithëse jetojmë sikur e kemi. Si mund ta përdorim të vërtetën e vdekshmërisë sonë për të pasuruar kohën që kemi dhe për të jetuar jetën që duam dhe jo jetën që bëjmë, megjithëse nuk e pëlqejmë? Në një farë mënyre, kjo është dhurata e fundit e Kobe për botën.

Thrive Global

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0