Disa lajme të mira gjatë këtij viti (po, ka pasur disa) - Business Magazine Albania

Disa lajme të mira gjatë këtij viti (po, ka pasur disa)

Këtë vit, shumë nga ne do të donim ta harronim, por 2020-shi ka pasur edhe disa lajme shumë të mira, të cilat u varrosën nën tituj të zymtë.

Burim i ri i energjisë: Shkrirja bërthamore lëviz drejt realitetit që ndryshon botën

Ëndrra për të krijuar reaktorë të pastër të shkrirjes bërthamore, që mund të elektrizojnë qytetet e së ardhmes, ka bërë një hap para në muajin gusht, kur presidenti i Francës, Emmanuel Macron nisi fazën e montimit të Reaktorit Eksperimental Termobërthamor (ITER).

Shkrirja bërthamore mund të revolucionarizojë furnizimet e energjisë të botës. Ndryshe nga fuqia e ndarjes bërthamore të Hiroshimës, ku atomet ndahen në fragmente më të vogla, shkrirja bërthamore ndodh kur grimcat e tejnxehura në një vakum, bashkohen për të krijuar një atom më të madh. Shpërthimi i energjisë që ndodh është pothuajse i lirë nga emetimet dhe efektiviteti është i pakufizuar. Për shkrirjen bërthamore nevojitet një sasi e vogël e karburantit që mund të merret nga uji i detit.

Projekti ITER fillimisht ishte dhënë si ide nga lideri sovjetik Mikahil Gorbachev ndaj presidentit amerikan Ronald Reagan më 1985. Që atëherë, shumë partnerë ndërkombëtarë e kanë nënshkruar këtë projekt dhe për të janë dhënë shuma të mëdha parash. ITER pritet të ketë testimin e parë të reaktorit të tij më 2025.

Ritmi i ngadaltë i këtij projekti ka inspiruar të tjerët, që të eksperimentojnë me versionet e tyre të dhomave të shkrirjes, që fillimisht ishin paramenduar nga shkencëtarët sovjetikë në vitet e 50-ta. Në një mënyrë apo në tjetër, një përgjigje e mundshme për problemet e energjisë së botës, duket se është afër.

Kërpudhat e Çernobilit ushqehen me rrezatim kozmik

Hulumtuesit në Universitetin e Stanford-it dhe atë të Karolinës së Veriut kanë publikuar një studim në gusht, ku thuhej se kërpudhat që po rriten në Çernobil mund të përdoren për të ndihmuar astronautët për të shkuar në Mars të gjallë dhe të jetojnë të sigurt atje.

Studimi u publikua pasi shkencëtarët kanë parë brenda uzinës bërthamore të Çernobilit që ishte rritur një lloj i kërpudhës me ngjyrë të zezë, brenda zonës së rrezatimit.

Hetimet e mëtejme treguan se kërpudhat “estremofile” (mikroorganizma që jetojnë në temperatura ekstreme, në aciditet të lartë ose në përqendrim të lartë kimik) ishin në gjendje që të shndërronin rrezatimin në energji, që u nevojiten për t’u rritur brenda Çernobilit. Ky oreks i tyre për rrezatim i dha një ide një studiuesi që të dërgonte mostra të kërpudhave në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës për studim të mëtejmë.

Një prej vështirësive më të mëdha për të dërguar njerëzit në Mars është rrezatimi kozmik që astronautët e thithin kur dalin jashtë atmosferës mbrojtëse të Tokës, prandaj NASA me padurim po pret të shoh sesi këto kërpudha të marra nga Çernobili do të reagojnë në hapësirë.

Brenda Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, në një “shtresë” 1,7 milimetra të trashë të Cladosporium sphaerospermum (lloj i kërpudhës radiotropike, që përdorë rrezatimin si burim të energjisë) është vendosur mbi një detektor të rrezatimit. Kërpudha u gjet se ndaloi rreth 2 për qind të rrezatimit në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirë. Edhe pse këto gjetje duken modeste, studimi i publikuar më 2020 shkaktoi reagime pasi erdhi në përfundim se nëse një shtresë me këpurdha do të ishte e trashë 21 centimetra do të mund “të parandalonte në masë të madhe” rrezatimin kozmik, që besohet se është i dëmshëm për astronautët.

Ky përfundim duket shpresëdhënës për faktin se ky lloj i mykut mund të rritet në Mars ose edhe në bordin e ndonjë anijeje kozmike, që do të nisej drejt Planetit të Kuq.

Mbjellja masive e pemëve në Pakistan gjatë pandemisë

Rreth 60,00 punëtorë në Pakistan lanë punën e tyre, në disa raste, për shkak të dëshpërimit të shkaktuar nga masat kufizuese të vendosura kundër koronavirusit, dhe vendosën që të merreshin me një punë të re: mbjelljen e pemëve.

Një nismë për ripyllëzuar një pjesë të madhe të Pakistanit me 10 miliardë pemë, nga viti 2018 deri më 2023 mbeti për gjysmë – kur edhe pjesa më e madhe e ekonomisë së Pakistanit pësoi një goditje – kur u përhap pandemia në vend. Por, vendimi i qeverisë për të ndërprerë projektin për mbjelljen e pemëve u ndryshua me shpejtësi nga punëtorët, të cilët e rinisën këtë projekt.

Punëtorët, të cilët po përballeshin me uri për shkak të humbjes së vendeve të punës, tani po paguhen me paga të ulëta ditore prej 3 dollarësh, që të vazhdojnë këtë iniciativë ambicioze të mbjelljes së pemëve. Një prej punëtorëve tha për Reuters: “Për shkak të koronavirusit, të gjitha qytetet janë mbyllur dhe nuk ka punë. Shumica prej nesh nuk mundnim të fitonim për mbijetesë”. Por, ky punëtor tha se nisma për mbjelljen e pemëve “për të gjithë ne do të thotë një mënyrë të re për të fituar para që të ushqejmë familjet tona”.

Ngjyrosja e turbinave të erës ulë vdekjen e zogjve

Hulumtuesit në Norvegji kanë ardhur në përfundim se ekziston një mënyrë e thjeshtë për të parandaluar vrasjen e mijëra zogjve çdo vit nga turbinat e erës.

Një hulumtim i publikuar korrik, që bazohet në studime të kryera për vite me radhë në fermën e erës në Smola të Norvegjisë, tregoi se numri i vdekjeve të zogjve në këtë fermë ra pasi vetëm njëri nga tehet e turbinës së erës u ngjyros me ngjyrë të zezë.

Një prej argumenteve kryesore kundër turbinave të erës është se zogjtë goditen nga to dhe vdesin. Zogjtë duket se janë të ndjeshëm ndaj objekteve me ngjyra që lëvizin, pasi atyre këto objekte ju duken të padëmshme, veçanërisht kur turbinat e bardha të erës, në ditë të kthjelltë mund të ngatërrohen me ngjyrën e qiellit. Në fermën në Smola, disa shqiponja ngordhën pasi u përplasën me turbinat e erës, para se hulumtuesit të nisin kërkimet se si të ndalohej kjo gjë.

Pasi turbinat e erës u ngjyrosën me ngjyrë të zezë në fermën në Smola, vdekjet e zogjve – sipas hulumtuesve – ranë për 70 për qind. Turbinat e ngjyrosura me të zezë, thanë studiuesit, zogjtë me gjasë i vërejnë dhe largohen nga to.

Megjithatë, lidhur me këtë çështje duhet të bëhen hulumtime të mëtejme. Edhe një fermë e erës në Afrikë të Jugut dhe një në Holandë, janë duke u përgatitur që ta aplikojnë këtë studim.

Vietnami “ndalon” tregtinë ilegale të kafshëve të egra

Pas paraqitjes së pandemisë së koronavirusit, që besohet se fillimisht u shfaq në një treg kafshësh në Kinë, Vietnami ka ndërmarrë veprime për të ndaluar tregtinë ilegale të kafshëve. Vietnami është i njohur për tregjet me kafshë, pasi konsiderohet si një ndër vendet që tregton ilegalisht kafshët e egra.

Titujt e mediave në korrik thanë se Vietnami ka “ndaluar” tregtinë e kafshëve të egra, me qëllim që të zvogëlohet rreziku nga shpërthimet e ndonjë sëmundjeje. Ekspertët brenda Vietnamit thonë se raportimet e këtyre mediave nuk ishin të sakta dhe se qeveria ka bërë thirrje që të respektohen ligjet që tashmë janë në fuqi. Por, megjithatë, direktiva e qeverisë ku bëhet thirrje për respektim të mirëfilltë të ligjeve, duket se ka qenë e inspiruar nga pandemia e koronavirusit.

Sipas një organizate joqeveritare, konfiskimet e kryera në Vietnam sa i përket kafshëve të egra, që kanë qenë të destinuar për t’u shitur, janë rritur në 44 për qind gjatë dy vjetëve të fundit dhe më 2020, kjo shifër u rrit në 97 për qind, ndërkaq kontrabanduesit janë arrestuar. Po ashtu, rastet gjyqësore sa i përket tregtisë ilegale të kafshëve të egra është raportuar se janë rritur në mënyrë dramatike, në shtetin në kontinentin aziatik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0