Digital Jobs Albania është një projekt i implementuar nga Banka Botërore me qëllimin për t’u ofruar grave dhe vajzave një mundësi trajnimi në profesionet më të kërkuara të momentit si dhe më shumë mundësi për punë të pavaruar online. Projekti konsiston në një trajnim intensiv prej 12 javësh, pa pagesë. Për më tepër Business Magazine zhvilloi një intervistë me ekipin e Digital Jobs.
Si erdhi ideja e këtij projekti?
Ky projekt vjen si një nismë e Bankës Botërore, e cila ka zhvilluar dhe më parë projekte pilot të ngjashme, duke përfshirë dhe Kosovën, ku është vënë re se ndikimet ekonomike por sidomos ato sociale ishin mjaft të suksesshme. Përfituesit nga pilotët e mëparshëm të ngjashëm kanë dëshmuar mbi krijimin e një ndjenje shprese dhe sidomos fuqizimi të rolit të tyre në familje apo në komunitet, rritje pavarësie ekonomike, vetëbesimi, etj.
Kjo vjen pasi dhe zhvillimi i tregjeve të punës online për profesione të lira po ofron gjithmonë e më shumë mundësi të reja për t’u lidhur me ekonominë globale nëpërmjet faqeve të internetit si Upëork, Fiverr dhe People Per Hour duke ofruar sidomos mundësi mjaft të mira punësimi me rroga të standarteve ndërkombëtare për punët e lidhura me marketingun digjital, zhvillim webi, dizajn grafik etj. Shqipëria gjithashtu ka filluar të përfitojë më shumë nga tregu online freelance por ka ende një numër të lartë të popullsisë që nuk është në dijeni për këto mundësi ekzistuese.
Lexo: Aftësia për të mësuar: Talent i lindur, apo i fituar?
Pse vendosët të synoni vetëm vajzat dhe jo te dyja gjinitë?
Shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës së grave në Shqipëri është ende 14.6 pikë përqindje më e ulët se sa ajo e burrave. Sipas të dhënave të vitit 2020 të Institutit Kombëtar të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), hendeku gjinor i pagave mbetet 6.6 përqind. Zhvillimi i modelit të punës së pavarur në internet mund të luajë një rol të rëndësishëm në ngushtimin e këtyre hendeqeve. Ndër të tjera, shumica e Shqiptarëve që punojnë freelance online janë meshkuj, dhe këtu gjithashtu vihet re një mungesë e prezencës së vajzave dhe grave të reja në këtë treg të ri me plot mundësi për to. Oraret fleksibël të punës dhe aftësia për të punuar nga shtëpia mund të ndihmojnë më shumë gra e vajza me aftësitë e duhura të qëndrojnë në tregun e punës dhe të fitojnë pavarësi financiare. Si rrjedhim nisma synoi të pilotohej fillimisht me vajzat dhe gratë e reja si segmenti i polullsisë ende i nën-përfaqësuar në tregun e punës dhe kryesisht atë online freelance, dhe më pas modeli i aplikuar, të mund të shtrihet edhe te meshkujt dhe pse jo, edhe në mosha të tjera përveç atyre të synuara në këtë fazë.
A është i vlefshëm vetëm për studentë apo kushdo që mund të angazhohet është i lirë të aplikojë? A nevojitet eksperiencë apo njohuri të mëparshme në tri fushat?
Studentet janë një ndër grupet kryesore të synuara, pasi bëhet fjalë për t’iu dhënë dhe një ndihmë apo orientim në nisjen e karrierave të tyre duke patur parasysh dhe vështirësitë që të rinjtë sot hasin në gjetjen e punës së mirëpaguar. Megjithatë projekti nuk synon vetëm studentet por edhe ato vajza e gra të cilat i kanë mbaruar studimet e tyre, të ciat mund të kenë nisur tashmë karrierën e tyre, por nuk janë të punësuara me kohë të plotë apo në punë të qëndrueshme. Pra projekti synon t’u japi një mundësi punësimi të qëndrueshme atyre vazjave dhe grave të papuna (ose në punë jo me kohë të plotë) në mënyrë që të thellojë hendekun e papunësimit të këtij segmenti (të përmendur më sipër). Të qënit të papunë ose në punë jo-full time është pra një ndër kërkesat kryesore të këtij projekti. Eksperienca apo njohuritë e mëparshme në të tri fushat nuk janë të domosdoshme, mjafton dëshira dhe vullneti për të mësuar aftësi të reja dhe sidomos është e nevojshme që pjesëmarrëset të kuptojnë gjithashtu dhe cila fushë u pëlqen më shumë pasi mund të kenë talent të fshehur të cilin nuk e kanë vënë ende në provë.
Lexo: 3 arsye pse zgjedhja e karrierës është më e rëndësishme se kurrë
Cilat do të jenë kriteret e përzgjedhjes dhe kur pritet të informohen pjesëmarrësit fitues?
Kriteret kryesore të përzgjedhjes janë :
- Të jetë një vajze/grua shqiptare (që jeton në Shqipëri)
- Mosha 16 – 35 vjeç
- Aktualisht të mos jenë të punësuara me kohë të plotë
- Të kenë aftësi mesatare në gjuhën angleze
- Të kenë akses në kompjuter (laptop ose desktop) dhe internet të qëndrueshëm
Aplikimi konsiston në 2 faza kryesore, fillimisht bëhet aplikimi fillestar e cila është një formë skanimi paraprak për të parë nëse aplikantet përmbushin kushtet e mësipërme kyçe për të qenë pjesë e trajnimit. Më pas aplikantet njoftohen me email nëse kanë kaluar në fazën e dyte të aplikimit e cila konsiston në një “Periudhë prove” që do të qëndrojë e hapur për maksimumi 1 javë dhe ku kandidatet potenciale do të mund të ndjekin disa video e të zhvillojnë disa ushtrime që “simulojnë” edhe procesin e trajnimit. Në këtë fazë ato do mund të kuptojnë dhe më shumë se cilën prej 3 kurseve do kenë dëshirë të ndjekin (dhe do vendosin zgjedhjen e tyre). Në fund të periudhës së provës, aplikantet e interesuara do të kenë mundësi të përfundojnë një detyrë prove, e cila do të shërbejë si bazë për verifikimin përfundimtar të kandidateve të suksesshme që do të bëhen pjesë e programit të trajnimit dhe mentorimit. Njoftimi për rezultatet e çdo faze aplikimi do i’u vijë me email.
Cilat janë planet apo pritshmëritë tuaja në të ardhmen për DigitalJobs?
Si dhe theksuam më sipër, pritshmëria jonë është që program pilot, me përfundimin e suksesshëm dhe mësimet e nxjerra prej tij, të mund të zgjerohet më pas jo vetëm në të dyja gjinitë por edhe kufiri i moshës të zgjerohet përtëj 16-35 vjec. Gjithashtu duam të theksojmë se ky projekt targeton që në këtë fazë edhe grupet vulnerabël (persona me aftësi ndryshe, minoritete, etj) të cilët e kanë më të vështirë aksesin në tregun e punës në Shqipëri dhe për të cilët puna online do t’u ofronte një mundësi për të punuar larg paragjykimeve me të cilat përballen shpesh.
Lexo: Ajo ishte gruaja e vetme me ngjyrë në dhomë. Kështu që vendosi të bëhej më e mira në biznes
Na tregoni tri arsye kryesore përse duhet të aplikojnë?
Puna si freelance online ofron mjaft benefite mes të cilave 3 më kryesoret qe mund të përmendim janë:
Fleksibilitet dhe pavarësi më e madhe – Freelancerat online mund të punojnë nga kudo që dëshirojnë dhe sipas orarit të dëshiruar! Mjafton vetëm të paturit një kompjuter funksional dhe lidhje të qëndrueshme me internetin.
Mundësi më të shumta për të ardhura – Teksa paga mesatare e punës në Shqipëri është rreth 3 $ ora, një Dizajner Grafik, Marketues Digjital, dhe Zhvillues Uebi me aftësi të moderuara fiton mesatarisht nga 27$ në 35 $ ora.
Liria për zgjedhjen e klientëve dhe ngarkesës së punës -Puna freelance të ofron mundësinë e zgjedhjes së klientëve dhe apo projekteve të dëshiruara si dhe ofron mundësi për të kontrolluar apo menaxhuar vetë ngarkesën e punës sipas mundësisë.
Këtu mund të aplikoni për Digital jobs deri në datën 30 Shtator!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.