DeepSeek tronditi tregjet një vit më parë, çfarë po ndodh sot me të? - Business Magazine Albania

DeepSeek tronditi tregjet një vit më parë, çfarë po ndodh sot me të?

Gati një vit më parë, DeepSeek shkaktoi një tronditje të fortë në botën e inteligjencës artificiale. Aksionet e disa prej kompanive më të mëdha perëndimore të teknologjisë ranë ndjeshëm, teksa tregjet reaguan me panik ndaj shfaqjes së një modeli të ri nga një laborator kinez relativisht i panjohur, i cili sfidonte idenë e dominimit amerikan në fushën e AI.

Aksionet e Nvidia ranë me 17%, duke humbur rreth 600 miliardë dollarë nga kapitalizimi i tregut. Prodhuesi amerikan i çipeve Broadcom pësoi gjithashtu një rënie prej 17%, ndërsa ASML humbi 7% brenda një dite të vetme. Njëmbëdhjetë muaj më vonë, këto kompani jo vetëm që janë rikuperuar, por kanë vazhduar rritjen. Nvidia u bë kompania e parë në botë që arriti një vlerësim prej 5 trilionë dollarësh në tetor. Aksionet e Broadcom u rritën me 49% gjatë vitit 2025, ndërsa ato të ASML u rritën me 36%.

“Janari, me lançimin e DeepSeek R1, solli një ripricim të gjerë dhe shumë të dukshëm, sepse ndryshoi bindjet globale mbi kostot e modeleve më të avancuara dhe konkurrueshmërinë e Kinës. Dhe e bëri këtë duke goditur drejtpërdrejt narrativën e gjysmëpërçuesve dhe kompanive ‘hyperscaler’,” – u shpreh për CNBC Haritha Khandabattu, drejtoreshë analiste në Gartner. Që atëherë, DeepSeek ka publikuar shtatë përditësime të reja të modeleve të saj. Asnjëri prej tyre nuk ka shkaktuar reagimin dramatik të janarit. Pse?

Faktori i “shokut”

E themeluar në vitin 2023, DeepSeek publikoi në fund të vitit 2024 një model të madh gjuhësor (LLM), falas dhe open-source, të quajtur V3, për të cilin kompania pretendonte se ishte trajnuar me çipa më pak të fuqishëm dhe me një kosto shumë më të ulët krahasuar me modelet e OpenAI apo Google. Vetëm disa javë më pas, në janar 2025, DeepSeek prezantoi modelin e arsyetimit R1, i cili arriti rezultate të ngjashme, ose në disa raste më të mira, se modelet më të avancuara në botë. “Ky lançim i janarit i befasoi vërtet tregjet,” – tha për CNBC Alex Platt, analist i lartë në firmën e investimeve D.A. Davidson. “Narrativa atëherë ishte se Kina ishte 9 deri në 12 muaj pas SHBA-së.”

Premtimi për një model që arrinte të njëjtat rezultate me shumë më pak fuqi llogaritëse ngriti shqetësime se kërkesa për infrastrukturë AI do të binte dhe se të ardhurat e kompanive si Nvidia do të goditeshin, sipas Brian Colello, analist i Morningstar. “Por në vend të kësaj, nuk pamë asnjë ngadalësim të shpenzimeve gjatë vitit 2025. Përkundrazi, për vitin 2026 dhe më tej, presim një përshpejtim të tyre.” Një tjetër arsye lidhet me natyrën e lançimeve të DeepSeek pas janarit: të gjitha kanë qenë përditësime të modeleve V3 dhe R1, jo modele krejtësisht të reja. Sipas Khandabattu, këto përmirësime janë “hap pas hapi të besueshme” në eficiencë dhe aftësi, por tregu i ka parë si një vazhdimësi dhe konsolidim, jo si një “valë e re shokuese”.

Lexo edhe: Paga reale mesatare sot vlen 140 euro më pak se në 2020-ën

Kufizimet e fuqisë llogaritëse

Një nga arsyet kryesore pse DeepSeek nuk ka publikuar ende një model tërësisht të ri lidhet me mungesën e fuqisë llogaritëse (compute), thonë analistët.  “Fuqia llogaritëse ka qenë një pengesë e madhe,” – shprehet Platt. “Mund të bësh vetëm kaq shumë kërkime algoritmike dhe të gjesh vetëm një numër të kufizuar zgjidhjesh arkitekturore.” Sipas Financial Times, DeepSeek ka vonuar publikimin e modelit R2 – i planifikuar fillimisht për maj, për shkak të vështirësive në trajnimin e tij me çipa të prodhuar nga Huawei. Autoritetet kineze e kanë inkurajuar kompaninë të përdorë procesorë vendas, për të reduktuar varësinë nga teknologjitë amerikane, sidomos në kushtet e kufizimeve të eksportit të çipeve më të avancuara të Nvidia-s. “Kina ka qenë e kufizuar në aksesin ndaj fuqisë llogaritëse gjatë viteve të fundit, kryesisht për shkak të kufizimeve amerikane në shitjen e çipeve,” – tha për CNBC Chris Miller, autor i librit Chip War. “Nëse do të ndërtosh modele vërtet të avancuara, të duhet akses në fuqi llogaritëse të avancuar.” Vetë DeepSeek pranon në një punim kërkimor të publikuar së fundmi se ka “kufizime të caktuara krahasuar me modelet më të avancuara closed-source”, si për shembull Gemini 3, veçanërisht në aspektin e burimeve të llogaritjes.

Siguri për vazhdimësinë e dominimit amerikan

Tregjet janë qetësuar gjithashtu nga lançimet e reja të modeleve shumë të avancuara nga laboratorët perëndimorë. Në gusht, OpenAI prezantoi GPT-5, Anthropic lançoi Claude Opus 4.5, ndërsa Google publikoi Gemini 3 në nëntor. “Konkurrenca mes këtyre ofruesve është jashtëzakonisht intensive, me lançime të shpeshta dhe përmirësime graduale të aftësive,” – tha për CNBC analisti i Gartner, Arun Chandrasekaran. “Si rezultat, frika për një ‘shok komoditizimi’ të papritur është zbutur.” Megjithatë, ka sinjale se DeepSeek po përgatitet për një lançim më të rëndësishëm në muajt në vijim. Në natën e ndërrimit të viteve, kompania publikoi një punim që përshkruan një mënyrë më efikase për zhvillimin e modeleve të AI. Sipas Dan Ives nga Wedbush Securities, tregjet do të përballen sërish me momente të ngjashme. “Disa nga këto tronditje që kemi parë do të vazhdojnë edhe vitin tjetër,” – u shpreh ai për CNBC. “Do të ketë një tjetër DeepSeek.”

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0