Dasma Bezos-Sanchez në Venecia mblodhi disa nga njerëzit më të pasur në botë - Business Magazine Albania

Dasma Bezos-Sanchez në Venecia mblodhi disa nga njerëzit më të pasur në botë

Dasma Bezos-Sanchez në Venecia mblodhi disa nga njerëzit më të pasur në botë

Një vërshim pasurie ka zbritur në qytetin e kanaleve, Venecia, në ditët e fundit, ku u organizua dasma luksoze e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.

Shkëlqimi dhe luksit nuk munguan aspak, ndërsa të ftuarit e famshëm mbërritën me avionë privatë, helikopterë dhe jahte, për t’u transportuar më pas me taksi uji drejt vendit të ceremonisë. Vlerësimi i pasurisë së kombinuar të listës së ftuarve do të ishte një ushtrim i lodhshëm, por shifra e përgjithshme besohet të jetë rreth 435 miliardë dollarë. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie i përket dhëndrit. Bezos, themeluesi i Amazon dhe njeriu i tretë më i pasur në botë, vlerësohet të ketë një pasuri prej rreth 244 miliardë dollarësh, sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg. Në mesin e të ftuarve ishte edhe bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, i cili renditet i pesti në listën e Bloomberg me një pasuri prej 178 miliardë dollarësh. Dy njerëzit më të pasur në botë mungonin në dasmë: CEO i Tesla-s, Elon Musk (367 miliardë dollarë), dhe themeluesi i Meta-s, Mark Zuckerberg (258 miliardë dollarë). Gates mbetet i vetmi i ftuar i konfirmuar që përfshihet në listën e 500 më të pasurve të Bloomberg. Pas Bezos dhe Gates, ndër të pranishmit ishin edhe figura të njohura nga bota e medias, si Barry Diller dhe Oprah Winfrey, të cilët kanë rënë nga lista e miliarderëve të Bloomberg. Diller, sipas Bloomberg, ka një pasuri prej gati 6 miliardë dollarësh, ndërsa Winfrey vlerësohet aktualisht me një pasuri mbi 3 miliardë dollarë, në rënie nga viti 2018 kur renditej me 4 miliardë dollarë.

Lexo edhe:Warren Buffett dhuron 6 miliardë dollarë në aksione të Berkshire

Të ftuar me xhepa të thellë

Në mesin e rreth 200 të ftuarve të konfirmuar, ndonëse asnjëri nuk e arrin pasurinë e Bezos, Gates, Diller apo Winfrey, pasuria mbetet e bollshme. Lista e ftuarve përfshinte drejtues të teknologjisë, yje popi, personalitete mediatike, aktorë dhe sportistë të njohur. Sam Altman, CEO i OpenAI, ishte mes të ftuarve në Venecia. Ai vlerësohej me një pasuri prej të paktën 2 miliardë dollarësh në mars 2024, sipas Bloomberg, një shifër që nuk përfshinte pjesën e tij në OpenAI, kompania që në prill mbylli një raund financimi prej 40 miliardë dollarësh, duke arritur një vlerësim total prej 300 miliardë dollarësh. Po ashtu, e pranishme ishte edhe Kim Kardashian, me një pasuri prej 1.7 miliardë dollarësh sipas Forbes. Së bashku me të ndodheshin në Venecia edhe motrat Khloe Kardashian, Kendall dhe Kylie Jenner, si dhe nëna e tyre Kris Jenner. Kompania e saj e veshjeve të brendshme, Skims, vlerësohej në 4 miliardë dollarë që prej korrikut 2023, dhe është një ndër burimet kryesore të pasurisë së saj. Kylie Jenner u bë miliardere në vitin 2019 falë suksesit të kompanisë së saj të kozmetikës, Kylie Cosmetics. Jared Kushner dhe Ivanka Trump ishin gjithashtu të pranishëm. Kushner, ish-këshilltar i lartë në administratën e Donald Trump, themeloi kompaninë e investimeve Affinity Partners në 2021, e cila menaxhonte 4.8 miliardë dollarë në asete në vitin 2024, sipas një dosjeje rregullatore. Forbes e vlerësonte pasurinë e tij me të paktën 900 milionë dollarë në nëntor të kaluar. Ndër të ftuarit ishin gjithashtu edhe figura të tjera me pasuri të konsiderueshme, përfshirë ish-quarterback-un e NFL dhe komentatorin aktual Tom Brady (512 milionë dollarë), aktorin Leonardo DiCaprio (i paguar 41 milionë dollarë në vitin 2023 sipas Forbes) dhe këngëtarin R&B Usher, i cili performoi në shfaqjen e Super Bowl 2024. Të pranishëm në event ishin gjithashtu gazetarja e CBS, Gayle King, aktori Orlando Bloom dhe aktorja Sydney Sweeney.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0