Inteligjenca Artificiale, ky togfjalësh që po formëson të tashmen dhe të ardhmen, është bërë pjesë e çdo bisede në çdo tavolinë. Sakaq, komunitetet teknologjike janë ato që luajnë një rol kyç në edukim, inovacion dhe bashkëpunim. Shqipëria vazhdon të jetë një alternativë e mirë që nxjerrë nisma të spikatura, një prej tyre është DAIT – Data and AI Tirana, një komunitet që ka fituar terren duke sjellë bashkë ekspertë, studentë dhe entuziastë të teknologjisë.
Por si funksionon ky komunitet? Çfarë e diferencon nga të tjerët? Dhe si mund të bëhet dikush pjesë e tij? Të gjitha përgjigjet i merrni në intervistën e mëposhtme.
Cila ishte ideja fillestare pas DAIT dhe çfarë boshllëku në ekosistemin e AI synon të plotësojë ky komunitet?
Ideja fillestare pas DAIT, Data and AI Tirana (si mali – dhe pse simboli nuk është ndonjëherë aq i qartë sa mendojmë ne) ishte të krijohej një entitet në formën e takimeve teknologjike mujore, duke mbledhur njerëz me nivele të ndryshme interesi dhe ekspertize në fushat e AI dhe të të dhënave. DAIT u nis nga Bujar Bakiu CEO i Data Max në 2022 dhe pas dy vitesh vazhdimësise, që zakonisht është e vështirë të arrihet në këto formate, të cilat operojnë sporadikisht, në verën e 2024 u bashkua dhe Silva Bashllari, studente masteri në Data Science tek Politekniku i Torinos si dhe organizatore e shumë eventeve të Grave në Teknologji, si bashkë-menaxhere. Kështu DAIT u transformua përtej takimeve mujore duke u shtrirë dhe në sferat edukative dhe ndërdisiplinore. Gjithashtu, në vitin e fundit, janë bashkuar po ashtu: Ergita Rroshi, studente e Data Science tek Universiteti New York, Tiranë; Edis Hasaj, student i Inteligjencës Artificiale në ELTE, Hungari dhe Assistant Researcher tek National Laboratory for Digital Heritage atje; si dhe së fundmi Aldo Ziflaj, Technical Lead dhe lektor në inxhinieri softueri.
Si do ta përshkruanit kulturën e brendshme të DAIT, çfarë e diferencon atë nga komunitetet e tjera teknologjike?
Kultura e DAIT përqendrohet në krijimin e një hapësire lirë dhe bashkëpunuese për zhvilluesit dhe entuziastët e AI dhe të të dhënave. Fokusimi në diskutime ndërdisiplinore, trajnime dhe mentorim e diferencon nga komunitetet e tjera. Për më tepër, ideja kryesore është që njerëzit të njihen me shkolla të ndryshme mendimi dhe qasje të ndryshme.
Cilat janë disa histori suksesi nga anëtarët e komunitetit që kanë përfituar nga DAIT?
DAIT ka organizuar panele në festivale, seri online për data scientists dhe engineers, si dhe workshop-e në universitete lokale, duke krijuar mundësi për anëtarët të zhvillojnë aftësi dhe të lidhin kontakte profesionale. Gjithashtu, DAIT ka krijuar serinë e parë online falas në shqip mbi rrugëtimin që duhet të ndjekë dikush për tu bërë një “data scientist” (dhe me disa koncepte nga “data engineering”). Ideja kryesore e serisë nuk është që të shpjegojë në detaje cdo koncept, pasi kjo do të ishte e pamundur në 6 episode me nga 1 orë e gjysëm ose dy orë secili, por që t’u lejonte dëgjuesve të krijonin një ide për rrugëtimin që do të duhet të ndiqnin për të hyrë në këtë fushë. Seria mund të gjendet dhe në YouTube këtu: https://www.youtube.com/@DAITMeetup
Lexo gjithashtu: AGC dhe bashkëpunimet rajonale, si po e ndihmon Albanian Gaming Community zhvillimin e lojërave?
Si arrihet balanca midis fillestarëve dhe ekspertëve brenda DAIT, duke siguruar që të dyja palët të marrin vlerë?
Ky është një prej problemeve kryesore në fakt. Ka një diskrepancë shumë të madhe të aftësive mes njerëzve në fushën ende-në-ndërtim të të dhënave dhe inteligjencës artificiale. Në fakt, mes ekspertëve, diskutohen shpesh qëllimet e këtyre fushave dhe ende janë të papërcaktuara mirë, pra të pa standartizuara. DAIT përpiqet të arrijë balancën përmes programeve të mentorimit dhe aktiviteteve të diferencuara si trajnimet praktike dhe bisedat informale, ku pjesëmarrësit me përvoja të ndryshme mund të mësojnë nga njëri-tjetri.
Si matni suksesin e iniciativave dhe projekteve tuaja? A keni ndonjë statistikë apo tregues konkret të impaktit?
Suksesi matet përmes numrit të aktiviteteve të organizuara, një ideje vazhdimësie, si dhe pjesëmarrjes dhe interesit të komunitetit. Për shembull, deri tani kemi organizuar 26 meetups, 5 episode online nga seria edukative, kemi marrë pjesë në dy panele për komunitetin dhe AI, 3 bashkëpunime me universitete dhe kompani lokale në formate workshops dhe/ose datathons, si dhe po organizojmë një program mentorshipi për gratë në fushën e teknologjisë.
Lexo gjithashtu: DuaCrypto, promovimi i pavarësisë financiare përmes kriptomonedhave dhe blockchain
Si mund të bëhet dikush pjesë e DAIT dhe çfarë angazhimi pritet nga anëtarët?
Pjesëmarrja është e hapur për të gjithë të interesuarit për AI dhe fushën e të dhënave. Anëtarët pritet të marrin pjesë në takime, workshop-e dhe aktivitete të tjera, duke kontribuar me njohuritë dhe eksperiencat e tyre, gjithmonë në varësi të kohës dhe mundësisë. Eventet tona mund te gjenden:
https://www.linkedin.com/company/dait-meetup/
https://www.instagram.com/dait.community
A keni partneritete me kompani apo institucione akademike dhe si ndihmojnë ato në rritjen e komunitetit?
DAIT ka bashkëpunuar me disa universitete si: Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti New York i Tiranës, Universiteti Metropolitan për organizimin e workshop-eve dhe datathon-eve. Po ashtu, pjesë e datathons kanë qenë dhe kompani lokale si Raiffeisen Bank, Data Max dhe TeamSystem Tirana që u kanë mundësuar studentëve fitues internshipe dhe teza në kompani. Gjithashtu ne kemi bashkëpunuar me komunitete të tjera si: R-ladies, Albanian Trailblazers, Dua Space, Betaplan etj. Gjithashtu kemi qenë pjesë e paneleve të ndryshme të diskutimit si: FUTURE 2030 organizuar nga NEXUS Albania dhe ishim paneli i ekspertëve në AI në Tirana International Film Festival 2023.
Lexo gjithashtu: “Trailblazer Community Albania”, një komunitet që ndihmon pjesëmarrësit të rriten në botën e teknologjisë dhe inovacionit
Cila ka qenë sfida më e madhe me të cilën jeni përballur në ndërtimin e këtij komuniteti?
Sfida kryesore ka qenë sigurimi i një vazhdimësie dhe diversiteti të aktiviteteve për të mbajtur të angazhuar një audiencë të gjerë dhe me nivele të ndryshme ekspertize. Po ashtu, sfida ka qenë dhe në një nivel socio-kulturor, pasi njerë,m zit, sidomos të rinjtë , ndoshta janë disi skeptikë për organizimin në nivel komunitar por gjithashtu shohim dhe një dëshirë dhe një nevojë për të thelluar dijet dhe përtej mjediseve formale.
Cila është këshilla juaj për dikë që dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e AI në Shqipëri, por nuk e di nga t’ia nisë?
Këshilla për fillestarët është të marrin pjesë në takimet e DAIT, të përfshihen në workshop-e dhe programe mentorimi, dhe të ndjekin serinë online që ofrojn udhëzime konkrete për fillimin e një karriere në AI. Por përtej nesh, gjithmonë udhëzojmë që të diskutohet e bashkëpunohet sa më shumë, përtej mjediseve formale, pasi sidomos për fusha komplekse si AI, nuk është asnjëherë e thjeshtë që ta studiosh vetëm.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.