Nga Eni Muça- Prej më shumë se një dekade, Vera Mjeku është një zë i fuqishëm i komunitetit shqiptaro-amerikan në zemër të një prej qyteteve më të mëdha në botë – New York. E angazhuar në politikë, administratë publike dhe mentorim të grave, ajo ka qenë pjesë e një transformimi të rëndësishëm në përfaqësimin gjinor dhe promovimin e agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”. Në këtë intervistë, Vera ndan me ne rrugëtimin e saj, sfidat si grua emigrante, rolin e diasporës dhe vizionin për të ardhmen.
Ju keni ndërtuar një karrierë të gjatë në politikë dhe në Këshillin e Qytetit të New York-ut. Si nisi rrugëtimi juaj profesional dhe çfarë ju frymëzoi të angazhoheni në fushën e politikave publike?
Karriera ime disavjeçare në politikë dhe në shërbim publik për qytetin e New York-ut nisi me menaxhimin e fushatës zgjedhore për Asamblistin e Shtetit të New York-ut dhe Këshilltarin Bashkiak të qytetit, Mark Gjonaj. Ka qenë një rrugëtim interesant dhe një sfidë profesionale në fushata jo të zakonshme të një kandidati shqiptaro-amerikan që krijoi një model ndryshe dhe la gjurmë në politikën e New York-ut. Pas përfundimit me sukses të fushatave zgjedhore, kam qenë Shefe e Kabinetit në Këshillin Bashkiak dhe më pas Analiste Politikash, ndërsa aktualisht jam Drejtuese e Programeve Ligjore për qytetin e New York-ut.
Cilat kanë qenë disa nga sfidat më të mëdha që keni përballuar si një grua emigrante në fushata zgjedhore dhe në sistemin politik amerikan?
Në Shtetet e Bashkuara, dhe veçanërisht në New York, emigracioni përbën më shumë se një status – ai është një hallkë e rëndësishme e platformave qeverisëse në çdo nivel, pjesë e politikave publike dhe sociale, strategjive integruese, aset ekonomik, kulturor etj. Çështja e integrimit dhe përfaqësimit të grave në politikë është një problem që ekziston kudo, pavarësisht sistemit apo vendndodhjes. Ashtu si në shumë vende të botës, edhe në SHBA, politika është një fushë e dominuar nga burrat, dhe gratë përballen me stereotipe, pritshmëri më të larta nga shoqëria, barriera të ndryshme, mungesë aksesi në strukturat politike dhe faktin që përgjegjësitë familjare bien kryesisht mbi to.
Pavarësisht faktorëve dhe rrethanave, ne vetë vendosim si të hyjmë në profesionin që zgjedhim. Unë jam nga Tirana dhe kam rreth 30 vite që jetoj në New York. Që në fillim kam dashur të bëj diçka ndryshe. Kam studiuar marrëdhënie komunikimi në New York University, në një fushë që atëherë ishte relativisht e re edhe në SHBA. Para se të hyja në politikë, kam realizuar fushata publicitare për klientë dhe kompani të ndryshme, përfshirë edhe komunitetin shqiptaro-amerikan, si në fushatën “Albanian American Success Stories”. Në fushatat zgjedhore dhe në qeverisje kam pasur fatin të mësoj dhe të mentorohem nga një ekip profesionistësh të shkëlqyer: konsulentë politikë, specialistë komunikimi, analistë të të dhënave dhe ekspertë të tjerë të fushës.
Ju jeni aktive në bashkëpunimin me diasporën shqiptare. Si e shihni potencialin e saj për të ndikuar në zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës?
Me shumicën e shqiptarëve që jetojnë tashmë jashtë Shqipërisë dhe Kosovës, diaspora përbën padyshim një potencial të jashtëzakonshëm. Megjithatë, roli i saj mbetet ende i fragmentuar. Përveç remitancave dhe investimeve, potenciali profesional dhe intelektual i diasporës nuk është përfshirë në mënyrë të strukturuar në politikat ose programet e qeverive për të afruar dhe motivuar profesionistët që të kontribuojnë në zhvillimin e vendit – një qasje që është e njohur dhe e praktikuar nga shumë vende të tjera.
Jeni mentore për shumë vajza dhe gra në politikë. Çfarë këshille do t’i jepnit një vajze shqiptare që sot ëndërron të ndikojë në shoqëri apo politikë?
Jam krenare që prej rreth tre vitesh jam mentore për Gratë në Politikë, në nivelin lokal në Kosovë, përmes organizatës Germin dhe mbështetjes së National Endowment for Democracy. Gjatë këtij rrugëtimi kam takuar gra dhe vajza të përkushtuara që duan të hyjnë në këtë udhëtim jo të lehtë. Këshilla ime për to është të jenë të vendosura, të përgatitura për të hyrë në një botë të dominuar nga burrat, të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, të investojnë në profesionin dhe në vetveten. Siç ka thënë Shirley Chisholm, kongresistja e parë afrikano-amerikane në Kongresin Amerikan: “Nëse nuk gjeni një vend të lirë në tavolinë, përgatituni të vini me një karrige portative.” Në mënyrë figurative, tavolina përfaqëson fushën e politikës apo të qeverisjes të dominuar nga burrat, dhe karrigia portative simbolizon vendosmërinë për t’u përballur me këtë realitet dhe për të arritur sukses.
Duke punuar dhe jetuar në një nga qytetet më dinamike në botë, cili është ndryshimi që dëshironi të shihni më shumë te gjeneratat e reja të grave udhëheqëse?
Jam krenare që punoj për një nga administratat lokale më të mëdha në botë, me rreth 300,000 punonjës civilë dhe një buxhet prej 112 miliardë dollarësh, me një nga agjendat më progresive. Pas shumë përpjekjesh, në vitin 2021 ndodhi një revolucion në përfaqësimin e grave në nivel lokal, me zgjedhjen e 31 grave në Këshillin Bashkiak nga 51 vende të mundshme. Shumica e këtyre grave kryesojnë mbi 70% të komisioneve ose grupeve të punës. Bashkëpunimi dhe bashkërendimi ndërmjet tyre kanë bërë të mundur miratimin e paketave të ligjeve dhe politikave që kanë në fokus çështjet gjinore, si barazia në pagesë, shërbimet shëndetësore, arsimi, politikat familjare dhe ligjet për mbrojtjen nga dhuna në familje. Edhe pse jemi ende pakicë në politikë, duhet të jemi më të bashkuara. Suksesi i çdo gruaje duhet të jetë frymëzim për të tjerat.
Po të kishit mundësinë të sillnit një ndryshim të vetëm në Shqipëri përmes përvojës suaj në SHBA, cili do të ishte ai?
Nga përvoja ime, ndjeshmëria sociale, aktivizmi qytetar dhe puna për kauza janë koncepte që duhet të zhvillohen më tej në Shqipëri. Presidenti George Bush ka thënë: “Nuk ka përkufizim të një njeriu të suksesshëm pa përfshirë se çfarë ai mund të bëjë për të tjerët.” Në çdo shoqëri kemi detyrimin të kontribuojmë dhe të jemi të përfshirë në mënyrë të gjithanshme – jo vetëm në konceptin e të dhënit si akt humanitar, por edhe përmes përfshirjes në kauza ndërgjegjësimi, mentorimi e të tjera si këto.
Si e shihni veten dhe misionin tuaj në 5 vitet e ardhshme?
Do të vazhdoj të angazhohem në proceset e mentorimit të grave në politikë, si dhe në avancimin e programeve që kanë në fokus barazinë gjinore dhe zbatimin e Agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria”, përmes pjesëmarrjes në forume dhe konferenca të ndryshme. Ndër të tjera, jam kontribuuese dhe bashkëhartuese e Rezolutës 26 në Kongresin Amerikan për drejtësi në rastin e Vasfije Krasniqi Goodman, një e mbijetuar e krimeve të dhunës seksuale në Kosovë. Kjo rezolutë është mbështetur nga 16 kongresistë – demokratë dhe republikanë – dhe shpresojmë që së shpejti të prezantohet në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.