CoSolve-19 është një iniciativë e përbashkët e programeve dypalëshe te Bashkëpunimit gjermano-shqiptar për Zhvillim, përkatësisht: “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, promovimi i punësimit, edukimi dhe trajnimi profesional” (shkurtimisht: ProSEED) dhe Zhvillimi i qëndrueshëm rural (shkurtimisht: SRD).
Nëse zotëroni një sipërmarrje mikro, të vogël apo të mesme dhe përmbushni kushtet e përcaktuara, dorëzoni sa më shpejt aplikimin tuaj.
Thirrja do të jetë e hapur deri më 31 Mars.
CoSolve19 parashikon: Këshillim, përshtatje, grante për një të ardhme më të sigurt për biznesin tuaj.
Qëllimi i përgjithshëm është mbështetja e NMVM-ve të prekura rëndë nga pasojat e krizës së COVID-19 në Shqipëri, pikësëpari për të ruajtur punësimin dhe pse jo edhe për ta rritur atë. Në realizimin e kësaj iniciative, ProSEED dhe SRD synojnë të japin një kontribut të rëndësishëm për NMVM-të anë e mbanë Shqipërisë në sektorët e bujqësisë, turizmit, tregtisë me pakicë dhe prodhimit. Gjithashtu, NMVM-të do të forcohen në përdorimin e zgjidhjeve të reja digjitale dhe inovacionit, jo vetëm për të amortizuar krizën aktuale, por edhe për t’i përshtatur aktivitetet e tyre me qëllim adoptimin në situatën e re post Covid.
Këto qëllime do të arrihen duke u ofruar NMVM-ve këshillim dhe trajnime të përshtatura sipas nevojave të tyre individuale duke përfshirë informacion mbi mundësitë e financimit të ideve të tyre.
Shërbimet këshillimore janë qëllimi bazë i këtij instrumenti. Për të përmbushur pritshmëritë e NMVM-ve në lidhje me marrjen e informacionit gjithëpërfshirës dhe këshillimit të përshtatur sipas nevojave, instrumenti do të punojë ngushtësisht me NMVM-të në seancat e ndryshme të trajnimit. Pas një seance orientuese, NMVM-të do të marrin vlerësime profesionale dhe këshilla që të pasqyrojnë situatën e tyre specifike të biznesit, duke marrë në konsideratë të veçantë operacionet e biznesit si: marketingun, riorganizimin, inovacionin & teknologjinë, menaxhimin e cilësisë etj. Qëllimi i seancave këshillimore është të krijojnë ide për ndryshime dhe adoptim në situatën e re, si edhe të japin informacion rreth mundësive të financimit për nevojat e adresuara në kërkesat e bizneseve. Gjithashtu, shërbimet këshillimore duhet të sqarojnë se cilat nevoja financiare janë më të rëndësishme në situatën aktuale dhe t’u japin bizneseve një ide të përgjithshme se ku mund të gjejnë mbështetje financiare nëpërmjet skemave të ndryshme të donatorëve.
Lexo: Çfarë duhet të merrni në konsideratë në blerjen e një franshize
Procesi i këshillimit dhe trajnimit në thelb është i strukturuar në tre hapa:
Hapi 1 – do të rezultojë në planin individual të ndërhyrjes për çdo biznes.
Hapi 2 – do të zhvillohen trajnime specifike për ndryshimin/përshtatjen e planit individual të biznesit sipas planit të veprimit të hartuar në hapin e parë.
Hapi 3 – ka të bëje me vijimin e këshillimit/trajnimit në fazën e zbatimit të planit të ri në biznesin përkatës.
Të tre hapat do të zbatohen brenda një periudhe maksimale prej 4 muajsh në varësi të nevojave, disponueshmërisë dhe vendndodhjes së aplikantit.
Të gjitha NMVM-të që kanë marrë pjesë me sukses në seancat e trajnimit dhe ato këshillimore dhe që nuk kanë mundësi të aplikojnë në skema financiare të donatorëve të tjerë, kanë mundësinë të bëjnë kërkesë për grante të vogla nga ky instrument. Gjithsesi, NMVM-të duhet të jenë të ndërgjegjshme se ky instrument nuk mund të mbulojë të gjitha nevojat e tyre financiare.
Procesi i përzgjedhjes për grante do të bëhet nëpërmjet një thirrjeje tjetër në një fazë të mëvonshme. Përfituesit e granteve gjithashtu do të përfitojnë edhe trajnime të tjera shtesë në fazën e zbatimit të projekteve të tyre. Trajnime të tjera do të mund të ofrohen edhe për NMVM-të që nuk kanë kërkuar ndonjë mbështetje financiare, por që kanë nevojë për këshilla të vazhdueshme gjatë gjithë fazës së ndryshimit të tyre për tu adoptuar në situatën e re post Covid.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.