Një çip i ri i mundshëm nga gjiganti kinez i tregtisë elektronike Alibaba mund të ketë pasoja globale, në një kohë kur gara botërore për inteligjencën artificiale (AI) po përshpejtohet me ritme të frikshme. Sipas disa raportimeve mediatike, Alibaba është duke punuar për zhvillimin e një çipi të ri AI. Ky hap vjen pas vendimit të Shteteve të Bashkuara në prill për të ndaluar kompaninë amerikane Nvidia të shesë çipin e saj më të fuqishëm, Blackwell, në Kinë, duke argumentuar se masa ishte e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe ekonomike amerikane, në një kohë kur rivaliteti për dominimin në AI po rritet.
Muajin e kaluar, SHBA-ja duket se u tërhoq disi nga ky qëndrim, pasi Nvidia pranoi t’i paguante qeverisë amerikane 15 për qind të të ardhurave që gjeneron nga shitjet e çipave në Kinë. Megjithatë, shitja e Blackwell në tregun kinez mbetet ende pezull. Ajo që u lejuar ishte eksporti i një versioni të reduktuar, të njohur si H20, drejt Kinës.
Pavarësisht kësaj, në gusht autoritetet kineze u raportua se udhëzuan kompanitë vendase të ndalonin blerjen e çipave të Nvidia-s, duke përmendur shqetësime të sigurisë.
Çfarë dimë deri më tani për çipin e ri të Alibaba-s?
Alibaba nuk është e re në këtë fushë. Çipi i saj i fundit, Hanguang 800, u prezantua në vitin 2019. Kompania zotëron gjithashtu një njësi të dedikuar për dizajnimin e gjysmëpërçuesve, të quajtur T-head. Këtë vit, Alibaba deklaroi se do të investojë të paktën 380 miliardë juanë kinezë (rreth 45 miliardë euro) në zhvillimin e AI-së gjatë tre viteve të ardhshme.
Megjithatë, realiteti është se Nvidia mbetet furnizuesi më i madh dhe më i fuqishëm i çipave AI në botë, pas shumë vitesh investimesh e zhvillimesh. Kjo do të thotë se do të duhet kohë që kompani si Alibaba apo të tjera të arrijnë të konkurrojnë me ofertat më të fundit të saj.
Edhe kompani të tjera kineze si Huawei kanë zhvilluar çipat e tyre për AI, ndërkohë që startup-i Cambricon po përmendet shpesh si kandidati i ardhshëm për t’u bërë “kampioni” i ri i Kinës në këtë sektor. Gjithsesi, si Alibaba ashtu edhe ByteDance kanë pranuar më herët se zhvillimi i tyre në fushën e AI do të ishte i kufizuar pa çipat e Nvidia-s.
Sipas burimeve për CNBC, për momentin Alibaba do të vazhdojë të përdorë një kombinim të çipave të vet dhe atyre nga kompani të tjera, përfshirë Nvidia-n. Po ashtu, raportohet se çipi i ri nuk do të shitet drejtpërdrejt te klientët, por do të përdoret për t’u ofruar atyre qira mbi fuqinë llogaritëse të bazuar pjesërisht në këto çipa.
Lexo edhe: “Enciklopedia e re”, si do ta përdorin fëmijët inteligjencën artificiale në shkolla këtë vit
Xi kundër “mentalitetit të Luftës së Ftohtë”
Edhe pse shumë të dhëna rreth çipit të ri mbeten të panjohura, raportimet vijnë në një moment kur presidenti kinez Xi Jinping ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim në fushën e AI-së, duke refuzuar një qasje me “mentalitet të Luftës së Ftohtë” mbi këtë teknologji. Sipas CNBC, Xi i bëri këto komente të hënën, gjatë samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.
Ndërkohë, CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, deklaroi javën e kaluar se kompania e tij po diskuton me administratën Trump për një çip të ri të përshtatur për tregun kinez, si pasardhës i H20-s.
“Unë po ofroj një produkt të ri për Kinën për qendrat e të dhënave AI, një version pasues të H20,” tha Huang nga Tajvani. Por ai shtoi: “Ky vendim nuk është në dorën tonë. Ai i takon qeverisë amerikane. Ne jemi në dialog, por ende është herët për të thënë diçka të sigurt.”
Huang ka paralajmëruar gjithashtu se, nëse Nvidia nuk mund të shesë çipa në Kinë, hapësira e mbetur bosh do të mbushet nga kompani kineze.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto