Një raport i ri nga Education Law Center (ELC) hedh dritë mbi mënyrën se si shtetet amerikane financojnë arsimin publik, duke zbuluar dallime të mëdha jo vetëm në shumën e investimeve, por edhe në mënyrën se si shpërndahen fondet.
Studimi, me titull “Making the Grade 2025”, analizon të dhënat e vitit 2023 dhe vlerëson angazhimin e shteteve për arsimin përmes tre treguesve kryesorë: niveli i financimit, shpërndarja e fondeve dhe përpjekja ekonomike e shtetit.
Sa shpenzon një shtet për çdo nxënës?
Mesatarja kombëtare në SHBA është 17,853 dollarë për nxënës, por diferencat janë të thella.
Në krye të listës qëndron New York, me 29,440 dollarë për nxënës, i ndjekur nga Vermont, Washington D.C., New Jersey dhe Connecticut.
Në fund renditen shtete si Idaho, Florida, Oklahoma, Arizona dhe Utah, ku investimi për nxënës është dukshëm më i ulët.
Jo vetëm sa para, por ku shkojnë ato
Raporti thekson se shpërndarja e fondeve është po aq e rëndësishme sa shuma totale. Disa shtete, si Utah, ndonëse shpenzojnë pak në total, kompensojnë këtë mangësi duke investuar më shumë në zonat me varfëri të lartë. Në këto distrikte, financimi për nxënës është deri në 60% më i lartë.
Në kontrast, shtete si Connecticut, megjithëse ndër më të pasurat, shpenzojnë më pak për nxënësit në zonat më të varfra, duke thelluar pabarazitë.
Sa sakrifikon një shtet për arsimin?
Një tjetër tregues kyç është përqindja e Prodhimit të Brendshëm Bruto që i dedikohet arsimit.
Në këtë aspekt, Vermont kryeson listën, ndërsa Karolina e Veriut, Arizona dhe Florida renditen në fund.
Një alarm për drejtësi arsimore
Education Law Center thekson se 18 shtete në SHBA shpenzojnë më pak për nxënësit e varfër sesa për ata në zona më të pasura, duke vënë në pikëpyetje barazinë në arsim.
Raporti nënvizon se arsimimi cilësor nuk varet vetëm nga buxheti, por nga vullneti politik për ta shpërndarë atë në mënyrë të drejtë, sidomos për fëmijët më në nevojë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto