Cilat janë profesionet më të paguara në Europë? - Business Magazine Albania

Cilat janë profesionet më të paguara në Europë?

Cilat janë profesionet më të paguara në Europë?

Të ardhurat vjetore ndryshojnë ndjeshëm nga një sektor në tjetrin dhe nga një vend në tjetrin në Europë. Ndërsa disa profesione janë në zhdukje, të tjera po lindin nga nevojat e reja të tregut. Megjithatë, disa role,  si ato në kujdesin shëndetësor,  mbeten të domosdoshme dhe shumë të kërkuara.

Euronews Business, në bashkëpunim me platformën globale të punësimit Indeed, ka analizuar pozicionet më të paguara në katër vende kryesore evropiane: Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën dhe Holandën. Të dhënat i referohen periudhës maj 2024 – prill 2025 dhe japin një panoramë të qartë për të gjithë ata që kërkojnë të ndërtojnë një karrierë të suksesshme dhe fitimprurëse në Europë.

1. Profesionet mjekësore dhe dentare dominojnë renditjet

Konsulentë mjekësorë, radiologë, drejtorë mjekësorë, ortodontë dhe dentistë janë në krye të listës së profesioneve më të paguara në të katër vendet e analizuara. Në Mbretërinë e Bashkuar, gati gjysma e pozicioneve në listën e 20 më të paguarave i përkasin këtij sektori. Në Francë, tre nga katër pozicionet më të paguara janë gjithashtu në fushën e stomatologjisë dhe kujdesit shëndetësor.

2. Pozicionet drejtuese dhe menaxheriale vazhdojnë të shpërblehen lart

Tituj si drejtor i përgjithshëm, drejtor strategjie, drejtor projekti apo drejtor teknologjie kanë paga të konsiderueshme në vende të ndryshme. Këto role gjenden në sektorë si shitjet, bankat dhe financat, teknologjia dhe menaxhimi i përgjithshëm. Roli udhëheqës shpërblehet gjerësisht në të gjitha industrinë.

Lexo edhe:Macron: Franca po shqyrton ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

3. Profesionistët e teknologjisë dhe IT-së përfitojnë paga konkurruese

Profesionet në zhvillimin e softuerit, dizajnin e informacionit dhe operacionet IT – si inxhinier softueri, inxhinier të dhënash apo konsulent SAP – janë ndër më të paguarat, veçanërisht në Gjermani dhe Holandë.

4. Shitjet dhe zhvillimi i biznesit ofrojnë paketa atraktive

Edhe pse rolet fillestare në shitje nuk kanë paga të larta, pozicionet e nivelit të lartë si drejtor shitjesh, drejtues i zhvillimit të biznesit apo menaxher i llogarive kryesore sjellin të ardhura të mëdha, sidomos në Gjermani dhe Holandë. Përvoja dhe performanca shpesh shpërblehen me bonuse dhe komisione të ndjeshme.

5. Ligji, tatimet dhe financat janë sektorë fitimprurës

Drejtorët e tatimeve, avokatët e punës dhe kontrollorët financiarë janë ndër profesionet më të paguara, sidomos në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Këto role kërkojnë ekspertizë të thelluar në legjislacionin rregullator dhe sistemet financiare.

Si të mbeteni konkurrues në tregun e punës?

Ndërsa teknologjia përparon me ritme të shpejta, aftësitë profesionale duhet të evoluojnë paralelisht. “Suksesi në një treg pune që ndryshon vazhdimisht kërkon mësim të përhershëm,” thotë Pawel Adrjan, Drejtor i Kërkimeve Ekonomike në Indeed, për Euronews Business. “Ashtu si me inovacionet e mëparshme teknologjike, profesionistët që mësojnë vazhdimisht mjete, platforma dhe metoda të reja do të jenë më të përgatitur për të bashkëpunuar me teknologjitë e reja dhe për të qëndruar konkurrues.” Në një treg evropian gjithnjë e më të ndërlidhur dhe të orientuar nga teknologjia, zgjedhja e një karriere që kombinon pasionin me potencialin financiar është më e rëndësishme se kurrë. Ndërsa paga mund të mos jetë gjithmonë motivimi kryesor, njohja e sektorëve më të shpërblyer është një gur themeli për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme dhe të suksesshme profesionale.

euronews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0