Çfarë është suksesi? - Business Magazine Albania

Çfarë është suksesi?


Kuptimi i vërtetë i suksesit për secilin prej nesh është i ndryshëm dhe kjo thjesht për faktin se çfarë kërkojmë nga jeta. Dikush kërkon pasurinë, dikush një marrëdhënie të shëndetshme, dikush humbjen e kileve të tepërta, dikush udhëtim rreth botës, dikush të shkojë në Hënë, dikush të jetë nënë dhe shtëpiake e denjë, dikush të ketë karrierë të suksesshme, dikush të kërkojë prindërit, të cilët e kanë lënë në shtëpinë e fëmijës, dikush t’i shërbejë komunitetit, dikush të bëhet prift, e të tjera.

Për mua kuptimi i vërtetë i suksesit është të qenit i sukseshëm në gjithë procesin e jetës dhe ky proces jete qoftë i gjatë apo i shkurtër mund të përfshijë disa nënprocese që të gjitha së bashku plotësojnë në kompleks procesin e jetës. Këto nënprocese në faza të ndryshme të jetës kanë qenë, janë dhe do të jenë të ndryshme pasi me evoluimin dhe zhvillimin tim personal gjithmonë kërkoj diçka të re, kërkoj ecjen në një shkallë më lart.

Për mua koncepti i suksesit është pak më i thjeshtë nga ai që mendon ndoshta shumica; është thjesht arritja e qetësisë së brendshme, arritja e paqes me veten dhe me të tjerët rrotull meje, pavarësisht veprimeve të tyre, arritja e një lumturie të brendshme që thjesht ndihet, por nuk mund të preket, arritja e një harmonie me veten: të gjitha këto janë suksese që nuk mund t’i prekësh apo t’i masësh, sidomos si i jashtëm, por thjesht i ndjen thellë brenda vetes, janë suksese që t’i shprehin sytë. Këto suksese janë ato suksese që nuk mund të t’i vjedhë askush, por edhe duhet punë e përditshme për të mos lejuar njeri t’i shkatërrojë. Por, pavarësisht asaj çfarë thashë më lartë, na duhet ta fillojmë diku, sidomos kur jemi në moshë të re dhe ende pa përvojat e duhura të jetës.

Më poshtë, duke u nisur nga librat dhe studimet e ndryshme, po jap tre hapa që ia vlejnë të përmenden se ndoshta do të ndihmojnë dikë në këtë rrugë drejt suksesit.

Hapi i parë: gjej atë profesion që e ke pasion dhe fillo ta ngresh çdo ditë nga pak. Fillo të studiosh apo punosh për të arritur perfeksionin tek ajo gjë që e bën me pasion. Nëse, punën që bën, nuk e bën me pasion, pavarësisht se diku tjetër mund të fitosh shumë më tepër, nuk mund ta quash veten të suksesshëm. Natyrisht shpesh duhet të bëjmë atë gjë që nuk na plotëson, pasi nevojat primare për mbijetesë janë më të forta se pasioni. Ndërkohë mund ta shfrytëzojmë si trampolinë drejt asaj çka duam të arrijmë. Nëse do të bëhesh mjek, nuk mjafton thjeshtë marrja e diplomës. Ky është patjetër hapi i parë, por do të duhet të ndjekësh rregullisht seminare mbi të rejat e fushës tënde, do të duhet të lexosh materiale të ndryshme, do të duhet të ndjekësh specializime të veçanta – gjithçka lidhur me fushën ku punon. Nëse do të jesh arkitekt do të duhet gjithmonë të ndjekësh të rejat e kësaj fushe, të kërkosh atë gjë që i mungon tregut dhe të ofrosh atë gjë që kërkon tregu.

Hapi i dytë, po kaq i rëndësishëm është që edhe brenda fushës ku je, të specializohesh në një drejtim të veçantë dhe puno vetëm në këtë fushë me qëllimin e vetëm për t’u bërë më i miri ndër të mirët vetëm në këtë disiplinë. Kërko të mësosh diçka që nuk e di asnjë tjetër në këtë fushë. Mbijetesa nuk do të thotë sukses, suksesi është kur motivet e tua për të arritur diçka janë më tej konceptit të mbijetesës.

Hapi i tretë, ndoshta edhe më i rëndësishmi, është që ajo punë që bën me pasion të mos të të shërbejë vetëm ty, le të mos jetë një dëshirë egoiste. Me këtë dëshirë duhet t’i japësh diçka edhe komunitetit ku jeton apo më gjerë – thjesht nga ideja jote të përfitojë edhe bota apo njerëzit rrotull teje.

Shpesh suksesin e masim me statusin që kemi arritur, me sa llogari bankare të majme kemi. Por, le të mos ngelet qëllimi kryesor i punës vetëm thjesht akumulimi i pasurisë, por arritja e një shkalle më tepër se thjeshtë pasuria; le të jetë lumturia dhe qetësia e brendshme, le të jetë jetesa pa frikën e së nesërmes, le të jetë gjetja e komunikimit brenda familjes, le të jetë shëndeti, le të jetë realizimi i disa ëndrrave fëminore, realizimi i hobeve, le të jetë jetesa në harmoni me natyrën me komunitetin, le të jetë kujdesi për ata që janë në nevojë, pasi janë këto arritje që na identifikojnë si njerëz.

Njerëzit më të lumtur janë ata që dinë të japin më të mirën e asaj pune që bëjnë, pasi kjo na plotëson në gjithë fushat e jetës. Ji më i miri në çdo gjë që prek, përço pozitivitet, komuniko, rrezato lumturi, bëje gjithçka me pasion dhe do gjesh pasionin dhe shumë më tepër se ai.

Qëllimi është arsyeja që nisim udhëtimin. Pasioni është zjarri që na ndriçon rrugën.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0