Nga Geron Kamberi* –Secili prej nesh ka dëgjuar për terma si Big Tech apo për kompani të mëdha si Apple, Facebook, Google dhe Yahoo. Të gjitha këto emra lidhen me një vend të vetëm: Silicon Valley, pranë San Francisco në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por çfarë përfaqëson në të vërtetë ky emër, ku kanë lindur dhe ku kanë selinë shumë kompani të teknologjisë së informacionit? Prej vitesh tashmë, jeta dhe puna jonë varen nga këto kompani. Për disa prej tyre, për shkak të varësisë që kemi krijuar nga teknologjia, ndodhemi shpesh mes një ndjenje bekimi dhe një lloj shqetësimi të heshtur.
Më poshtë paraqitet një përmbledhje interesante për këtë vend unik në botë.
Çfarë do të thotë emri Silicon Valley
Silicon Valley është një term metaforik që përdoret për të emërtuar territorin e luginës së Santa Claras, në pjesën jugore të Gjirit të qytetit të San Franciskos, në pjesën veriore të shtetit të Kalifornisë, SHBA. Sot, emërtimi Silicon Valley (Lugina e Silikonit) është bërë mishërim i qendrës globale të inovacionit dhe teknologjisë së lartë.
Etimologjia e kësaj lugine lidhet me fjalën “silikon”, që i referohej fillimisht numrit të inovatorëve dhe prodhuesve në këtë luginë, të cilët ishin të specializuar në realizimin e tranzistorëve MOS (Metal Oxide Semiconductor) me bazë silikoni.
Popullarizimi i emrit Silicon Valley lidhet me gazetarin amerikan Don Hoefler (03.10.1922–15.04.1986), i cili e përdori atë për herë të parë në artikullin “Silicon Valley USA”, i botuar më 11 janar 1971 në gazetën javore të fushës së tregtisë Electronics News. Megjithatë, ky term filloi të përdorej gjerësisht nga vitet 1980, pasi u prezantua kompjuteri i parë IBM PC dhe shumë produkte të tjera të lidhura me tregun e paisjeve hardware dhe software në fushën e teknologjisë së informacionit.
Qyteti më i madh i kësaj lugine është San Jose (1,021,795 banorë), i cili konsiderohet njëkohësisht qyteti i tretë për nga madhësia në shtetin e Kalifornisë, së bashku me Los Anxhelosin (3,979,576 banorë) dhe San Diegon (1,423,851 banorë). Ai renditet gjithashtu si qyteti i dhjetë më i madh në SHBA, pas qyteteve:
-
New York (New York),
-
Los Anxhelos (Kaliforni),
-
Çikago (Illinois),
-
Huston (Texas),
-
Fenix (Arizona),
-
Filadelfia (Pensilvania),
-
San Antonio (Texas),
-
San Diego (Kaliforni),
-
Dallas (Texas).
Në zonën e Silicon Valley (Lugina e Silikonit) përfshihen edhe qytete të tjera përveç San Jose, si: Sunnyvale, Santa Clara, Redwood City, Mountain View, Palo Alto, Menlo Park dhe Cupertino.
Falë faktit se në qytetin San Jose ndodhet Silicon Valley, ku kanë selinë disa nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë së informacionit si Apple, Facebook, Google dhe Yahoo, qyteti renditet i treti në botë për GDP për frymë, pas qytetit të Zyrihut (Zvicër) dhe Oslos (Norvegji). Po ashtu, në këtë qytet ndodhet përqindja më e lartë e shtëpive në SHBA që vlejnë më shumë se 1 milion USD.
Zona e Silicon Valley është vendndodhja e shumë prej kompanive dhe korporatave më të mëdha në botë të teknologjisë së informacionit, përfshirë 30 biznese që janë pjesë e listës Fortune 1000, një listë me 1000 kompanitë me të ardhurat më të mëdha vjetore në SHBA. Gjithashtu aty ndodhen mijëra startup-e të krijuara në fusha të ndryshme të teknologjisë së lartë.
Në Silicon Valley investohet rreth një e treta e kapitalit sipërmarrës (venture capital), që nënkupton se individë shumë të pasur financojnë ide të reja biznesi nga të rinj me ide sipërmarrëse e inovatore. Kjo e ka ndihmuar atë të bëhet një qendër dhe ekosistem kryesor ku rriten e zhvillohen inovacione të teknologjisë së lartë.
Në zonën e Silicon Valley, mes shumë teknologjive të tjera, u zhvillua qarku i integruar me bazë silikon, mikroprocesori dhe mikrokompjuteri. Në këtë zonë janë të punësuar rreth një e katërta e ekspertëve amerikanë në fushën e teknologjisë së informacionit.
Lexo edhe: Çfarë është modeli i zhvillimit të Dubait
Sot, termi Silicon Valley (Lugina e Silikonit) përdoret për të karakterizuar të gjithë bizneset përgjatë Gjirit të San Franciskos, por veçanërisht të kontesë së Santa Claras dhe San Mateos, që i përkasin luginës së Santa Claras. Ky emërtim përdoret gjithashtu në SHBA si sinonim i sektorit të ekonomisë amerikane të teknologjisë së informacionit.
Përveç shumë godinave të kompanive me emër të madh, veçohet Universiteti Stanford, i vendosur në zonën e Stanfordit të kontesë Santa Clara, i themeluar në vitin 1885 nga çifti i industrialistëve amerikanë të hekurudhave Leland (09.03.1824–21.06.1893) dhe Jane Stanford (25.08.1828–28.02.1905), një universitet që ka nxjerrë 84 nobelistë.
Njëkohësisht, në qytetin e Cupertinos ndodhet edhe godina katërkatëshe në formë rrethi e Apple Park, selia e kompanisë Apple, themeluar nga Steve Jobs, ku punojnë rreth 12,000 punëtorë. Godina ka stil unik, me shumë ambiente të hapura dhe të gjelbëra, dhe pemë karakteristike të zonës.
Emërtimi Silicon Valley u bë gjithashtu një sinonim global për cilësinë e lartë të kërkimeve shkencore dhe krijimit të kompanive të teknologjisë së lartë, duke frymëzuar vende të ndryshme që të krijojnë struktura të ngjashme, parqe kërkimore dhe qendra teknologjike. Fama e kompanive dhe interesi në rritje për teknologjitë e informacionit e kanë shndërruar Silicon Valley edhe në një destinacion interesant turistik.
Përse dhe si lindi Silicon Valley si qendër e teknologjisë
Zona e Silicon Valley (Lugina e Silikonit) lindi si rezultat i ndërthurjes së disa faktorëve:
- Prania e kapaciteteve kërkimore të Universitetit Stanford (1885)
- Kapitali i bollshëm financiar (venture capital) nga individë dhe kompani të ndryshme për të mbështetur ide sipërmarrëse e inovatore
- Financimet e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes për kërkime të lidhura me nevojat e sektorit të mbrojtjes
Vizioni dhe drejtimi i stafit të Universitetit Stanford ishin vendimtarë për zhvillimin e hershëm të Silicon Valley. Një nga vendet simbolike që konsiderohet si vendlindja e Silicon Valley është garazhi i kompanisë Hewlett-Packard në Palo Alto, kontesa Santa Clara, Kaliforni.
Në vitin 1930, inxhinierët amerikanë William Hewlett (20.05.1913–12.01.2001) dhe David Packard (07.09.1912–26.03.1996) themeluan Hewlett-Packard Inc. në garazhin e Packard, me një investim fillestar prej 538 USD (ekuivalent me 10,000 USD sot). Produkti i tyre i parë ishte oscilatori audio, i cili iu shit studiove të Walt Disney.
Palo Alto është qytet i vendosur në këndin veriperëndimor të kontesë Santa Clara, pranë Gjirit të San Franciskos. Emri vjen nga spanishtja dhe do të thotë “shkop i gjatë”, për shkak të një peme të kuqërremtë që rritej në zonë, të cilën vendasit e quanin El Palo Alto. Qyteti u krijua nga industrialisti amerikan dhe ish-senatori Leland Stanford, kur ai themeloi Universitetin Stanford në vitin 1885, pas vdekjes së djalit të tij të vogël, Leland Stanford Jr., nga ethet e tifos.
Palo Alto ka pjesë të Universitetit Stanford dhe ndan kufijtë me qytetet East Palo Alto, Mountain View, Los Altos, Los Altos Hills, Stanford, Portola Valley dhe Menlo Park.
Plotësimi i nevojave të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA dhe ndikimi tek Silicon Valley
Zona e Gjirit të San Franciskos ka qenë prej kohësh një vend kryesor i kërkimeve shkencore në fushën e teknologjisë për interesat e Marinës Ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1909, shpikësi dhe nismëtari amerikan i transmetimeve në radio, Charles Herrold (16.11.1875–01.07.1948), instaloi në qytetin e San Jose stacionin e parë radiofonik në SHBA me programe të planifikuara rregullisht.
Më vonë atë vit, inxhinieri austro-amerikan Cyril Elwell (20.08.1884–18.08.1963), i diplomuar në Universitetin Stanford, bleu patentat për teknologjinë e transmetimit të radios me hark Poulsen dhe themeloi Korporatën Federale Telegrafike (Federal Telegraphic Corporation – FTC) në Palo Alto. Gjatë dekadës së ardhshme, FTC krijoi sistemin e parë global të komunikimit radiofonik dhe nënshkroi një kontratë me Marinën Ushtarake të SHBA në vitin 1912.
Në vitin 1933, qeveria amerikane ngriti Bazën Ajrore Sunnyvale (Air Base Sunnyvale), e cila shërbente si një Stacion Ajror Detar (Naval Air Station – NAS) për vendosjen e anijes ajrore USS Macon; ky stacion u quajt NAS Moffett Field. Si rrjedhojë, në këtë zonë hapën degët e tyre disa firma të teknologjisë së lartë për t’i shërbyer nevojave të Marinës Ushtarake të SHBA.
Kur Marina hoqi dorë nga ambiciet për aeroplanët dhe zhvendosi pjesën më të madhe të operacioneve në San Diego, Komiteti Kombëtar Këshillëdhënës për Aeronautikë (NACA), paraardhësi i NASA-s, mori një pjesë të territorit të Moffett Field për kërkime shkencore në aeronautikë. Shumë ndërmarrje fillestare qëndruan, dhe zona u mbush me firma të aeronautikës, si Lockheed Martin, që ishte punëdhënësi më i madh i Silicon Valley nga vitet 1950 deri në 1980.
Zona e Gjirit të San Franciskos ishte gjithashtu e parapëlqyer për radioamatorët, ku afro 10% e tyre në SHBA ishin të vendosur aty. Radioja amatore, e njohur si “Ham radio”, përdoret për të shkëmbyer mesazhe jo-tregtare, për eksperimente komunikimi pa kabllo, vetë-arsim, sporte radio, dhe komunikime emergjente. Termi “amator” nënkupton një person të autorizuar, i interesuar në praktikën e radios për qëllime personale, pa përfitime financiare. Ky dallim bëhet për të diferencuar radion amatore nga transmetimet komerciale, shërbimet e sigurisë publike dhe ato profesionale të aviacionit apo marinës.
Inxhinierët amerikanë William Eitel, Jack McCullough dhe Charles Litton, nismëtarë të prodhimit të tubave të vakumit në Gjirin e San Franciskos, morën pjesë në zhvillimin e radios me valë të shkurtra si amatorë. Frekuencat e larta VHF kërkonin tuba energjie cilësorë, më të mirë se ato të prodhuara nga RCA, Western Electric, General Electric dhe Westinghouse. Charles Litton (13.03.1904–12.11.1972), themelues i Litton Industries, zhvilloi teknikat e prodhimit që u përdorën për kontrata me ushtrinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu, kompania Eimac (Eitel-McCullough) prodhonte tuba për radarët dhe pajisjet radio të avionëve për ushtrinë amerikane.
Pas 4 tetorit 1957, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi satelitin Sputnik, SHBA u shqetësua për përparimin teknologjik të rivalit. Presidenti Eisenhower nënshkroi Aktin Kombëtar të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) dhe iu drejtua kompanisë Fairchild Semiconductor, themeluar në San Jose nga Sherman Fairchild dhe Arthur Rock, për prodhimin e tranzistorëve të parë. Projekti u financua nga qeveria dhe rezultoi i suksesshëm, duke ndikuar më pas në zhvillimet teknologjike për ushtrinë amerikane.
Në fillim të viteve 1960, J.C.R. Licklider (11.03.1915–26.06.1990), drejtori i parë i IPTO – Information Processing Techniques Office në DARPA, konceptoi një rrjet kompjuterik të hapur për qeveritë, institucionet, korporatat dhe individët. Më 23 prill 1963, Licklider hartoi një memorandum për Rrjetin Kompjuterik Intergalaktik (IGCN), koncept i ngjashëm me internetin e sotëm. Ai promovoi krijimin e departamenteve të shkencave kompjuterike në universitete të mëdha dhe në fund të viteve 1960, konceptoi versionin fillestar të internetit, ARPANET, që u zgjerua në vitet 1970.
Lexo edhe: Cili është kuptimi i gërmës “i” në produktet e Apple
Roli i Universitetit të Stanfordit në zhvillimin e Silicon Valley
Universiteti i Stanfordit, i vendosur në zonën e Stanfordit, kontesa Santa Clara, u themelua në vitin 1885 nga Leland (09.03.1824–21.06.1893) dhe Jane Stanford (25.08.1828–28.02.1905), pas vdekjes së djalit të tyre Leland Stanford Jr., dhe universiteti mban zyrtarisht emrin e tij. Fama e Stanfordit u rrit me shpejtësi në fushën e shkencave mjekësore, inxhinierike dhe informatike, dhe universiteti ka nxjerrë 84 nobelistë.
Roli i Stanfordit në krijimin e Silicon Valley u theksua nga profesori Frederick Terman (07.06.1900–19.12.1982), Dekan i Shkollës së Inxhinierisë, i cili inkurajoi fakultetin dhe të diplomuarit të krijonin kompanitë e tyre. Ai shpesh quhet “babai i Silicon Valley”.
Në vitin 1951, Terman propozoi dhënien me qira të tokave përreth universitetit si Park Industrial Stanford (SIP), më vonë Stanford Research Park (SRP), vetëm për kompani teknologjike. Qiramarrësi i parë ishte Varian Associates, themeluar nga ish-studentët Russell dhe Sigurd Varian, që prodhonte komponentë për radarë ushtarakë.
Terman gjithashtu ndihmoi në krijimin e kapitalit sipërmarrës (venture capital), ku individë të pasur financuan ide inovatore edhe në teknologjinë civile. Ish-studentë si Lee De Forest (shpikës i tubit Audion) dhe William Hewlett dhe David Packard kontribuan në kompanitë që më pas u bënë globalisht të njohura: Hewlett-Packard, Varian Associates, Eastman Kodak, General Electric, Lockheed Martin.
Në vitin 1956, William Shockley (13.02.1910–12.08.1990), bashkë-shpikës i tranzistorit të parë, u zhvendos nga New Jersey në Mountain View, California, ku krijoi Laboratorin Shockley për Gjysmëpërcjellësit. Puna e tij shërbeu si bazë për zhvillime të mëtejshme në elektronikë.
Gjatë viteve 1955–1985, kërkimi shkencor dhe zhvillimi i teknologjisë në Stanford u pasua nga tri valë inovacioni industrial, mbështetur nga korporata private si Bell Labs, Laboratori Shockley, Laboratori Fairchild dhe Xerox Parc. Në vitin 1969, Stanford Research Institute (SRI) administroi një nga katër elementët kryesorë të ARPANET, paraardhësi i internetit.
Kompania Hewlett-Packard, e krijuar në vitin 1938 nga David Packard dhe William Hewlett, u zhvendos në vitin 1953 tek ambientet e Parkut Industrial Stanford, ku zhvilloi teknologji që transformuan tregun e kompjuterave dhe printerave personalë. Të tjera kompani të hershme si Eastman Kodak, General Electric dhe Lockheed Martin u vendosën gjithashtu aty.
Në këtë mënyrë, Universiteti i Stanfordit u bë një nga shtysat kryesore të inovacionit dhe të lindjes së startup-eve që sot formojnë Silicon Valley.
Rëndësia e tranzistorëve në zhvillimin e Silicon Valley
Një nga arsyet kryesore që bëri të famshme zonën e Silicon Valley ishte zhvillimi i teknologjisë së tranzistorëve dhe gjysmëpërçuesve me bazë silikoni. Deri në fund të viteve 1950, germaniumi ishte materiali kryesor për prodhimin e gjysmëpërçuesve, por silikoni ofronte mundësi më të mira për prodhime masive për shkak të stabilitetit të sipërfaqes dhe performancës së përmirësuar.
Në vitin 1956, William Shockley themeloi Laboratorin Shockley për Gjysmëpërçuesit në Mountain View, Kaliforni, ku synonte të zhvillonte tranzistorë me silikoni. Mosmarrëveshjet brenda laboratorit çuan në largimin e tetë inxhinierëve, të cilët krijuan kompaninë Fairchild Semiconductor, ndërsa dy prej tyre, Robert Noyce dhe Gordon Moore, do të themelonin më vonë Intel. Në të njëjtën kohë, Mohamed Atalla dhe Daëon Kahng zhvilluan tranzistorin MOSFET, i cili mundësoi miniaturizimin dhe prodhimin në masë, duke shënuar fillimin e revolucionit të silikoni në elektronikë.
Tranzistorët MOS dhe çipet e integruar çuan në shpikjen e mikroprocesorit, si Intel 4004, duke transformuar mënyrën e prodhimit dhe përdorimit të kompjuterëve dhe pajisjeve elektronike. Këto zhvillime bënë bazën për lindjen e kompanive të hershme të Silicon Valley si Fairchild Semiconductor dhe Intel, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të rajonit.
Burimet njerëzore dhe roli i komuniteteve
Zhvillimi i Silicon Valley u mbështet fuqishëm nga burimet njerëzore të ardhura nga vende të ndryshme, sidomos pas miratimit të Aktit të Imigracionit dhe Natyralizimit në vitin 1965, që lejoi fluksin e specialistëve të huaj. Popullsia aziatiko-amerikane në kontenë e Santa Clara u rrit nga 43,000 në 1970 në 430,000 në vitin 2000.
Një rol të rëndësishëm luajti edhe Klubi i Kompjuterëve Homebrew, një grup informal i pasionantëve të elektronikës, ku Steve Wozniak dhe Steve Jobs u frymëzuan për krijimin e Apple I dhe Apple II. Laboratori Kombëtar SLAC i Stanfordit ofroi mbështetje kërkimore në fushat e fizikës, kimisë dhe biologjisë, duke ndihmuar zhvillimin e teknologjive të avancuara.
Gjithashtu, avokatët e specializuar në patentat kontribuan në mbrojtjen e pronës intelektuale, duke lehtësuar zgjerimin e industrisë së teknologjisë së lartë.
Roli i kapitalit sipërmarrës (Venture Capital)
Kapitali sipërmarrës luajti një rol vendimtar në zhvillimin e Silicon Valley, duke ofruar financime për ide teknologjike me risk të lartë. Rruga Sand Hill në Palo Alto, Menlo Park dhe Woodside u bë epiqendra e investimeve të këtyre kompanive, si Kleiner Perkins dhe Sequoia Capital.
Ky kapital mundësoi lindjen dhe rritjen e startup-eve të suksesshme, të cilat më pas u kthyen në kompanitë më të mëdha teknologjike në botë. Sot, Silicon Valley mban përqendrimin më të madh të kompanive të teknologjisë së lartë në SHBA, me pagat më të larta, numrin më të madh të milionerëve dhe miliarderëve për frymë, dhe merr rreth 41% të investimeve të sipërmarrjeve amerikane.
Në këtë mënyrë, Silicon Valley u zhvillua si një ekosistem unik ku teknologjia e avancuar, burimet njerëzore globale dhe kapitali sipërmarrës bashkëpunuan për të krijuar një qendër inovacioni me ndikim global.
Raportet gjinore në kompanitë e Silicon Valley
Pjesëmarrja e grave në pozicione drejtuesish në Silicon Valley ka qenë historikisht e ulët dhe vazhdon të jetë objekt debati. Një studim i Universitetit të Kalifornisë në Davis në 14 nëntor 2006 analizoi drejtimin e kompanive të mëdha në shtetin e Kalifornisë. Nga 103 kompanitë më të mëdha të vendosura në kontenë e Santa Claras, vetëm 8.8% kishin gra në rolet e CEO-ve – përqindja më e ulët në të gjithë Kaliforninë.
Pozicionet e larta drejtuese mbizotërohen nga meshkujt, si pasojë e mungesës së modelimit dhe inkurajimit për vajzat në fushat e shkencës dhe inxhinierisë. Emra si Bill Gates, Steve Jobs dhe Mark Zuckerberg reflektojnë këtë dominim historik mashkullor.
Në vitin 2014, kompanitë kryesore të teknologjisë, përfshirë Google, Yahoo!, Facebook dhe Apple, filluan të publikojnë raporte mbi diversitetin gjinor dhe racor në stafet e tyre. Përpjekjet për të përmirësuar barazinë gjinore përfshijnë pjesëmarrjen në konferencën vjetore Grace Hopper Celebration of Women in Computing, një ngjarje globale për gratë në informatikë, e emëruar sipas pionieres së programimit Grace Hopper dhe e organizuar nga Instituti Anita Borg për Gratë dhe Teknologjinë dhe Shoqata për Makinerinë Kompjuterike (ACM). Aktualisht, gratë përbëjnë 15.7% të bordeve drejtues në firmat e Silicon Valley.
Modeli i Silicon Valley dhe ndikimi global
Modeli i Silicon Valley, i nisur nga Stanford Technological Park dhe më pas Stanford Research Park, u bë shembulli për parqet shkencore dhe teknologjike në mbarë botën. Këto parqe ofrojnë infrastrukturë për inovacion, bashkëpunim mes universiteteve, kompanive private dhe qeverive, si dhe mundësi për komercializimin e teknologjisë.
Parqet shkencore fokusohen në teknologjinë e informacionit, farmaceutikë, shkenca dhe inxhinieri, dhe sigurojnë burime të përbashkëta për startup-et, inkubatorët e biznesit, energji dhe internet të pandërprerë, qendra telekomunikacioni, banka dhe kompani venture capital. Vetëm në SHBA ekzistojnë mbi 170 parqe shkencore, ndërsa në Bashkimin Evropian numri i tyre ka arritur rreth 366, që menaxhojnë 28 milion m² hapësira dhe strehojnë rreth 40,000 organizata biznesi me 750,000 të punësuar, kryesisht në fushën e teknologjisë dhe ICT.
Investimet në këto parqe kanë arritur në 12 miliardë euro në 10 vitet e fundit, me 3 miliardë euro të dedikuara për mbështetjen e inovacionit dhe zhvillimin e bizneseve vendase. Në këtë kontekst funksionon edhe Shoqata Ndërkombëtare e Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit (IASP), një rrjet global që promovon kulturën e inovacionit dhe konkurrencës bazuar tek njohuritë shkencore.
*Geron Kamberi është studiues i Asociuar për Politikat Europiane pranë Qendrës për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes (CSDG). Që nga viti 2007, ai është angazhuar si studiues i asociuar pranë disa think tanke shqiptare, të fokusuar në analizën e politikave publike dhe veçanërisht në çështjet e lidhura me integrimin europian.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto