Janë gjithsej 159 udhërrëfyes turistikë që dje u pajisën me çertifikatën dhe me bexhën zyrtare, të cilat do të jenë dokumentet zyrtare që do paraqesin këto guida për të ushtruar profesionin e tyre, të rregulluar tashmë në bazë të ligjit “Për Turizmin”.
Ministrja Milva Ekonomi, duke shprehur emocionin e saj për realizimin e këtij objektivi, tha se ky është një moment shumë i rëndësishëm dhe i shumëpritur për gjithë ata njerëz që kanë punuar pa u ndalur në këtë profesion, që deri tani ka qenë i parregulluar.
“Duke filluar nga ky moment, ju do të bëheni udhërrëfyes me një bexhe personale, të lëshuar nga një autoritet i cili ka dimensionin në lëshimin e kësaj çertifikate, që ia njeh ligji. Jo vetëm kaq, por ky autoritet ka menduar edhe për mënyrën se si ju do ngrini dijet tuaja profesionale në muajt në vijim”, u shpreh Ministrja Ekonomi.
Ajo u shpreh se numri i turistëve është në rritje, pasi vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan 15% më shumë turistë se në 2015 dhe kjo është meritë e të gjithë atyre që punojnë në industrinë mikpritëse përfshi dhe udhërrëfyesit. Ministrja falënderoi të gjithë udhërrëfyesit e parë të çertifikuar, për punën e tyre të deritanishme dhe për faktin që nuk hoqën dorë asnjëherë nga besimi se ky sektor duhej rregulluar. Ajo u uroi shumë suksese udhërrëfyesve zyrtarë të Shqipërisë në punën e tyre për ta prezantuar sa më bukur vendin tonë dhe për të tërhequr sa më shumë turistë në Shqipërinë tonë të bukur.
Burimi: Shkruar nga Gjergji Mima dhe publikuar në ata.gov.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto