Dario Amodei, CEO i kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic, ka lëshuar një paralajmërim të fortë mbi ndikimin që AI pritet të ketë në tregun e punës, duke theksuar se ajo mund të shkaktojë një tronditje “jashtëzakonisht të dhimbshme”, veçanërisht në punët e zyrës.
Amodei, i cili bashkëthemeloi Anthropic në vitin 2021 së bashku me motrën e tij Daniela Amodei dhe është një nga krijuesit e chatbot-it Claude, kishte deklaruar edhe më herët se AI mund të shkatërrojë deri në gjysmën e vendeve të punës në sektorët profesionalë. Këto deklarata kanë ndarë opinionin mes liderëve të teknologjisë dhe biznesit. Madje, CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, reagoi duke thënë me ironi se “AI është kaq e frikshme, saqë vetëm [Anthropic] duhet ta bëjë”.
Të hënën, Amodei publikoi një dokument prej rreth 20 mijë fjalësh, ku argumenton se rreziqet e AI nuk po merren seriozisht dhe paralajmëron për një “shok” në tregun e punës, më të madh se çdo revolucion teknologjik i mëparshëm. Në këtë dokument, ai rendit disa nga rreziqet kryesore të AI, përfshirë mundësinë që teknologjia të bëhet autonome dhe e paparashikueshme, përdorimin e saj nga aktorë keqdashës ose grupe terroriste për krijimin e armëve biologjike, si edhe rrezikun që disa shtete të ndërtojnë një “diktaturë totale globale” duke shfrytëzuar avantazhin e AI.
“Një fuqi pothuajse e paimagjinueshme po i jepet njerëzimit dhe është thellësisht e paqartë nëse sistemet tona sociale, politike dhe teknologjike kanë pjekurinë për ta menaxhuar,” shkruan Amodei.
Lexo edhe: Robotët Optimus të disponueshpëm për publikun deri më 2027
Tronditje afatshkurtër në tregun e punës
Sipas Amodei-t, ndryshe nga revolucionet e mëparshme teknologjike, ndikimi i AI do të jetë shumë më i shpejtë dhe më i gjerë, duke e bërë shumë të vështirë përshtatjen e punonjësve.
“Teknologjitë e reja gjithmonë kanë sjellë tronditje në tregun e punës, por në të kaluarën njerëzit janë rimëkëmbur sepse këto tronditje preknin vetëm një pjesë të kufizuar të aftësive njerëzore,” shpjegon ai. “AI, përkundrazi, mbulon një gamë shumë më të gjerë aftësish njohëse dhe po përparon me një shpejtësi shumë më të madhe.” Amodei paralajmëron se kjo do të sjellë një goditje të fortë afatshkurtër, pasi punonjësit nuk do të kenë kohë të mjaftueshme për t’u rikualifikuar apo për të kaluar në profesione të tjera.
AI, sipas tij, nuk po zëvendëson vetëm role të veçanta, por po vepron si një “zëvendësues i përgjithshëm i punës njerëzore”, duke prekur njëkohësisht sektorë si financa, konsulenca, ligji dhe teknologjia. Kjo e bën pothuajse të pamundur për punonjësit të “ndërrojnë korsi” drejt industrive të tjera. Përballë këtij realiteti, Amodei argumenton se do të nevojitet ndërhyrje shtetërore, përfshirë forma të taksimit progresiv që do të synojnë veçanërisht kompanitë e AI.
Debate dhe qëndrime të kundërta
Frika nga humbja e vendeve të punës për shkak të AI ka dominuar titujt gjatë vitit të fundit. Sipas të dhënave të firmës konsulente Challenger, Gray & Christmas, AI u përmend si shkak për rreth 55 mijë pushime nga puna në SHBA gjatë vitit 2025. Një studim i MIT zbuloi se AI tashmë është në gjendje të kryejë 11.7% të vendeve të punës në SHBA, duke kursyer deri në 1.2 trilion dollarë në paga në sektorë si financa, shëndetësia dhe shërbimet profesionale.
Ndërkohë, raporti Global Talent Trends 2026 i Mercer, bazuar në një sondazh me 12 mijë persona në mbarë botën, tregon se 40% e punonjësve kanë frikë se do të humbasin vendin e punës për shkak të AI, nga 28% që ishte kjo shifër në vitin 2024. Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me këtë perspektivë. Analistët e Deutsche Bank paralajmërojnë se në vitin 2026 do të ketë një fenomen të quajtur “AI redundancy washing”, ku kompanitë do të justifikojnë shkurtimet me AI, edhe pse arsyet reale mund të jenë të tjera.
Po ashtu, një raport i Yale University’s Budget Lab sugjeron se deri tani AI nuk ka shkaktuar humbje të mëdha vendesh pune, duke vënë në dukje se struktura e tregut të punës në SHBA nuk ka ndryshuar ndjeshëm që nga shpërthimi i interesit për AI në vitin 2022.
Nga ana tjetër, CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, shprehet më optimist, duke theksuar se AI do të krijojë shumë vende pune në sektorë si ndërtimi, energjia, instalimet elektrike dhe ndërtimi i fabrikave për çipa dhe teknologji AI, me paga që arrijnë shifra gjashtëshifrore.
Një qëndrim të ngjashëm ndan edhe CEO i JPMorgan, Jamie Dimon, i cili thekson se qeveritë duhet të ndërhyjnë në nivel lokal për të nxitur rikualifikimin e punonjësve dhe për të ofruar mbështetje financiare gjatë këtij tranzicioni.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto