Bukinist rekomandon 12 libra te ndaluar - Business Magazine Albania

Bukinist rekomandon 12 libra te ndaluar

Bukinist rekomandon 12 libra te ndaluar

Bukinist rekomandon 12 libra te ndaluar

Albert Gjoka

Mes listës së rekomandimeve, Leximtari ka përzgjedhur 12 libra të ndaluar në histori për shkaqe politike, morale dhe racore, të cilat kanë ndikuar në shoqërinë njerëzore.

Librat e ndaluar janë të gjithë librat e printuar; të zhanreve dhe kategorive të ndryshme, të cilat ndalohen të qarkullojnë tek lexuesit me ligj apo në mënyra të tjera. Kjo është një formë cenzure e motivuar për arsye politike, ligjore, fetare, morale dhe në disa raste edhe tregtare.Vende të ndryshme kanë libra të ndryshëm në listën e botimeve që nuk duhet të qarkullojnë.

Që kur ka nisur qarkullimi i librit, ka pasur fenomene të tilla, ku edhe tekstet e shenjta si Bibla apo Kurani kanë pasur pengesat e para dhe janë përfshirë në këto lista.

Sistemet diktatoriale përgjithësisht e përdorin praktikën e librave me kufizim ose ndalim receptimi, – gjithmonë për arsye ideologjike. Sistemi komunist ishte tejet i ashpër me libra që vinin në dyshim parimet e tyre ideologjike apo morale, dhe që binin ndesh me normat e realizmit socialist, si e vetmja metodë që lejohej për të shkruar letërsinë. Shqipëria ka qenë ndër vendet tipike që e ka aplikuar edhe me vendime në formë të shkruar listën e librave të ndaluar apo të kufizuar në qarkullim.

Në këtë artikull ne kemi përzgjedhur dy libra, ndonëse lista mund të ishte shumë më e gjatë në rastin e Shqipërisë: “Lahuta e Malcis” e Gjergj Fishtës, e cila që nga viti 1948 deri në vitin 1990 u ndalua të botohej dhe të qarkullonte në Shqipëri. Një tjetër roman është edhe “Përbindëshi” i Ismail Kadaresë. Mes veprave të këtij autori ka pasur edhe vepra të tjera që nuk janë lejuar të botoheshin ose edhe kanë pasur vështirësi receptimi në momente të caktuara, të tilla si “Qyteti pa reklama”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i fundit”, etj..

Shumë vende përdorin metoda të caktuara për bllokimin ose kufizimin e veprave të ndryshme. Pavarësisht qëndrimeve të institucioneve, vepra të tilla kanë ndihmuar në thyerjen e tabuve, në rritjen e dimensionit të lirisë së individit në shoqëri dhe në rritjen e demokracisë dhe të të drejtave të individit. Edhe në ditët tona vijon një fenomen i tillë ku institucione, organizata apo grupime shpallin libra të ndaluara.

Ne kemi përzgjedhur 12 libra të ndaluar, por ka edhe shumë romane të tjera, të vlerësuara tashmë si kryevepra të letërsisë botërore, si “Getsbi i madh” nga F. Scott Fitzgerald, “Fahrenheit 451” nga Ray Bradbury, “Më e mira e botëve” nga Aldous Huxley, “Aventurat e Hakelberri Finit” nga Mark Twain, “100 vjet vetmi” nga Gabriel García Márquez, “Gjuetari i balonave”, etj., të cilat kanë pasur pengesa në receptim dhe janë listuar nga Bukinist.al në listën e rekomandimeve tona “Librat e ndaluar”.

Lexo edhe:Çfarë është, “Biblioterapia”, procesi që qetëson mendjen?

Më poshtë gjeni veprat kryesore që ne kemi përzgjedhur si të ndaluara në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe dy tituj në Shqipëri:

1.Aventurat e Lizës në botën e çudirave (1865) nga Lewis Carrol

Mund të duket e çuditshme, por po; është e vërtetë që ky libër për fëmijë ka qenë në listën e librave të ndaluar dhe ka shkaktuar debate të ashpra, sidomos në SHBA. Ky libër i cili paraqet ëndrrën e një vajze për të ndjekur një lepur në një vrimë vetëm për të mos u përballur me një botë absurde në të cilën mbretëron logjika, gjen krijesa të ndryshme të të gjitha formave, ngjyrave dhe madhësive.

Ky libër është sulmuar dhe ndaluar në periudha të ndryshme dhe për disa arsye të tjera: Në vitin 1900, një shkollë amerikane e ndaloi librin nga plan-programi i saj, duke pretenduar se ai shprehte fjalë shpifëse dhe aludonte për fantazi seksuale, si dhe zvogëlonte, në sytë e fëmijëve, shtatin e figurave të caktuara të autoritetit.

Rreth tre dekada më vonë, në anën tjetër të botës, provinca Hunan në Kinë e ndaloi librin sepse guvernatori i provincës ishte i shqetësuar se pasojat e ngritjes së kafshëve në të njëjtin nivel si njerëzit mund të ishin katastrofike për një shoqërinë.

Dhe afërsisht një dekadë pas produksionit të animuar të Disney-t të vitit 1951, libri u prit përsëri me shqetësim – këtë herë nga komunitete prindërish në Amerikë. Ata besonin se ai, së bashku me filmin, inkurajonë kulturën e përdorimit të drogës me aludimet e saj “të hapura” për përdorimin halucinogjen të drogës. Edhe me paralajmërime të tilla nga sekte të ndryshme kulturore, vepra i ka qëndruar provës së kohës, si dhe është shijuar për kritikat e saj perceptuese dhe origjinale ndaj sistemeve të ndryshme dhe zhvillimeve sociale të kohës.

Ne kemi përzgjedhur në listën e rekomandimeve përkthimin e parë në shqip të kësaj vepre, të vitit 1944, bërë nga Hysejn Çela dhe Beqir Çela dhe të ribotuar vitet e fundit nga “Arka e Noes”.

2.“Uliksi” (1922) nga James Joyce

“Uliksi” i James Joyce-it ka kapërcyer shumë tabu që kur u botua rreth një shekull më parë. Por, përtej debateve të forta ai u prit me miratim nga bashkëkohësit modernistë të Joyce, duke përfshirë Ernest Hemingway, T.S. Eliot, dhe Ezra Pound, paçka se pati shumë kritika dhe përbuzje nga grupime të caktuara në Shtetet e Bashkuara. Kështu, ai është tregtuar në mënyrë të fshehtë për më shumë se një dekadë derisa u hoq ndalimi në vitin 1933. Në mënyrë të ngjashme, Mbretëria e Bashkuar e ndaloi romanin deri në mesin e viteve 1930 për seksualitetin e tij të dukshëm dhe përshkrimin grafik të funksioneve trupore.

Edhe pse disa mund ta shohin librin aktualisht si të turpshëm dhe të papërshtatshëm për lexim publik, universitetet në mbarë globin e vlerësojnë “Uliksin” për shfaqjen e shkathët të teknikës së rrjedhës së vetëdijes, si dhe strukturën e përpiktë narrative; që ndërthur tematika të ndryshme rreth sfidave të njeriut modern.

Libri ka ardhur në shqip përmes dy përkthimeve: atij të Idlir Azizit dhe botuar nga “Zenit” dhe nga Krenar Hajdëri dhe botuar nga “Fan Noli”.

3.“1984” (1949) nga George Orwell  Pasi diktatori sovjetik Josif Stalini bëri disa komente kritike rreth botimit të romanit “Ferma e kafshëve” – një fabul alegorike për Revolucionin Bolshevik Rus që përshkruan tradhtinë e Stalinit ndaj kauzës fillestare të revolucionit – në vitin 1945, George Orwell shkoi edhe më tej, për të prishur imazhin e tij, kur shkroi romanin distopik “1984” në vitin 1949. Stalini e shihte tekstin si një kritikë të padëshiruar për stilin e tij qeverisës, duke e shtyrë atë të shfaqte fuqinë e tij për ta ndaluar qarkullimin në Bashkimin Sovjetik, një ndalim që mbeti në fuqi deri në vitin 1988.

Romani i diskutueshëm tregon përndjekjen e një qytetari normal në përpjekjen e tij për t’i shpëtuar syrit të gjithëpranishëm të një qeverie distopike dhe trajtonte tema në lidhje me natyrën e nacionalizmit, shtypjes seksuale, censurës dhe privatësisë. Romani “1984” gjithashtu ngjalli polemika në vende të tjera përveç Rusisë. Grupe të ndryshme shoqërore në Shtetet e Bashkuara e denoncuan romanin dhe u përpoqën ta hiqnin atë nga libraritë.

Këto sulme ndaj romanit ishin disi kontradiktore në natyrë: disa pretendonin se ishte pro komunizmit, ndërsa të tjerë pretendonin se ishte antiqeveritar.

Megjithatë, sot romani i Orwellit lexohet nga shumë njerëz si teksti që ftillon raportet që ka individi me autoritetin dhe pafuqinë e tij për tu përballur me të, kur atij do t’i duhet të mbrojë të drejtat e tij.

Edhe në Shqipëri ky roman ka qenë i ndaluar. Pas viteve ’90, sidomos gjatë viteve të fundit janë bërë të paktën 4 shqipërime të këtij romani, nga përkthyes si Arben Kallamata, Çelo Hoxha, Sokol Çunga apo Klodian Briçi.

Lexo edhe:10 librat e zhvillimit personal për t’u lexuar gjatë verës

4.“Lolita” (1955) nga Vladimir Nabokov

Pasi shkroi romanin “Lolita”, autori hezitoi që ta hidhte në qarkullim, por pas këmbënguljes së bashkëshortes së tij dhe disa miqve, romani u publikua, duke u paraqitur si një roman pornografik në Francë në vitin 1955. Statusi i diskutueshëm i “Lolitës” nxiti suksesin e saj, duke e çuar atë në krye të listave të librave më të shitur në të gjithë botën. Megjithatë, temamatika e tij, ku shfaqen para lexuesve kujtimet e një intelektuali evropian, i cili dëshironte një vajzë 12-vjeçare, nxitën reagime nga autoritetet dhe u ndalua në dekadën e parë të botimit në Francë, Angli, Argjentinë, Zelandën e Re dhe Afrikën e Jugut si dhe në disa komunitete amerikane.

Një rishikim i romanit e konsideroi atë “pornografi të lartë” të stolisur. Ndonëse u kritikua ashpër dhe pati ndalesa në receptimin me lexuesit, romani i Nabokovit është lexuar gjerësisht dhe mori vlerësime nga studiuesit, të cilët bënë interpretime të shumta mbi psikologjinë e dashurisë.

Romani është botuar në shqip nga “Skanderbeg Books”.

5.“Unë e di pse këndon zogu në kafaz (1969) nga Maya Angelou

Një takim me shkrimtarin James Baldwin dhe karikaturistin Jules Feiffer frymëzoi Maya Angelou-n të shkruante romanin “Unë e di pse këndon zogu në kafaz” si një mënyrë për t’u marrë me vrasjen e mikut të saj Martin Luther King, Jr., dhe për të tërhequr vëmendjen tek sfida e saj personale në luftën kundër racizmit.

Romani sjell historinë e ardhjes së saj në moshë madhore në një komunitet të vogël rural në Jug të Amerikës gjatë viteve 1930 ku rrëfehen traumat seksuale dhe emocionale që përjetoi atje. Libri u bë menjëherë i njohur, fitoi një nominim për Çmimin Kombëtar të Librit dhe mbeti në listat e më të shiturve për dy vjet me radhë.

Pavarësisht rëndësisë së tij historike dhe kulturore, libri është sfiduar rregullisht, është hequr nga listat e leximit të shkollave dhe bibliotekat dhe është konsideruar i papërshtatshëm për lexuesit e rinj për shkak të përdorimit të gjuhës fyese dhe fokusit të tij te dhuna, seksualiteti dhe racizmi.

Sipas Shoqatës Amerikane të Bibliotekave, ai ka pësuar më shumë se 35 sfida publike ose ndalime që nga viti 1983, kur anëtarët e komitetit shtetëror të teksteve shkollore të Alabamas kërkuan refuzimin e librit, sepse ai përkrah “mllef dhe urrejtje ndaj njerëzve të bardhë dhe inkurajon sjellje devijante për shkak të referencave ndaj femrave lezbike, seksit paramartesor dhe sharjeve të rënda”.

Libri ka ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Pegi”, nën përkthimin e Parid Teferiçit.

6.“Syri më blu” (1970) nga Toni Morrison

Romani i nobelistes Nobel Toni Morrison, “Syri më blu” i vendos ngjarjet në vendlindjen e autores në Lorain, Ohio, në vitet 1940 – 41, ku tregon historinë e një vajze zezake adoleshente të viktimizuar, të quajtur Pecola Breedlove, e cila barazon bukurinë dhe pranimin shoqëror me bardhësinë dhe kështu dëshiron të ketë sy blu.

Megjithëse u shpërfill kryesisht pas botimit, romani tani konsiderohet një klasik amerikan dhe një tregim thelbësor i përvojës afro-amerikane pas Depresionit të Madh.

Është një vepër me thellësi të jashtëzakonshme emocionale, kulturore dhe historike, me pasazhe të pasura me aludime për historinë, median, letërsinë dhe fenë perëndimore që tregohen duke përdorur një strukturë unike dhe ndryshime të shpeshta në perspektivë. Megjithatë, që nga botimi i tij në vitin 1970, ka pasur dhe vazhdon të ketë përpjekje të shumta për ta ndaluar nga shkollat dhe bibliotekat për shkak të përshkrimeve të tij seksuale, dhunës, racizmit, incestit dhe ngacmimit të fëmijëve.

Përballë përpjekjeve të tilla ka patur qëndrime se “kjo lloj censure përjetëson injorancën dhe intolerancën, duke e lënë rininë tonë të papërgatitur për të trajtuar kompleksitetin e racizmit me të cilin do të përballen në mënyrë të pashmangshme në jetën e tyre” dhe se vepra e Morrison “është një pjesë kritike e trashëgimisë letrare të vendit tonë”.

Libri ka ardhur në shqip përmes botimeve “Dritan”.

Lexo edhe:5 libra që do t’ju mësojnë të merrni vendime më të zgjuara, sipas një lojtari (dhe sipërmarrësi) pokeri

7.“Vargjet satanike” (1988) nga Salman Rushdie

Pak autorë apo vepra janë përballur me kaq shumë urrejte sa Salman Ruzhdie dhe vepra e tij “Vargjet satanike”. Edhe pas më shumë se 30 vitesh si vepër e ndaluar sidomos në Lindjen e Mesme, autori u përball me një sulm të rrezikshëm, duke humbur shikimin në njërin sy si pasojë e goditjes me thika që i dha një fantatik pas fetvasë së dhë nga regjimi i Iranit.

“Vargjet satanike” tregon historinë e dy burrave me kulturën islame dhe (pa)aftësinë e tyre për t’u përballur me ndikimet perëndimore. Botimi i romanit frymëzoi urrejtje të plotë nga shumica e komuniteteve të besimit mysliman për trajtimin e supozuar blasfemues të një personazhi të modeluar sipas profetit Muhamed dhe të transkriptimit të Kur’anit.

Menjëherë pasi libri doli në qarkullim, në vitin 1989 Ayatollah Khomeini, lideri politik dhe fetar i Iranit, nxori një fetva që bënte thirrje për vrasjen e Rushdie, të redaktorëve dhe botuesve të tij.

Paraqitjet publike të Rushdie u kufizuan në mënyrë drastike më pas, dhe ai u detyrua të lëvizte shpesh nga vendbanimi në rezidencë, gjatë gjithë kohës i shoqëruar nga truproja. “Vargjet satanike” janë ndaluar në shumë vende me popullsi të madhe myslimane, duke përfshirë Indinë (vendlindja e Rushdie), Bangladeshin, Egjiptin, Iranin, Pakistanin dhe Afrikën e Jugut. Libri është botuar edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Dudaj”.

8.“Rojë në thekërishten time” (1951) nga J. D. Salinger

Ky roman është tipik i librave të ndaluar, sidomos në SHBA, pasi disa shkolla dhe biblioteka reaguan ashpër për mënyrën sesi trajtoheshin tema të tilla si rebelimi në adoleshencë dhe gjuha e qashtër.

Romani i J. D. Salinger u hoq nga shkollat, u sfidua nga prindërit dhe në përgjithësi u refuzua nga autoritetet arsimore, duke filluar më pak se dy dekada pas botimit të tij.

Në vitin 1982, bibliotekat e shkollave në Morris, Manitoba e hoqën librin sepse shkilte udhëzimet e distriktit me motivacionin se ka “gjuhë tepër vulgare, skena seksuale, gjëra që kanë të bëjnë me çështje morale, dhunën e tepruar dhe çdo gjë që ka të bëjë me okultizmin”. Madje, ai u etiketua si një “libër i ndyrë”. Debatet për këtë libër vijojnë edhe në ditët tona.

Me sa duket, 65 milionë lexues në mbi tridhjetë gjuhë mund të kenë të gabuar, duke e bërë pjesë të leximeve të tij! Ky libër është botuar edhe në gjuhën shqipe nga Omsca-1”.

9.“Të vrasësh zogun përqeshës” nga Harper Lee

Ky roman u përball me akuza dhe ndalime për shkak të eksplorimeve që i bën racizmit dhe padrejtësive racore në Amerikën e Jugut. Me këtë roman autorja fitoi çmimin “Pulitzer” në SHBA.

Romani vazhdon të shesë të paktën mbi një milionë kopje në vit dhe është përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës. Duke detajuar forcën e brendshme të avokat Atticus në mbrojtjen e një burri me ngjyrë – Tom Robinson – i cili po gjykohet për akuzën e rreme të përdhunimit të një gruaje të bardhë, libri diskuton tema të rëndësishme si paragjykimet racore. Libri është ndaluar disa herë në shkolla të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky roman ka ardhur në shqip nga shtëpia botuese “Omsca-1”,

10.“Zonja Bovari” (1857) nga Gustav Flaubert

Romani “Zonja Bovari” është botuar në vitin 1857 duke shkaktuar debate të ashpra për moralin e gruas dhe të familjes. Në procesin gjyqësor që u zhvillua për këtë vepër, avokati mbrojtës Ernest Pinard mbrojti autorin duke thënë: “ai na jep natyrën njerëzore me gjithë lakuriqësinë dhe vrazhdësinë e saj”.

Madame Bovary është një grua plot ëndrra – pa asnjë shpresë për të gjetur një realitet që do t’i përmbushë ato. Ajo martohet me një mjek provincial, përpiqet të gjejë dashurinë në të gjitha vendet e gabuara dhe përfundimisht sjell shkatërrimin e saj. Në fund ajo shpëton në të vetmen mënyrë që di.

Ky roman është një eksplorim i jetës së një gruaje që ëndërron shumë. Këtu tradhtia bashkëshortore dhe veprimet e tjera kanë qenë dhe mbeten të diskutueshme edhe në ditët tona.

Në gjuhën shqipe kanë ardhur disa variante, përfshirë edhe një variant ku është botuar edhe pjesa e procesin gjyqësor, hedhur në qarkullim nga “Ombra GVG”.

11.“Lahuta e Malcis” (1937) nga Gjergj Fishta

“Lahuta e Malcís” konsiderohet si kryevepra e Át Gjergj Fishtës të cilën autori filloi ta shkruante që nga vitit 1905. duke e përfunduar në vitin 1937. Epopeja “Lahuta e Malcís” përshkruan luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Ajo nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha.

Heronjtë e Lahutës janë të shumtë: Oso Kuka, Marash Uci, Dedë Gjo Luli, Tringa, Abdyl Frashëri, Ali Pashë Gucia, që funksionalisht në vepër janë të ngjashëm, se kanë veçantitë e heroizmit shqiptar. Vepra nis me trajtimin e një krahine, për t’u zgjeruar në tërësinë etnike shqiptare; nis me trajtimin e burrnisë së një ambienti për të arritur te koncepti i kombit.

Në këtë mënyrë “Lahuta e Malcís” bëhet vepër për himnizimin e përhershmërive shqiptare, apo projekt i idealitetit dhe i dëshirës shqiptare të Gjergj Fishtës, që nuk kufizohet në zona kohe as hapësire.

Këngët e Lahutës janë mësuar përmendësh dhe kënduar nga populli që kur ka nisur botimi i saj pjesë pjesë. Pas ardhjen në pushtet të komunistëve, vepra u ndalua, duke u hequr nga tekstet shkollore dhe universitare, duke filluar që nga viti 1945, ndonëse autori ishte ndarë nga jeta pak vite më parë. Por, njerëzit e dinin përmendësh këtë vepër dhe pas viteve ’90 “Lahuta e Malcis” iu rikthye komunikimit normal me lexuesin.

12.“Përbindëshi” (1964) nga Ismail Kadare

“Përbindëshi” është një roman i shkruar nga Ismail Kadare në vitin 1964 dhe i botuar një vit më vonë, në revistën nr. 12 të “Nëntori” në vitin 1965. I konsideruar antidogmatik, pas botimit u ndalua nga autoritetet komuniste dhe mbeti i tillë deri pas rënies së sistemit.

U desh një çerek shekulli që të gjente sërish dritën e botimit, së pari në Prizren në vitin 1990 dhe më pas në Tiranë në vitin 1991. Vepra është përkthyer edhe në frëngjisht në vitin 1991 dhe më pas në italisht dhe në gjuhë të tjera.

Më 2 prill të vitit 2011 familja e përkthyesit dhe regjizorit Gjergj Vlashi i dorëzoi Ismail Kadaresë dorëshkrimin e romanit “Përbindëshi”.

Te “Përbindësh” gjendet ndoshta diçka nga imazhet që reflektojnë pasqyrat kohë pas kohe”, – shkruan Kadare. Pa vetëdije ai ilustron në këtë roman koncepsionin aristotelian të kohës. Në mjegullnajën romaneske të shkrimtarit, kjo punë përbën veçantinë e “Përbindëshit”, edhe pse me “Spiritusin” ai do ngjizë përsëri kohën në mënyrë krejt të ndryshme.

 

Listën e plotë të rekomandimeve “Librat e ndaluar” e gjeni online tek Bukinist.al

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0