Book N’ Ride, më shumë se thjesht makina me qira, një filozofi besimi dhe zhvillimi! - Business Magazine Albania

Book N’ Ride, më shumë se thjesht makina me qira, një filozofi besimi dhe zhvillimi!

Book N’ Ride, më shumë se thjesht makina me qira, një filozofi besimi dhe zhvillimi!

Nga Eni Muça- Florenc Rama është një nga ata njerëz që besojnë se inovacioni lind nga këmbëngulja dhe vizioni i qartë. Një nga pionerët e marketingut digjital në Shqipëri, ai e ka kthyer pasionin për teknologjinë dhe tregun vendas në një histori frymëzuese suksesi: krijimin e Book N’ Ride, platformës së parë shqiptare që lidh përdoruesit me kompani të licencuara qiradhënieje makinash në Shqipëri dhe Kosovë. Ajo që nisi si një ide për të ndërtuar një marketplace shqiptar, sot është shndërruar në një model biznesi që sfidon mungesën e transparencës dhe promovon formalizimin e tregut.

Florenci tregon se që në fillim kishte ëndërruar të ndërtonte një platformë që lidh bizneset shqiptare me konsumatorë vendas e të huaj përmes teknologjisë. Në vitin 2008, kur tregu vendas ende nuk ishte gati për blerje online, ai kërkoi një mënyrë për të kombinuar produktet shqiptare me një publik që e kuptonte kulturën digjitale. Eksperimentoi me libra, produkte bimore, platforma artizanale, derisa vuri re diçka të thjeshtë, por thelbësore: interesin e jashtëzakonshëm për qiratë e makinave. “Ishte një treg me kërkesë të fortë, por me mungesë transparence dhe profesionalizmi. Pikërisht atëherë e kuptova se duhej të krijoja një platformë që i jepte besim klientit dhe siguri operatorit. Kështu lindi BooknRide.al,” thotë ai.

Ndryshe nga platformat e mëdha ndërkombëtare që rrallë përfshijnë operatorë lokalë, Book N’ Ride është krijuar për t’i dhënë zë bizneseve shqiptare dhe kosovare të licencuara. “Ne nuk konkurojmë me gjigantët globalë, por ndërtojmë hapësirën tonë, ku operatorët vendas kanë mundësi të jenë të dukshëm dhe të ofrojnë shërbime me standardet e njëjta si platformat ndërkombëtare,” shpjegon Florenci. Ai e sheh këtë si një mënyrë për të ngritur besimin në treg dhe për të forcuar bashkëpunimin rajonal në turizëm.

Por rruga nuk ka qenë e lehtë. Një nga sfidat më të mëdha, sipas tij, është informaliteti dhe mungesa e standardeve të qarta për operatorët. Shumë kompani ende operojnë pa licenca apo kontrata të rregullta, duke krijuar pasiguri te klientët. “Ne kemi zgjedhur një rrugë më të gjatë, por më të drejtë,  të punojmë vetëm me kompani të licencuara, të formalizuara, që ndajnë të njëjtat vlera për cilësi dhe profesionalizëm,” thotë ai. Një tjetër sfidë është sezonaliteti i tregut turistik dhe infrastruktura digjitale e kufizuar, që vështirëson menaxhimin e kërkesës në kohë reale. Por për Florencin, çdo vështirësi është një mundësi për të edukuar tregun dhe për të vendosur standarde të reja.

Lexo edhe: Ky është çelësi për të zhbllokuar financimin privat për klimën

Teknologjia është zemra e Book N’ Ride. Platforma përdor inteligjencën artificiale për përkthime automatike në disa gjuhë të huaja dhe për ndërtimin e sistemeve dinamike të çmimeve që përshtaten me sezonin dhe kërkesën. Ajo ofron gjithashtu integrim të plotë përmes API-ve, që u mundëson partnerëve sinkronizim të flotave, çmimeve dhe rezervimeve në kohë reale. “Ne duam që përdoruesi të ketë një eksperiencë të njëjtë me çdo platformë moderne ndërkombëtare, por me shpirtin e mikpritjes shqiptare,” thotë ai me buzëqeshje.

Filozofia e lidershipit të Florencit është e qartë: ekipi është gjithçka. “Njerëzit që punojnë me mua nuk janë thjesht staf, por bashkë-themelues në këtë mision. Unë besoj se lidershipi i vërtetë nuk është të qëndrosh përpara, por të ecësh bashkë. Çdo detaj, nga dizajni i faqes deri te mënyra si ndihesh kur bën një rezervim, është pjesë e kulturës sonë të kujdesit,” shpjegon ai. Për të, suksesin e një startup-i nuk e përcakton ideja, por këmbëngulja dhe ekzekutimi. “Në një treg të vogël si i yni, duhet të bësh gjithçka vetë, nga zhvillues teknologjie deri te negociator partneritetesh. Besueshmëria ndërtohet ngadalë, por humbet shumë shpejt. Ndaj çdo vendim duhet marrë me integritet.”

Vizionin e tij afatgjatë ai e përkufizon si një mision rajonal: “Dua që Book N’ Ride të bëhet platforma më e besuar e mobilitetit në Ballkan. Do të zgjerohemi në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, dhe do të përfshijmë qira të varkave, biçikletave elektrike dhe çdo formë tjetër transporti që mbështet turizmin e qëndrueshëm.” Florenci beson fort se teknologjia duhet të shërbejë për ta bërë jetën më të lehtë dhe më të drejtë, jo më të komplikuar. Në planet e tij afatgjata është edhe integrimi i flotave elektrike dhe hibride, për të ndihmuar në reduktimin e ndotjes dhe për të promovuar turizmin e gjelbër.

Në fund, Florenci e përkufizon suksesin si një përzierje të durimit, pasionit dhe përgjegjësisë ndaj tregut dhe njerëzve që i shërben. “Suksesi nuk është vetëm të krijosh një platformë që funksionon, por të ndërtosh një treg që fiton besim. Ne duam që çdo klient, shqiptar apo i huaj, të ndiejë se pas çdo rezervimi ka njerëz që kujdesen për cilësinë dhe ndershmërinë. Vetëm kështu ndërtohet diçka që zgjat.” Dhe ndoshta kjo është edhe filozofia që e bën Book N’ Ride më shumë se një startup, një histori që flet për guximin për të krijuar diçka ndryshe, me vlera dhe qëllim të qartë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Vazhdo të ecësh. Mund të pengohesh, por mos qëndro ulur.”
— Charles Kettering
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0