Biznesi i vogël duhet të pajiset me software falas për mbajtjen e llogarive

Biznesi i vogël duhet të pajiset me software falas për mbajtjen e llogarive


Shkruar Nga Koço Broka*

Ndërtimi dhe shpërndarja e software të thjeshtë falas por shumë të dobishëm është një realitet në vendin tonë. Mjafton t’i hedhësh një sy faqes Shtetiweb. Tek rubrika Financat Publike mund të gjesh software Kalkulatori i Taksave Personale të përgatitur nga Baker & Tilly Albania (www.bakertillyalbania.com) – Departamenti i Taksave, në bashkëpunim me Shtetiweb.org.

Kushdo edhe pa njohuri ekonomike, mund të llogarisë lehtësisht se sa tatimm-taksa (Tatim mbi të ardhurat personale, kontribut të sigurimeve shoqërore, kontribut të sigurimeve shëndetësore) do të paguajë në varësi të pagës së tij bruto, jo vetëm pas vendosjes së tatimit progresiv mbi pagat, por të mësojë edhe sa do të paguante kur ishte taksa e sheshtë.

Avantazhet e software krahasuar me llogaritjet me dorë apo qoftë në eksel të këtyre tatim taksave janë të shumta. Por do të mjaftonte vetëm njëra prej tyre. Nëse sot këtë llogaritje të tatim taksave dhe pagës neto e bëjnë të gjithë që dinë shkrim e këndim, kanë kompjuter e internet dhe dinë t’i përdorin qoftë dhe aq sa përdorin celularin, jo të gjithë dinë dhe janë të gatshëm të bëjnë këto llogaritje qofshin me arsim të lartë. Jo rastësisht kjo faqe dhe ky software përdoret gjithnjë e më shumë, duke shërbyer si shembull sinjifikativ i rolit të përdorimit të teknologjisë së informacionit, programimit e shkencave kompjuterike në tërësi dhe software në veçanti.

Megjithëse shumë funksionalë nuk mund të thuhet se fatin e këtij software e kanë pasur edhe të tjerë, pavarësisht se kanë qenë dhe janë tepër të dobishëm. Nga Universiteti CIT, nën drejtimin e Prof. Dr. Petraq Papajorgji, disa vjet më parë u ndërtua dhe u shpërnda në faqen e këtij Universiteti një software për llogaritjen e pensionit. Mjafton të kishe të dhënat për pagat dhe vitet për të cilat kishe paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, para dhe pas vitit 1994 dhe kushdo mund të llogariste lehtësisht pensionin.

Në mungesë të mbështetjes nga shteti dhe institucioni përkatës për të ofruar këtë informacion siç është Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ky software i cili duhej rishikuar çdo vit me ndryshimin e parametrave, megjithëse shumë i dobishëm dhe shumë i rëndësishëm, nuk e pati jetën e gjatë dhe tashmë ka dalë nga përdorimi.

Kjo nuk përjashton që ai të ripërtërihet po të kemi parasysh se neni 62/1 detyron Institutin e Sigurimeve Shoqërore të pajisë çdo pensionist, me informacionin mbi pagat mbi bazën e të cilave është bërë llogaritja e pensionit. Qeveria e sotme që flet e punon jo pak për funksionim e shtetit mund ta rivendosë.

Kjo ndërkohë kërkon që Universiteti ose personi që e ka përgatitur, mirëmban dhe e rinovon këtë software në përputhje me ndryshimin e legjislacionit, të shpërblehet për punën që bën. Rivënia në punë e këtij software është mjaft e dobishme, jo vetëm për të realizuar objektivin kryesor e të drejtpërdrejtë të tij, llogaritjen nga cilido i interesuar pensionin e tij, por dhe  për të familjarizuar dhe nxitur  mbarë shoqërinë shqiptare me përdorimin sa më masiv dhe më të thellë të shkencave programuese kompjuterike dhe software të thjeshtë por edhe më të ndërlikuar por që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e produktivitetit, shkurtimin e kohës dhe u bëjnë jetën e qytetarëve më të lehtë me më pak kosto.

Rivënia në punë ka vlerë të posaçme për t’u njohur si me pengesat  e zakonshme që  ka kudo e reja që lind, por sidomos me stengëzat dhe pengesat artificiale “shqiptare”. Jetojmë në një kohë kur ndeshemi me pengesa jo të vogla dhe në mjaft raste stengëza të vetëdijshme artificiale për përdorimin e software si më sipër.

Ndërkohë shumëkush ka në celularin e vet software  “Day to Day Expenses” dhe mund të mbajë lehtësisht librin e arkës qoftë të biznesit të vet. Stengëzat dhe pengesat ballafaqohen me shtysat për zgjerimin dhe shpejtimin e përdorimit të   software.

Përshpejtimi i përdorimit dhe përhapjes të software, nga më të thjeshtit pa pagesë në më të plotë me pagesë, është pa dyshim një ndër sfidat e kohës ku dhe ne shqiptarëve na kërkohet të mos mbetemi në fund të listës, por të ecim me hapin e kohës në një botë që ndryshon me shpejtësi.

Në këtë kuadër duke dëgjuar se sot flitet gjithmonë e më tepër jo pak për smart city, smart village, natyrshëm të lind pyetja:

A do të mund të ndërtohen dhe shpërndahet software kontabël të thjeshtë pa pagesë për biznesin e vogël edhe në Shqipëri?

Bëhet fjalë jo për rishpikje nga e para, por vetëm për shtrirje të përdorimit të software të përdorur prej vitesh në vende të tjera edhe në vendin tonë. Kjo pyetje lind natyrshëm tani që edhe bizneseve të vegjël me xhiro 2-5 milionë lekë në vit, iu kërkohet të dorëzojnë librat e shitjes e të blerjes dhe të bëjnë pagesat përkatëse të TVSH-së që kanë për të paguar.

Këto libra mund të mbahen në mënyrë manuale apo duke përdorur ekselin. Në të dyja rastet duhet të kesh njohur ekonomike se si llogaritet TVSH-ja, për të përllogaritur TVSH e detyrueshme që ke për të paguar si biznes i vogël. Faqja e ekselit, e cila në vetvete është një software  mund të përdoret edhe për qëllime kontable dhe ka përparësi ndaj mbajtjes me dorë të librave të shitjes dhe blerjes. Por, edhe në këtë rast duhet të kesh njohuri për llogaritjen e TVSH-së, që nuk i kanë dhe nuk mund t’i kenë biznesmenët e vegjël me xhiro 2-5 milionë lekë. Kjo e bën të nevojshme pagesën e një kontabilisti për mbajtjen e të dhënave. Tashmë është konfirmuar se kalimi i biznesit të vogël me TVSH, ka kosto. Çdo pretendim i Ministrisë se Financave dhe Tatimeve se kjo nuk ka kosto për biznesin e vogël ka rënë poshtë. Biznesi i vogël duhet të paguaje 20 % të TVSH-së, pra duhet të paguajë 20 për qind të vlerës së shtuar (natyrshëm lind pyetja tjetër:-Sa është kjo vlerë e shtuar?!). Përveç kësaj ka një kosto tjetër. Është kostoja e regjistrimit të librave të shitjes dhe të blerjes që nuk ishte e nuk realizohej kur aplikohej tatimi i thjeshtuar mbi biznesin e vogël ose ishte hequr ai.

Tani lindin pyetjet:

A mund ta bëjë vetë këtë regjistrim të faturave të shitjes dhe blerjes çdo biznesmen i vogël që ka arsim të mesëm apo qoftë edhe 8-9 vjeçar, apo janë të gatshëm të paguajnë kontabilist?

A janë të gatshëm kontabilistët të realizojnë këtë proces me çmimin e asaj periudhe kur bënin vetëm deklarimin e tatimeve apo kontributit të sigurimeve shoqërore (pra nuk mbanin librat e shitjes dhe të blerjes) që kur iu duhet të firmosin për deklarimin e tyre dhe duhet të shprehen se deklarimi i tyre pasqyron të vërtetën, realitetin e transaksioneve të  realizuara dhe jo thjesht faturat e shitjes e të blerjes që u ka dhënë biznesmeni?

Përgjigjet janë të qarta. Çdo biznes i vogël mund të regjistrojë faturat e blerjes dhe të shitjes në librin e blerjes dhe shitjes por nuk mund të llogarisë TVSH-në për t’u paguar. Nëse këtë proces e kryen kontabilisti do të rritet patjetër çmimi dhe pagesa e kontabilistit, krahasuar me më parë. Ndërkohë jo të gjithë bizneset e vogla janë të gatshëm të paguajnë kontabilistët për çmimin shtesë.

Ata hedhin dhe do të hedhin sytë për ta kryer këtë proces vetë, pra të regjistrojnë vetë librat e blerjes dhe të shitjes. Nëse do t’u vihej në dispozicion një software i thjeshtë, që pasi të kishin regjistruar faturat e blerjes dhe faturat e shitjes në librat e blerjes dhe të shitjes, ai do të bënte automatikisht llogaritjen e TVSH-së së detyrueshme për t’u paguar. Shumica dërmuese, në varësi dhe kohës në dispozicion do ishin të gatshëm ta kryenin vetë këtë proces dhe të kursenin  shpenzimet shtesë për  pagesën e kontablistit. Ndërkohë  teknika dhe teknologjia bashkëkohore e software  ua mundëson potencialisht këtë.

Jetojmë në një kohë kur sistemet e kompjuterizuar të kontabilitetit përdoren masivisht dhe më shumë se sa ato manualë, ku këto të fundit po mbeten relike. Avantazhet e sistemeve kontabël të komjuterizuar dhe softwareve përkatës janë të mirënjohura: si shpejtësia, eficenca, saktësia, lehtësia për të prodhuar raporte etj. Shkurt software kontabël e bën më të lehtë procesin e regjistrimit  të transaksioneve ekonomike  dhe më të nevojshëm jo thjesht se këtë e kërkojnë organet tatimore  por dhe për të administruar më mirë dhe më me eficencë biznesin e vet. Por çdo sistem kontabël i kompjuterizuar ka koston e vet. Në këto kushte zgjedhja e softwar-it kontabël, që janë të shumëllojtë, është sfiduese.

Çdo software kontabël ka karakteristika të ndryshme, duke ofruar shumëllojshmëri çmimesh në lidhje e varësi me funksionet, proceset dhe shërbimet që ofron. Ndërsa zgjedhja e softwarit kontabël nga biznesi në përgjithësi apo ai i vogël në veçanti është në varësi të disa faktorëve si kostoja, përdorshmëria, tiparet, shkalla e proceseve dhe raporteve që ofron.

Softwerët e kontabilitetit ndryshojnë në kosto, e për rrjedhojë në çmim varësisht nga numri i veçorive të përfshira dhe proceseve që realizojnë. Për rrjedhojë para biznesmenëve shtrohen pyetje: A do të preferonit software kontabiliteti të thjeshtë që plotëson realizmin aktual të kërkesave të tatimeve për biznesin me 2-5 milionë lekë mundësisht falas apo edhe software kontabiliteti bazë, të lirë apo aplikacione që konkurrojnë në treg e kushtojnë më shumë?!

Kërkoni që të realizojë vetëm regjistrimin e librave të blerjes shitjes, dhe përllogritjen e TVSH-së apo një software kontabël bazë që do të mundësonte nxjerrjen e pasqyrave financiare, si atë të të ardhurave shpenzimeve që do të ofronte dhe një informacion të qartë jo vetëm për vete por dhe për politikbërësit se sa vlerë të shtuar (dhe për rrjedhojë) sa të ardhura mundëson për biznesin xhiroja prej 2-5 milion lekë?!

Një software kontabël bazë, që mundëson prodhimin e pasqyrave financiare, përfshi dhe Pasqyrën e Të ardhurave dhe Shpenzimeve, ndonëse me pagesë, do të provonte me të dhëna dhe prova se përfaqësuesit e biznesit të vogël sidomos ata të fashës 2-3 milion lekë, paguajnë tatime dhe kontribute të sigurimeve shoqërore, shumë më tepër se politikbërësit për 100 lek të ardhura në trajtë page (apo të quajtur fitim) sot e pension nesër, megjithëse këto të ardhura mund të jenë dhe janë në mjaft raste edhe nën nivelin e minimumit jetik.

Ata do të provojnë me shifra dhe fakte aprofsionalizmin e politikbërësve, që në vendosjen e tatim taksave nuk marrin në konsideratë minimumin jetik. Një shoqëri humane kërkon të merret parasysh edhe minimumi jetik.

Në varësi të proceseve që realizojnë rezulton se software të thjeshtë pa pagesë për biznesin e vogël ka kudo si në SHBA apo në vend të tjera të zhvilluara. Roli i tyre si dhe softwarët Demo, kontribuon në familjarizimin e kujto për përdorimin e software kontabël dhe njohjen e avantazheve të tyre duke përdorur dhe këto software të thjeshtë. Për rrjedhojë ndërtimi dhe shpërndarja e një software kontabël falas pa pagesë, që mundëson regjistrimin i faturave të blerjes faturave të shitjes dhe përllogaritjen automatike të TVSH-së për tu paguar është më se e nevojshme dhe e dobishme. A është i mundur të ndërtohet ai? Natyrisht që po, përderisa në vendin tonë janë ndërtuar dhe funksionojnë disa lloje software kontabël bazë dhe kompanitë përkatëse ofrojnë software Demo gjatë trajnimeve të tyre. Pra, nuk ka pengesa teknike. Por e dëshirueshme do të ishte që ato të ndërtoheshin nga Universitete dhe të shpërndaheshin nga institucioni që ka mundësuar financimin e hartimit, ndërtimit dhe përditësimit të tyre kohe pas kohe.

Nga këta të fundit do ishte e mira të ndërtoheshin jo vetëm nga pedagogët e shkencave kompjuterike por dhe studentet  e tyre të nivelit master apo doktorial. Mjafton që Ministria e Arsimit apo Drejtoria e Tatim – Taksave të mos e japin këtë me PPP, por nëpërmjet një procesi konkurrimi të hapur se kush ofron software kontabël të thjeshtë që të mundësojë realizimin e detyrës së mësipërme dhe të përdoret falas nga biznesi i vogël me xhiro 2-5 milion lekë? Një konkurrim i tillë natyrisht do të kishte disa efekte.

Do të jetësonte ligjin e arsimit të lartë ku Universitet sigurojnë të ardhura shtesë nga shërbimet që bëjnë e shesin ashtu si ndodh me Universitet e mira private apo publike kudo në botë.

Studentët por edhe universitet do të ndërronin kah në drejtim të përvetësimit të dijeve, që ti përvetësonin dhe përvetësojnë ato në mënyrë krijuese dhe aplikative jo vetëm duke i riprodhuar ato por duke i vënë në shërbim të zgjidhjes të problemeve që ka ekonomia,vendi, biznesi, qytetarët.

Ndërkohë për këtë përvetësim krijues dhe aplikativ të dijeve ata do të shpërblehen pavarësisht se software kontabël i tyre do të shpërndahej e përdorej falas masivisht. Ky përdorim falas masivisht nga ana tjetër do të mundësonte zgjerimin e tregut të software kontabël bazë që mundësojnë jo vetëm kryerjen e proceseve të kufizuara të blerje shitjeve por më gjerë për të cilët janë të interesuar vetë biznesmenët e vegjël me xhiro 2-5 milion lekë.

Si e nënvizova më lart ata janë të interesuar t’u bëjnë me dije politikbërësve se sa p.sh është vlera e shtuar e një biznesi të vogël në fushën e tregtisë kur ka xhiron  mbi 2  dhe 3-4 -4.999 milion lekë dhe se sa TVSH e kontribute te sigurimeve shoqërore paguajnë ata, dhe se sa janë të ardhurat që iu mbeten atyre.

Është koha e software. Biznesi shqiptar ia vlen të kthejë sytë drejt përdorimit të tyre për të zgjidhur mjaft nga problemet me të cilat përballet. Ato po e bëjnë punën e jetën më të lehtë, më komode dhe shumë më produktive. Lum kush ka gëzuar e gëzon në të njëjtën kohë kënaqësinë që të jep jo vetëm përdorimi por dhe ndërtimi i tyre. Kjo kohë, kërkon që Universitet të shtojnë numrin e studentëve për shkencat kompjuterike dhe për inxhinier të software, dhe jo vetëm ekonomist e juristë që janë me bollëk. 

*Koço Broka, ekonomist me përvoje, me ekspertizë në institucionet publikë në vend, e ka shkruar këtë artikull, pikëkërisht këto ditë kur djali i tij Filjor Broka ishte parashikuar të mbante në Monterey, California, USA në konferencë “Uncertainty in Artificial Intelligence – UAI 2018” kumtesën e përgatitur me kolegët Rina Dechter, Alexander Ihler, Kalev Kask me temë “Abstraction Sampling in Graphical Models”.
Filjori ka punuar si Software Engineering Intern Google dhe si PhD Candidate/ Research Asistent. Pas një aksidenti tragjik në SHBA para pak muajsh, Filjori nuk jeton më.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0