- Si pjesë e mbështetjes së ‘Team Europe’, projekti do të sigurojë akses të vazhdueshëm në ujë të pijshëm për mbi 800,000 banorë të Bashkisë së Tiranës dhe do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit dhe funksionalitetit të kryeqytetit.
- Ky është projekti më i madh i BEI-së i nënshkruar deri më sot me Qeverinë e Shqipërisë dhe projekti i dytë i BEI-së për Tiranën
- Kredia e re e mundësuar falë garancisë së Bashkimit Evropian, do të ndihmojë Shqipërinë të ndërtojë sistemin modern të furnizimit me ujë dhe të rrisë elasticitetin ekonomik ndaj ndryshimeve klimatike
Banka Evropiane e Investimeve (BEI), banka e Bashkimit Evropian, do të investojë 80 milionë euro për përmirësimin e sistemit të shpërndarjes së ujit në bashkinë e Tiranës, duke mundësuar ofrimin pa ndërprerje të ujit të pijshëm të sigurtë për mbi 800 000 banorë dhe uljen e humbjeve të ujit. I siguruar nën mbështetjen e ‘Team Europe’, ky investim do të modernizojë efikasitetin e menaxhimit të ujit, do të përmirësojë sigurinë e furnizimit me ujë dhe do të kontribuojë në kushte më të mira shëndetësore dhe mjedisore në kryeqytet, e cila do të rrisë qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe do të nxisë zhvillimin ekonomik.
Projekti do të modernizojë rrjetin ekzistues të shpërndarjes dhe do të ofrojë shërbim të vazhdueshëm, të besueshëm dhe afatgjatë të furnizimit me ujë në qytet, me linjën e transmetimit të Gurit të Bardhë dhe unazën e furnizimit me presion të lartë të Tiranës. Gjithashtu, projekti do të përmirësojë cilësinë e ujit të pijshëm, duke eliminuar sistemin e depozitave të vogla personale mbi çati, të cilët përbëjnë rrezik të lartë për ndotjen e ujit. Investimi vjen në kuadër të Nismës për Rimëkëmbjen Ekonomike të BEI-së, që synon të mobilizojë financat për të mbështetur rritjen, krijimin e vendeve të punës, projektet jetike të infrastrukturës dhe kohezionin social në rajonet fqinje të BE-së.
Zëvendës-presidentja e BEI-së Lilyana Pavlova, përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, tha se “Sot, ne po bëjmë një hap të rëndësishëm drejt kushteve më të mira të jetesës për banorët e Tiranës. Jemi të lumtur të investojmë në një të ardhme më të sigurt dhe më të shëndetshme në Shqipëri, duke kontribuar në të njëjtën kohë në rimëkëmbjen më të shpejtë nga tërmeti shkatërrues i vitit 2019 dhe pandemia e COVID-19 në vijim. Jam krenare për partneritetin ekzistues me Qeverinë e Shqipërisë dhe qytetin e Tiranës, i cili na lejoi të adresojmë sfidat që vijnë nga urbanizimi me rritje të shpejtë dhe sistemi i pamjaftueshëm i shpërndarjes së ujit. Ky projekt do të mundësojë furnizimin me ujë për të gjithë dhe do ta afrojë vendin me objektivat e tij mjedisore, të zhvillimit urban dhe të veprimit klimatik. Së bashku me ‘Team Europe’, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin më të shpejtë social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe presim me padurim zhvillimin e projekteve të reja për vendin.”
Ambasadori Luigi Soreca, Shef i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, tha: “Ky projekt i ri investimi është një kontribut i madh i BE-së për përpjekjet e Shqipërisë për përmirësimin e performancës së shërbimeve të ujit, si dhe për të siguruar furnizim të vazhdueshëm dhe të sigurt me ujë për banorët e Tiranës. Evropa është këtu për të ndihmuar shqiptarët për një cilësi të përmirësuar të jetës, shëndet publik më të fortë dhe kosto të reduktuara të energjisë, teksa Tirana bëhet më e qëndrueshme dhe përshtatet me ndryshimet klimatike. Jemi të lumtur që mund ta ndihmojmë Shqipërinë të përafrohet në mënyrë progresive me standardet e BE-së”.
Zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj, në fjalën e tij tha se “Kjo është një marrëveshje më e madhe prej €144.5 milionë euro që garanton nga njëra anë modernizimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe nga ana tjetër, furnizim të pandërprerë 24-orësh me ujë për pothuajse 1 milion banorë të qytetit të Tiranës. Gjatë dy viteve të fundit së bashku me BEI-n dhe bashkinë e Tiranës kemi ndërmarrë një punë të kujdesshme dhe të detajuar për të arritur përfundimin e projektit. Unë jam i lumtur që ky projekt shkon për një nga sektorët prioritarë të qeverisë shqiptare, si pjesë e një reforme tërësore dhe të ambicies sonë për të rritur cilësinë e jetës së qytetarëve, në këtë rast duke siguruar 24 orë ujë të pijshëm.”
Kryetar i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj vijoi: “Jemi dita me natën me atë që gjetëm: rrjeti i ujësjellësit i ngjante një kulluese marakonash, ku uji vidhej rregullisht, makinat laheshin me ujë të pijshëm, po ashtu edhe misri ujitej me ujë të pijshëm. Fillimisht u desh të rikuperonim humbjet, të kishim një ndërmarrje më efiçiente, që të mos ishte më një parking militantësh, por një ndërmarrje me misionin për të shërbyer. Tani mund të them me krenari se ndërmarrja ka jo vetëm performancën më të mirë në Shqipëri, por sot është një ndërmarrje që ka arritur t’i paguajë vetë kreditë e marra, që ka financa më të shëndosha. Megjithatë, jemi ende larg ambicies sonë për Tiranën 24 orë ujë, por ky është plani ynë për vitin 2024. Sot firmosim kredinë më të madhe në historinë e ujësjellësit të Tiranës, si një mënyrë për ta çuar në marshin e pestë kalendarin tonë të investimeve. Në 2-3 vitet e ardhshme ne parashikojmë të hapim një kantier që të shtrojmë 45km tubacione në Tiranë, si dhe të sigurojmë një unazë presioni, e cila na jep mundësinë të furnizojmë të gjitha njësitë me të njëjtën sasi uji, edhe në lagjet më fundore të Tiranës, sidomos lagjet e reja dhe zonat e veçanta si “Astiri”, “Fresku” dhe “Liqeni i Thatë”.
Banka ka punuar tashmë me Bashkinë e Tiranës në projektin e saj të parë të ri-zhvillimit urban në Shqipëri për bregun e lumit Lana në vitin 2019, që ndihmon në uljen e ndotjes në lumin Lana dhe riorganizimin e rrugëve dhe hapësirës urbane pranë të dy brigjeve.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.