BE kërkon vendosjen e “vijës së kuqe” për inteligjencën artificiale - Business Magazine Albania

BE kërkon vendosjen e “vijës së kuqe” për inteligjencën artificiale

Ligjvënës europianë janë bashkuar me fitues të Çmimit Nobel, ish-krerë shtetesh dhe studiues të shquar të inteligjencës artificiale, duke kërkuar rregulla ndërkombëtare detyruese për të frenuar përdorimet më të rrezikshme të saj.

Nisma, e lançuar të hënën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të 80-të të OKB-së në Nju Jork, i bën thirrje qeverive të bien dakord deri në vitin 2026 për një set “vijash të kuqe” mbi përdorimet e AI-së që konsiderohen tepër të dëmshme për t’u lejuar në çdo rrethanë.

Mes nënshkruesve janë ish-kryeministri italian Enrico Letta, ish-presidentja e Irlandës Mary Robinson (aktualisht Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut), eurodeputeti italian Brando Benifei, bashkëkryetar i grupit të punës për AI në Parlamentin Europian dhe Sergey Lagodinsky nga Gjermania, krahas dhjetë laureatëve të Nobelit dhe drejtuesve të teknologjisë, përfshirë bashkëthemeluesin e OpenAI dhe drejtorin e inxhinierisë në Google.

Sipas tyre, mungesa e standardeve globale rrezikon t’i ekspozojë shoqëritë ndaj kërcënimeve të AI-së, që nga pandemitë e fabrikuara dhe fushatat e dezinformimit, deri te shkeljet masive të të drejtave të njeriut dhe humbja e kontrollit njerëzor mbi sistemet e avancuara.

Apeli ka përmasa të paprecedentë: mbi 200 figura të shquara dhe 70 organizata nga politika, shkenca, të drejtat e njeriut dhe industria mbështesin këtë thirrje. Në listë janë edhe drejtues të OpenAI, Google DeepMind dhe Anthropic.

Ndërkohë, shqetësimet rriten për ndikimet reale të AI-së tashmë në përdorim. Një studim i fundit tregoi se chatbot-ët kryesorë ChatGPT, Claude dhe Gemini japin përgjigje të paqëndrueshme për pyetje mbi vetëvrasjen, disa herë të sigurta, por shpesh edhe të rrezikshme. Raste vdekjesh janë lidhur me biseda të tilla, duke ngritur pyetje mbi masat e kompanive për mbrojtjen e përdoruesve.

Lexo edhe: Nvidia investon 100 miliardë dollarë në OpenAI për të fuqizuar kapacitetin e saj kompjuterik

Fituesja e Nobelit për Paqen, Maria Ressa, paralajmëroi se pa garanci, AI mund të gjenerojë “kaos epistemik” dhe abuzime sistematike me të drejtat e njeriut. Ndërsa Yoshua Bengio, një nga “baballarët” e AI-së, theksoi se gara për zhvillimin e modeleve gjithnjë e më të fuqishme sjell rreziqe që shoqëritë nuk janë të përgatitura t’i përballojnë.

“Vijat e kuqe” globale janë përdorur edhe më parë për çështje si ndalimi i armëve bërthamore dhe biologjike, i klonimit njerëzor apo Traktati i Detit të Hapur. Por, sipas nënshkruesve, ligjet e BE-së mbi AI nuk mjaftojnë: teknologjia kalon kufijtë dhe kërkon marrëveshje universale.

Ata kërkojnë krijimin e një organi të pavarur që të zbatojë këto rregulla. Objektivi është që deri në fund të vitit 2026, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të nisë negociatat për një traktat global, për të parandaluar – siç paralajmëron ish-drejtori i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Üzümcü – “dëme të parikuperueshme për njerëzimin”.

Sugjerimet për ndalime bazë përfshijnë: pengimin e AI-së që të nisë sulme bërthamore, të kryejë survejim masiv ose të imitojë njerëz.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0