BE-ja sjell Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë në Shqipëri - Business Magazine Albania

BE-ja sjell Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë në Shqipëri

BE-ja sjell Wi-Fi falas në të gjitha bashkitë në Shqipëri

Prezantimi i instalimit të pikave publike falas Wi-Fi në 61 bashki të Shqipërisë – në kuadër të nismës së BE-së WiFi4WB – u shënua sot në Shtëpinë e Evropës në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të Qeverisë shqiptare, Bashkimit Evropian, Ambasadës gjermane dhe organizatave partnere.

WiFi4WB është një nismë e prezantuar dhe e financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, me kontribut financiar nga Qeveria gjermane. Ajo zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Frymëzuar nga programi WiFi4EU i BE-së, i cili lidhi me sukses më shumë se 7000 bashki në të gjithë Evropën, WiFi4WB do të krijojë deri në 500 pika publike Wi-Fi në të gjithë rajonin deri pranverën e ardhshme. Në Shqipëri, secila bashki ka caktuar një hapësirë publike qendrore, si park, bibliotekë, shesh apo vend kulturor, ku qytetarët dhe vizitorët së shpejti do të gëzojnë qasje falas dhe të besueshme në internet. Duke folur në ceremoni, ministri i Shtetit për Qeverisjen Vendore, Ervin Demo, theksoi vlerën e angazhimit të fortë bashkiak.

“Kjo u jep bashkive dhe komuniteteve tona mundësinë për të ofruar qasje falas dhe me cilësi të lartë në internet në hapësirat publike – sheshe, parqe, biblioteka, shkolla. Nuk është vetëm një investim në modernizimin e shërbimeve publike, por edhe në barazinë digjitale, duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë, bizneset e vogla dhe qytetarët që duan të jenë pjesëmarrës aktivë në ekonominë digjitale”, vuri në dukje Demo. Duke nënvizuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj modernizimit dhe transformimit digjital, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, theksoi rëndësinë e madhe të ofrimit të qasjes së përballueshme dhe të barabartë në lidhshmërinë digjitale për të gjithë. “Lidhshmëria digjitale dhe WiFi falas do t’i fuqizojnë përdoruesit që të përfitojnë më shumë nga transformimi digjital, të kenë qasje dhe të përdorin lirisht shërbimet në rrjet. Lidhshmëria digjitale është një mjet i padiskutueshëm për zhvillimin e shoqërive tona, transformimin integrues të ekonomive tona, komunikimin e kulturës dhe vlerave tona, si dhe hapjen e rrugës për një të ardhme ku prosperiteti, siguria dhe mbrojtja e kombeve tona përfshijnë vullnetin tonë për t’u forcuar së bashku”, tha ajo.

Lexo edhe: Europa duhet të zhvillojë urgjentisht kapacitetet e veta hapësinore, varësia nga SHBA është një rrezik i madh

Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, nënvizoi se aktiviteti i sotëm përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së, duke forcuar lidhshmërinë digjitale në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Plani i Rritjes po jep rezultate. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë dhe aksesin — ka të bëjë me fuqizimin e komuniteteve, me rritjen e mundësive dhe integrimin e rajonit në Tregun Unik Digjital të BE-së. Në fund të fundit, si të gjitha nismat e tjera në kuadër të Planit të Rritjes, ka të bëjë me përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe me mundësimin e qytetarëve të Shqipërisë dhe të rajonit që të ndiejnë përfitimet e integrimit në BE edhe para anëtarësimit”, tha ambasadori Gonzato. Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, ripohoi angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur bashkëpunimin rajonal dhe transformimin digjital. “Gjermania mbetet një partnere e palëkundur e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Digjitalizimi është një gur themeli i rritjes dhe qëndrueshmërisë së Evropës. Ne do të vazhdojmë të mbështesim nisma të tilla dhe i falënderojmë partnerët tanë për angazhimin e tyre”, deklaroi ambasadori Bergner.Pas një procesi konkurrues prokurimi, Vodafone Albania u përzgjodh për të instaluar dhe mirëmbajtur infrastrukturën teknike dhe për të siguruar shërbim interneti me cilësi të lartë në të gjithë vendin. Gjatë ceremonisë u nënshkrua zyrtarisht kontrata midis GIZ dhe Vodafone Albania, si ofrues i shërbimit.

Nënshkruesit e kontratës, drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania, Balázs Révész dhe drejtoresha e GIZ Albania, dr. Sonja Kurz, nënvizuan angazhimin e tyre për zbatimin me sukses të projektit.

WiFi4WB është pjesë e programit EU4Digital, prezantuar në shtator 2024, i cili do të zgjasë deri në gusht 2027, me një kontribut të përgjithshëm të BE-së prej 15 milionë eurosh dhe bashkëfinancim nga Qeveria gjermane prej 1,5 milionë eurosh. Duke investuar në infrastrukturën digjitale dhe shërbimet e besuara, BE-ja po ndihmon për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Tregun Unik Digjital të BE-së, në përputhje me objektivat e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kjo nismë shënon një hap të madh në zhvillimin digjital të Shqipërisë dhe një histori rajonale suksesi të lidhshmërisë, përfshirjes dhe bashkëpunimit.

ata

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0