Bashkimi Evropian pritet të heqë plotësisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të janarit 2026, duke hapur rrugën për zhbllokimin e qindra milionë eurove ndihmë financiare qysh në fillim të vitit të ardhshëm.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se pas heqjes së pjesshme të masave, BE-ja po programon 216 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën, nga të cilat 205 milionë euro pritet të lëshohen në fillim të vitit 2026.
Konfirmimi për heqjen e plotë të masave u bë i ditur edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel. Ajo deklaroi se gjatë takimeve intensive me partnerët evropianë është marrë vendimi që masat të hiqen në dy faza: një pjesë e konsiderueshme menjëherë dhe pjesa e mbetur në fund të janarit.
Të martën, Bashkimi Evropian hoqi një pjesë të masave ndëshkuese të vendosura në vitin 2023. Sipas një letre nga drejtori i përgjithshëm për zgjerim i BE-së, Gert Jan Koopman, u liruan fonde për katër projekte, pas vlerësimit pozitiv për “transferimin e duhur të pushtetit lokal në veri” pas zgjedhjeve të tetorit.
Lexo edhe: Shqipëria po humbet popullsinë me ritme alarmante, shumë mbi mesataren e Rajonit
Von der Leyen e cilësoi këtë zhvillim si lajm të mirë dhe theksoi se procesi i heqjes së masave do të vazhdojë deri në përfundimin e tij të plotë. “Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara për të hequr masat ndaj Kosovës,” shkroi ajo në platformën X.
Masat ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra pa afat, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të tejkalimit të afateve, sipas Institutit GAP. Sektorët më të prekur kanë qenë mjedisi, energjia, digjitalizimi dhe kultura.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.