Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin u shpreh në aktivitetin “Startup Albania 2017”, që u zhvillua në kuadër të javës së Europës, se “Për periudhën 2014-2020, fondet të cilat janë përcaktuar nga fondet IPA për Shqipërinë në fushën e konkurueshmërisë janë rreth 50 milionë euro, ndërsa 7 milionë euro janë parashikuar për inovacionin”.
Sipas saj, në Shqipëri sipërrmarësit e rinj hasen me mungesën e financimeve ndërsa garantoi mbështetjen e BE ndaj ideve dhe sipërrmarjeve të reja.
“Në Shqipëri ka ende vështirësi për startup-et dhe një nga pengesat është mungesa e financimeve. Ne do të sjellim nga BE specialistë të cilët do t’ju ndihmojnë të gjeni rrugën e suksesit. Ju lutem, jini kurajoz dhe mos hezitoni të trokisni në dyert tona”, tha Vlahutini.
Fondet IPA janë një nga instrumentat që BE aplikon për mbështetjen e biznesit në Shqipëri.
Shqipëria përfiton që prej vitit 2007 nga Instrumenti i Para Aderimit (IPA), që mbështet vendet kandidate të përfshira në Procesin e Stabilizim-Asociimit të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian (BE).
Me mbylljen e ciklit të parë të programit IPA 2007- 2013 dhe nisjes së programit IPA 2014 – 2020, synohet jo vetëm mbështetja financiare por edhe rritjen e kapaciteteve vendase për të zbatuar projekte në dobi të zhvillimit.
Burimi: ata.gov.al
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto