Mbyll punimet konferenca vjetore e Bankës së Shqipërisë me temë “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”, e organizuar në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave. Kjo konferencë e cila kishte në fokus bankat qendrore dhe sistemin bankar në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, reformat dhe sfidat e tashme dhe të ardhme që duhet të ndërmarrin ato dhe aktorët e tjerë në treg për ta bërë këtë proces dhe konvergjencën drejt BE-së, sa më eficient dhe me kosto sa më të ulët për të gjithë agjentët ekonomikë, sistemin financiar, ekonominë.
Konferenca ishte e organizuar në tre sesione, sesioni i parë dhe i dytë paraqitën perspektivën e bankave qendrore dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë në terma të politikës monetare dhe stabilitetit financiar, ndërsa sesioni i fundit, paneli i guvernatorëve paraqiti perspektivën e tyre, si dhe reformat institucionale që duhet të ndërmarrin në terma të inflacionit, si dhe objektivave të rritjes dhe konvergjencës në rrugën drejt BE-së.
Sesioni i parë kishte për qëllim prezantimin e perspektivës së bankave qendrore në lidhje me përshtatjen e tyre jo vetëm përsa i përket aspekteve ligjore dhe rregullative, por edhe në terma të zbatimit të politikës monetare dhe mbikëqyrjes bankare, duke siguruar stabilitetin e çmimeve dhe atë financiar, si rrjedhojë dhe stabilitetin makroekonomik në vend. Eksperienca e vendeve të tjera, si ajo e Hungarisë dhe e Kroacisë, treguan që rruga drejt BE-së nuk është një proces i lehtë dhe kërkon angazhim maksimal nga të gjitha institucionet. Bankat qendrore, por jo vetëm, duhet të jenë të përgatitura të reagojnë në mënyrë të maturuar dhe të koordinuar, për pasojat që efektet e raundit të parë, ashtu edhe ato të raundit të dytë do të kenë në ekonomi. Këto efekte do të kërkojnë një përshtatje të qasjes së politikës monetare dhe forcim të mbikëqyrjes bankare për të pasur një ekonomi sa më rezistente dhe të qëndrueshme, ndaj goditjeve nga hyrjet e mëdha të kapitalit që priten në ekonomi, ndikimet në kursin e këmbimit, menaxhimit të rezervës valutore, çmimet e pasurive të patundshme, investimet në to dhe ndikimin që mund të kenë në kredinë dhe rrezikun e kredisë. Nga ana tjetër, vendet duhet të vazhdojnë reformat e tyre strukturore për rritjen e produktivitetit, digjitalizimit, edukimit dhe kulturës financiare, si dhe zhvillimin e një modeli ekonomik që të sigurojë një rritje ekonomike të qëndrueshme afatgjatë.
Në këndvështrimin e ekonomisë shqiptare, vlerësimet tregojnë se kemi shënuar progres në terma të stabilitetit të çmimeve, atij financiar dhe makroekonomik në tërësi. Këto dy dekada janë shoqëruar me zhvillime të rëndësishme pozitive, si në terma të konvergjencës strukturore, ashtu edhe të asaj ciklike, ku Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në menaxhimin e goditjeve të kursit të këmbimit, rritjen dhe forcimin e mbikëqyrjes dhe stabilitetit bankar, duke minimizuar humbjet në ekonomi, si dhe në përmirësim të mirëqenies të gjithë ekonomisë. BE-ja ka qenë dhe do të mbetet partneri ynë strategjik, financiar dhe ekonomik, aderimi në të cilën kërkon më shumë angazhim. Bankat dhe sistemi financiar luajnë një rol parësor në këtë proces, drejt një sistemi financiar më rezistent dhe të qëndrueshëm, ku sfidat për të ardhmen janë mjaft sfiduese.
Sesioni i dyti pati në fokus transformimin digjital dhe aspektet e lidhura me të që ndikojnë sistemin financiar, aksesimin, përdorimin, si dhe shpërndarjen e produkteve dhe shërbimeve financiare. Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shumë potenciale në terma të digjitalizimit financiar, si rrjedhojë duhet të përgatiten që t’i shfrytëzojnë sa më mirë ato. Kjo do të kërkojë që të gjithë ndërmjetësit financiarë, kryesisht bankat, të përshtaten ndaj këtij migrimi drejt digjitalizimit, në mënyrë që të jetë, sa më i shpejtë dhe me eficiencë maksimale.
Banka e Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe, ka kontribuuar pozitivisht në terma të përmirësimit të përfshirjes financiare, uljes së përdorimit të cash-it në ekonomi, si dhe të kostove të larta të tij. Strategjitë dhe e gjithë puna e bërë nga Banka e Shqipërisë kanë sjellë një rritje të përfshirjes financiare, thellimit të zhvillimit financiar dhe kalimit të tij në një tjetër nivel zhvillimi. SEPA është një mundësi pozitive, jo vetëm për sistemin bankar, por më së shumti për familjet dhe bizneset.
E ardhmja pritet të ketë shumë sfida sa i përket mbrojtjes së të dhënave personale, rreziqeve kibernetike, menaxhimit të tyre. Jetojmë në një botë kur çdo gjë është në ndryshim, kemi ndryshim të preferencave të konsumatorëve, të bizneseve, që sjellin një ndryshim të rrezikut të profilit të bankave.
Në këtë këndvështrim, bankat qendrore duhet të jenë avangarde, të japim praktikat e tyre më të mira, të përgjigjen ndaj ndryshimeve, duke pasur objektiva të monitorueshëm dhe konsistentë, për të siguruar sa më shumë rezistencë ndaj goditjeve të pritura dhe të papritura makroekonomike. Rëndësi të veçantë duhet t’i kushtohet rrezikut kulturor, që kërkon një komunikimin dhe shpjegim të veprimeve dhe politikave të ndërmarra, për një përmirësim të kulturës dhe përfshirjes financiare, me qëllim forcimin e stabilitetit të çmimeve dhe atij financiar.
Sesioni i tretë, Paneli i Guvernatorëve u fokusua mbi strategjitë institucionale dhe perspektivën e bankave të rajonit në terma të objektivit të stabilitetit të çmimeve, sfidave me të cilat janë përballur, si pandemia Covid-19, lufta në Ukrainë, si dhe pasiguritë e shtuara gjeopolitike që vazhdojnë të jenë prezente në mjedisin global. Guvernatorët dhanë një vlerësim mbi situatën aktuale të procesit të konvergjencës drejt BE-së dhe alternativat për përshpejtimin e saj.
Faktorët strukturorë duken se vazhdojnë të mbeten problematikë, ku fokus të veçantë kërkon kapitali human, produktiviteti dhe inovacioni dhe zhvillimi teknologjik. Plakja e popullsisë dhe migrimi i saj vazhdojnë të jenë faktorë strukturorë shumë të rëndësishëm që duhet të marrin një vëmendje të shtuar.
Në përfundim të konferencës, Guvernatori u shpreh se: “Bankat qendrore në rrugën drejt BE-së duhet të forcojnë ngritjen e kapaciteteve, përmirësojnë digjitalizimin, si dhe të thellojnë ndërmjetësimin financiar, si një kontribut i rëndësishëm për ekonominë. Ato nuk duhet të jenë të vetme në këtë rrugë; institucionet në tërësi duhet të forcohen për të siguruar një konvergjencë më të shpejtë.”
Për vitet në vazhdim, sfidat e ardhshme vijojnë të mbeten rreziqet kibernetike, digjitalizimi, inovacioni, ndryshimet klimatike. Për t’i adresuar këto sfida, sistemi financiar duhet të investojë më shumë për të përmirësuar kulturën financiare dhe atë financiare digjitale.
BE-ja ka qenë dhe do të mbetet partneri ynë strategjik, financiar dhe ekonomik, aderimi në të cilën kërkon më shumë angazhim.
Kuadri aktual i politikës monetare i bazuar në shënjestrimin e inflacionit dhe në një regjim fleksibël të kursit të këmbimit mbetet një strukturë e dobishme dhe e vlefshme në rrugën drejt konvergjencës në BE.
Banka e Shqipërisë ka bërë progres të konsiderueshëm për të harmonizuar rregulloret e sektorit tonë bankar me Acquis-të përkatëse të BE-së me qëllim promovimin e qëndrueshmërisë së stabilitetit financiar dhe mbrojtjen e tij ndaj goditjeve nga jashtë sistemit.
E ardhmja paraqet sfida të reja, me natyra krejt të ndryshme që kërkojnë një angazhim të plotë dhe të koordinuar institucional. Ndaj të gjithë ne – sistemi bankar, institucionet e tjera kombëtare dhe ndërkombëtare – duhet të punojmë së bashku me qëllim përmbushjen e detyrave tona dhe përballimin me sukses të sfidave të ardhshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.