Ky udhëzim pason vendimin e marrë nga guvernatori Sejko dhe kryeministri Rama vendosur shtryrjen e kësteve të kredisë gjatë gjendjes së pandemisë, të hyrë në fuqi më 13 mars.
Sipas këtij vendimi, i cili nuk ka fuqi detyruese, por bankat kanë vendosur ta zbatojnë në mënyrë vullnetare në shenjë solidariteti:
Bizneset ose individët mund të shtyjnë deri në tre muaj këstin e kredisë. Këstet që mund të shtyhen janë ato të muajve mars, prill, maj. Kërkesat për shtyrje pagese kësti kanë afët deri më 31 maj.
Për shtyrjen e kësteve të kredisë mund të aplikojë çdo biznes ose individ i punësuar në shtet ose në privat që vërteton me dokumenta vonesa në marrjen e pagës, reduktim të masës së pagës, një kombinim i të dyjave, papunësi e përkohshme, si dhe zgjidhja e kontratës së punësimit, apo çdo kriter tjetër që subjektet e vlerësojnë të arsyeshme.
Lexoni: Kriza nga COVID-19, Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit
Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se procesi i ristrukturimit ka filluar. Ai u shpreh se bankat, aktualisht po grumbullojnë kërkesat nga individë dhe biznese. Shoqata e Bankave tha se kërkesat janë në zbatim të vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, datë 12 mars dhe të urdhrit të përbashkët të Kryeministrit.
Shtyrja e kredive për bizneset do të varet nga paraqitja e dokumentave të lartpërmendur dhe nga analiza e bankës për gjendjen financiare dhe llojin e biznesit, bazuar në dokumentat që ajo ka.
Janë përgatitur formularët për aplikim, të cilat gjenden në faqen e internetit të bankës përkatëse, ose sipas udhëzimeve të personelit të bankës në degë. Nga pikëpamja rregullative, procesi konsiderohet i përfunduar dhe tani është zbatimi i tij.
Këstet e kredive nuk do të falen. Ato do të paguhen sipas afateve të reja të vendosura mes kredidhënësit dhe kredimarrësit.
Këstet e shtyra nuk do të paguhen me kamatvonesë. Banka do të ristrukturojë këstin pa llogaritur kamatvonesën. Pra, nuk ka asnjë penalitet për kredimarrësin.
Të gjitha kreditë e shtyra si pasojë e Covid-19 do të kenë një kod të veçantë për të monitoruar ecurinë e tyre.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto