Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit - Business Magazine Albania

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka theksuar gjatë konferecncës për shtyp se, në balancë, informacioni i ri i marrë në analizë tregon se aktiviteti ekonomik ka shënuar një përmirësim gradual gjatë muajve të fundit. Rënia e inflacionit gjatë dy muajve të parë të këtij viti, duket se pasqyron efektin e përkohshëm të luhatjeve të ofertës. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet poshtë objektivit, ndërsa aktiviteti ekonomik dhe punësimi vijojnë të mbeten nën nivelet e regjistruara përpara pandemisë.

Sipas z.Sejko, “përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se aktiviteti ekonomik do të vijë gradualisht drejt normalizimit gjatë dy viteve në vazhdim. Ky normalizim do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave dhe të marxheve të fitimit të biznesit, çka do të krijojë premisa për kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3% brenda vitit 2022”.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual stimulues i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Banka e Shqipërisë do të synojë të ruajë kushte të favorshme financiare gjatë gjithë horizontit afatmesëm, për të garantuar rimëkëmbjen e ekonomisë dhe kthimin e inflacionit në objektiv.

Në vijim njihni detajet me arsyet e vendimmarrjes dhe konkluzionet e diskutimeve të Këshillit.

***

Inflacioni regjistroi vlera më të ulëta se pritjet tona gjatë dy muajve të parë të vitit. Norma vjetore e inflacionit ra në nivelin 0.4% në muajin janar, dhe u rrit në 1.1% në muajin shkurt. Kjo ecuri u diktua nga luhatjet e çmimeve të ushqimeve, të cilat, ashtu si dhe gjatë vitit të shkuar, mbeten subjekt i luhatjeve të papritura të ofertës, në kontekstin e pandemisë.

Lexo: 3 kartëmonedha të reja gjatë 2021, për herë të parë prezantohet 10 mijë lekëshi

Nga ana tjetër, faktorët me ndikim afatmesëm në inflacion, kërkesa agregate dhe ecuria e punësimit dhe e pagave, kanë qenë në linjë me pritjet tona. Ndonëse ende të pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv, presionet e brendshme mbi pagat dhe çmimet shfaqen të qëndrueshme dhe vazhdojnë të kontribuojnë në mënyrë të qenësishme në formimin e inflacionit, sikurse ilustrohet dhe nga ecuria e inflacionit bazë. Për rrjedhojë, efekti i goditjeve të ofertës pritet të jetë kalimtar dhe të mos cenojnë kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Informacioni i ri mbi aktivitetin ekonomik është përgjithësisht në linjë me pritjet tona. Të dhënat direkte mbi ecurinë e prodhimit të brendshëm bruto dhe kërkesën agregate mungojnë, por treguesit e tërthortë sugjerojnë vijimin e rimëkëmbjes gjatë dy tremujorëve të fundit. Rritja e vëllimit të shitjeve, rritja e konsumit të energjisë elektrike, ecuria më e mirë e të ardhurave fiskale, si dhe zgjerimi i eksportit dhe importeve, sinjalizojnë një ecuri më të mirë të ekonomisë.

Nga ana tjetër, tregu i punës shfaqi rënie të punësimit në tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe rritje të shkallës së papunësisë në nivelin 11.8%. Shuarja e ndikimit pozitiv të sezonit veror në degët e shërbimeve, dhe shtrëngimi i masave për parandalimin e pandemisë kanë ndikuar negativisht dinamikën e punësimit në fund të vitit të shkuar.

Ecuria e aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga politika monetare akomoduese dhe nga stimuli fiskal.

Politika fiskale ka vijuar të ruajë tipare stimuluese, kryesisht në sajë të rritjes së shpenzimeve kapitale. Të ardhurat buxhetore kanë shënuar një rënie të lehtë, ndërkohë që shpenzimet publike janë rritur. Në përputhje me buxhetin e miratuar, politika fiskale do të mbetet stimuluese edhe gjatë vitit 2021, duke nxitur rritjen e kërkesës agregate dhe zgjerimin e aktivitetit ekonomik.

Politika monetare stimuluese ka mundësuar krijimin e kushteve të favorshme të financimit. Tregjet e financiare operojnë të qeta dhe karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe nga prime të kontrolluara rreziku. Gjendja e mirë e tyre ka mundësuar përcjelljen efektive të stimulit monetar, i cili ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat. Po ashtu, kursi i këmbimit është shfaqur i qëndrueshëm, në pasqyrim të balancës së kërkesës dhe ofertës për valutë.

Kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare. Vëllimi i kredisë bankare për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1% në muajin shkurt. Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues. Po ashtu, sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 50% në fillim të vitit 2021.

Ecuria në rritje e kreditimit po jep një ndikim të qenësishëm në nxitjen e kërkesës agregate dhe rikuperimin e ekonomisë. Ajo pasqyron efektin e masave stimuluese monetare, financiare e fiskale, për nxitjen e kreditimit, gjendjen e mirë financiare të sektorit bankar, si dhe qëndrimin proaktiv të adoptuar nga bankat në situatën që po kalojmë.

Duke e parë nga e ardhmja, Këshilli Mbikëqyrës pret që aktiviteti ekonomik t’i rikthehet normave pozitive të rritjes në vitin 2021 dhe në vijim. Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, nga reduktimi i pasigurisë, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit brenda vitit 2022.

Në çdo rast, këto projeksione mbështeten në supozimin e reduktimit progresiv të pandemisë gjatë vitit 2021, dhe janë të kushtëzuara dukshëm prej saj. Ecuria e pandemisë dhe ndikimi i saj në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten burim pasigurie në parashikimet ekonomike.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm. Në veçanti, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga:

  • një zgjatje në kohë e pandemisë dhe e kufizimeve që ajo sjell në aktivitetin ekonomik;
  • një rimëkëmbje më e ngadaltë e konsumit dhe investimeve, si pasojë e një sjelljeje më të kujdesshme të familjeve dhe të biznesit shqiptar;
  • një transmetim më i ngadaltë i stimulit monetar, si pasojë e një sjelljeje më të kujdesshme të bankave në kredidhënie.

***

Në konsistencë me këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Rrjedhimisht, ai vendosi:

  • të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;
  • të lerë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se politika monetare do të vijojë të mbetet akomoduese gjatë gjithë horizontit kohor afatmesëm, në funksionin të rikuperimit të qëndrueshëm të aktivitetit ekonomik dhe të kthimit të inflacionit në objektiv.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i rreziqeve të kahut të poshtëm do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0