Më herët këtë vit, një mënyrë e jashtëzakonshme e përdorimit të mbetjeve plastike bëri bujë në titujt e lajmeve. Një bakter i zakonshëm u inxhinierua gjenetikisht për të konsumuar një molekulë të nxjerrë nga plastika dhe për ta tretur atë duke prodhuar më pas një nga ilaçet më të përdorura kundër dhimbjes, paracetamolin.
Bakteri i përdorur nga Stephen Wallace, profesor i bioteknologjisë kimike në Universitetin e Edinburgut, ishte Escherichia coli, ose më shkurt E. coli. Ky është një mikrob në formë shufre që gjendet në zorrët e njerëzve dhe kafshëve, i njohur shpesh si shkaktar infeksionesh të pakëndshme. Megjithatë, Prof. Wallace e zgjodhi automatikisht sepse disa shtame të E. coli jo-patogjene përdoren gjerësisht në laboratorët e bioteknologjisë për të testuar ide të reja. Ai e quan E. coli “kalin e punës” të fushës. Në të shkuarën, ekipi i tij e ka përdorur për të kthyer mbetjet plastike në aromë vanilje dhe madje për të kthyer yndyrën e blloqeve të kanalizimeve në parfum. “Kur do të provosh që diçka është e mundur me biologji, E. coli është gjithmonë hapi i parë,” shpjegon ai. Por përdorimi i saj nuk kufizohet vetëm në laborator. Në shkallë industriale, kazanë të mëdhenj me E. coli të inxhinieruar gjenetikisht funksionojnë si fabrika të gjalla që prodhojnë gjithçka, nga insulina për diabetikët deri te kimikate bazë për karburante dhe tretës.
Lexo edhe:Meta lançon “Vibes”, një feed videosh të shkurtra të gjeneruara nga AI
Pse E. coli është kaq e dobishme?
Sipas Thomas Silhavy, profesor i biologjisë molekulare në Universitetin Princeton, suksesi i saj vjen nga roli si organizëm model për të kuptuar parimet bazë biologjike. Përveç E. coli, edhe miu, miza e frutave dhe maja e bukës janë përdorur si modele, por bakteret si kjo janë më të thjeshta për t’u studiuar dhe manipuluar. E. coli u izolua për herë të parë në vitin 1885 nga pediatri gjerman Theodor Escherich. Për shkak se rritet shpejt dhe është e lehtë për t’u trajtuar, shumë shpejt u bë mjeti kryesor i studimeve mbi biologjinë bakteriale. Në vitet 1940, një zbulim i rastësishëm e bëri edhe më të rëndësishme: u zbulua se bakteret nuk ndaheshin vetëm, por mund të shkëmbenin gjene mes tyre – një proces që quhet “seks bakterial”. Ky ishte një moment historik që i hapi rrugën përdorimeve të shumta shkencore.
Nga kodi gjenetik te insulina sintetike
Që prej asaj kohe, E. coli ka qenë në qendër të zbulimeve madhore:
-
ndihmoi në deshifrimin e kodit gjenetik,
-
në vitet 1970 u bë organizmi i parë i inxhinieruar gjenetikisht,
-
në vitin 1978 prodhoi për herë të parë insulinën humane sintetike, duke zgjidhur problemin e alergjive nga insulina e kafshëve,
-
në vitin 1997 ishte një nga organizmat e parë me gjenom të sekuencuar plotësisht.
Adam Feist, profesor në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, thotë se e vlerëson për qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin. E. coli rritet shpejt, ushqehet me shumë lloje substratesh dhe ruhet lehtësisht. Ajo është gjithashtu shumë e mirë për të “strehuar” ADN të huaj.Nga një bakter i zakonshëm i zorrëve, shpesh i lidhur me sëmundje, E. coli është shndërruar në një prej mjeteve më të fuqishme të bioteknologjisë moderne. Sot, ajo jo vetëm që prodhon insulinë dhe ilaçe të tjera jetike, por madje është aftësuar të kthejë mbetjet plastike në produkte të dobishme si paracetamoli apo aromatizues ushqimorë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto