Babëzia, gjashtë mësimet që la pas Madoff - Business Magazine Albania

Babëzia, gjashtë mësimet që la pas Madoff

Madoff

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Babëzia është një gropë pa fund, e cila e lodh personin në një përpjekje të pafund për të përmbushur nevojën pa arritur kurrë kënaqësinë”, do të paralajmëronte Erich Fromm. Kriza financiare 2008 zbuloi pasoja shumë të rënda nga babëzia, ku fitimet nga pagat dhe bonueset marramendëse u mbetën pronarëve dhe menaxherëve, ndërsa kostot e saj, sipas nobelistit Joseph Stiglitz, iu ngarkuan padrejtësisht taksapaguesve, si kosto të rikapitalizimeve, rritjes s papunësisë, varfërisë dhe pabarazisë. Njëkohësisht, autoriteti/politikat buxhetore shtrënguese, shkurtuan, dobësuan mbrojtjen dhe solidaritetin social.

Pak javë më parë vdiq në burg në SHBA themeluesi i një prej skemave piramidale më të mëdha në kohët moderne, Bernie Madoff. Analiza e skemës dhe e profilit të tij vlen për të identifikuar flamurët paralajmërues se si mund të parandalohen mashtrimet financiare kriminale të ushqyera nga babëzia.

Duke thelluar analizën e shkaqeve dhe përmasave të babëzisë edhe me rastin Madoff, mund të qartësojmë disa mësime nga investimet financiare euforike (Learning from Mistakes66 “A smart man makes a mistake, learns from it, and never makes that mistake again”,– Roy H. Williams (1958-)) siç mund të jenë:

1. Për këdo që kërkon të bëhet milioner apo miliarder brenda natës – Kujdes nga joshjet për fitime të lehta dhe të shpejta. “Paratë nuk rriten në pemë”, është përgjigjia më profesionale për investitorët që shpresojnë fitime shumë të larta, për një kohë jo të shkurtër dhe në mënyrë të qëndrueshme.

2. Për familjarët e skemave piramidale – Mos u mashtroni nga vezullimi verbues i luksit të përkohshëm. Kostot tuaja janë shumë më të rënda dhe të gjata sesa “lumturia” e përkohshme e publicitetit vrastar të sukseseve prej “magjistari” të mashtruesve nga familjet tuaja. Reagoni menjëherë sapo kuptoni se diçka nuk shkon në biznesin e familjes suaj. Mos heshtni që në çastet e para sepse skemat piramidale rriten me shpejtësinë e ortekëve dhe kanë fuqi shkatërruese të pandalshme. Mos bashkëpunoni, mos i fshihni apo lehtësoni mashtrimet e familjarëve, “çmimi” human dhe ligjor do të jetë shumë i rëndë edhe për ju, edhe për fëmijët tuaj.

3. Për investitorët në këto skema, të joshur nga fitimet e larta të premtuara mjeshtërisht nga themeluesit mashtrues të skemave piramidale. Kujdes! Kujdes! Kujdes! Këshilla për çdo investitor potencial është: “Bëj kujdes nga drekat falas”. Fitimet e larta shoqërohen përherë me risqe të larta. Njohja e risqeve potenciale është jo e lehtë, qindra milionë dollarë të investitorëve keqpërdoren për jetë “princërore” të themeluesve të tyre si jetesa luksoze e Madoff. Në skemën Madoff ranë viktima mashtruese edhe personalitete publike. Shumë e dhimbshme ishte vetëvrasja e disa ndërmjetësve financiarë që në “mirëbesim të verbër”, por edhe të joshur nga fitimet marramendëse, edhe personale, humbën miliarda të investitorëve.

4. Një mësim për institucionet ligjore rregullatore, licencuese dhe mbikëqyrëse të bursave financiare, fondeve të investimeve dhe bankave. Madoff mashtroi për një kohë shumë të gjatë dhe në shuma marramendëse, edhe sepse SEC, autoriteti mbikëqyrës i Bursës, asnjëherë nuk i vlerësoi në kohë paralajmërimet për riskun e skemës Madoff që ofronte fitime më të larta se normat e fitimeve mesatare të fondeve të tjera. Mbikëqyrësit i trembeshin profilit publik të “magjistarit” të bursave dhe lidhjeve të tij politike.

5. Parandalimi, strategjia më efikase – prandaj Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, por sidomos komisionet e Kuvendit të Shqipërisë, duhet të hartojnë dhe implementojnë një strategji kombëtare të integruar për edukimi financiare që nis në sistemin parashkollor deri tek investitorët potencialë, të cilët nuk kanë njohuritë e nevojshme për të njohur risqet potenciale të fshehura aq “profesionalisht” nga menaxherët e babëzitur të skemave mashtruese. Jo rastësisht, në vendet e zhvilluara skemat piramidale janë në përmasa që nuk dëmtojnë stabilitetin politik dhe të financave publike. Vetëm në SHBA shfaqen çdo vit rreth 20.000 skema të reja mashtruese. Ato rishfaqen edhe në vendin tonë, edhe pse dhimbjet njerëzore të viktimave nga piramidat vazhdojnë pasi në 1997 humbën kursimet rreth 1.8 milionë shqiptarë dhe përmasat e skemave piramidale arritën deri në 50 për qind e GDP-së.

6. Një mësim për Prokurorinë dhe Gjyqësorin. Hetimi i thelluar për çdo skemë piramidale fillon nga Prokuroria. Madoff u dënua 150 vite dhe ky dënim nuk iu reduktua asnjëherë, sepse skema e tij piramidale kullonte gjak nga vetëvrasjet e familjarëve dhe investitorëve të mashtruar. Në Shqipëri, themeluesit e skemave piramidale më parë dolën nga burgu sesa hynë. Ata nuk bashkëpunuan kurrë me drejtësinë, as me “Deloitte&Touche”, kompania administratore e kompanive piramidale deri në mbyllje. Asnjë prej bosëve të piramidave nuk bashkëpunon as me Grupim Mbikëqyrës të firmave piramidale, të krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë. “Bosët” nuk ndihmuan në riatdhesimin e qindra miliona dollarëve jashtë Shqipërisë, prandaj kompensimi i kreditorëve të pafajshëm u bë i vështirë dhe rezultoi i ultë.

Babëzia ka prekur edhe disa politikanë që synojnë pushtet absolute dhe pasurim të shpejtë nga burime deri edhe kriminale. Shqipëria ndodhet përballë sfidës së: (1)fillimit të dhënies fund të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe (2) përmirësimit të efikasitetit të autoriteteve rregullatorë, licencuese dhe mbikëqyrëse, duke filluar me integritetin e drejtuesve dhe stafeve profesionale.

Aktualisht, “psikologjia e turmave”, që bien viktima të investimeve financiare euforike, është rritur ethshëm nga marketingu dixhital. Vetëm pak ditë më parë, Elon Musk kishte një mesazh të ri për 53 milionë ndjekësit e tij në “Twitter”. Musk theksoi se “Cryptocurrency është premtuese, por ju lutemi investoni me kujdes! Për të qenë i qartë – njerëzit nuk duhet të investojnë kursimet e tyre të jetës në kriptovalutë. Kjo është mençuri”.

Kujtesa historike është e shkurtër, gabimet apo dështimet që harrohen, kanë risk të lartë të përsëriten. Bazuar në filozofinë e të mësuarit nga dështimet, ky artikull është detyrim mirënjohës për investitorët e vendit tim duke filluar me ata që nuk kanë njohuritë e nevojshme, por edhe për të qartësuar sadopak biznesmenët ambiciozë për fitime të shpejta dhe të lehta, por me risk të lartë për të rënë viktima të babëzisë, jo vetëm të të tjerëve.

Aktualisht po punoj që në vitin 2022, rreth 25 vite pas rënies së skemave piramidale të vitit 1997, të botoj një libër për shkaqet, përmasat dhe pasojat e rritjes dhe rënies së skemave piramidale, synoj të plotësoj edhe një detyrim mirënjohës ndaj studiuesve dhe ndaj “arshivës” së historisë së ekonomisë dhe financave të tranzicionit të gjatë dhe të vështirë të vendit tonë.

Panorama

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0