Autoriteti i Konkurrencës gjobit gjashtë grumbullues të fruta-perimeve për fiksim çmimesh - Business Magazine Albania

Autoriteti i Konkurrencës gjobit gjashtë grumbullues të fruta-perimeve për fiksim çmimesh

Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka gjobitur disa ndërmarrje të tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve, për sjellje të bashkërenduar në përcaktimin e çmimeve të këtyre produkteve.

Vendimi erdhi në përfundim të vlerësimit të praktikave në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë, pas një procedure të thelluar hetimore që zgjati gati dy vite dhe përfshiu monitorimin e tregut, hetimin paraprak dhe hetimin e thelluar.

Në mbledhjen e datës 26 nëntor, Komisioni i Konkurrencës miratoi vendimet me të cilat konstatoi se një grup ndërmarrjesh grumbulluese, Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi Person Fizik, Besim Thaqi Person Fizik, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK, kanë bashkërenduar çmimet e blerjes gjatë periudhave të sezonit, duke diktuar çmimet në dëm të fermerëve dhe duke aplikuar mark-up (shtesë mbi kosto) shumë të lartë, deri në 115%.

Sipas Autoritetit, kjo sjellje e bashkërenduar përbën marrëveshje të ndaluar sipas nenit 4 të ligjit nr.9121/2003 dhe është cilësuar si shkelje e rëndë, për të cilën Komisioni ka vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros së vitit financiar paraardhës.

Lexo edhe: Shkencëtarët zbulojnë përfitimin e madh për zemrën që fshihet në ushqimet e përditshme

Hetimi i thelluar tregoi se disa grumbullues, falë fuqisë së tyre negociuese, kishin krijuar një situatë ku fermerët shpesh përballeshin me: çmime të diktuara e të koordinuara, dyer të mbyllura për negocim, varësi të tepruar nga pak blerës, presione për uljen e çmimeve dhe shlyerje të vonuara të pagesave.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, ky vendim adreson në mënyrë të drejtpërdrejtë këto problematika dhe forcon pozitat e fermerëve në treg, duke krijuar kushte për çmime më të drejta e më transparente, konkurrencë të ndershme mes grumbulluesve, mundësi reale zgjedhjeje për fermerët, pagesa më të sigurta dhe marrëdhënie më të balancuara kontraktuale dhe frenimin e skemave të koordinuara që dëmtonin të gjithë tregun kombëtar.

Megjithëse gjobiten 6 ndërmarrje, sipas këtij institucioni efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar, sepse sjell qartësi mbi praktikat e ndaluara, vendos standarde të reja për transparencën e çmimeve, synon disiplinimin e tregut të fruta-perimeve dhe nxit konkurrencën e ndershme për të gjithë aktorët.

Kjo është një ndërhyrje strukturore me impakt të drejtpërdrejtë në zinxhirin ushqimor dhe një sinjal i qartë se Autoriteti i Konkurrencës mbron interesat e fermerëve, një kategori që shpesh përballet me pabarazi të theksuar në negociata.

Gjithashtu, Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e gjobitura që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë, ndërkohë që do të jenë subjekt monitorimi për 1 vit nga Autoriteti i Konkurrencës.

Këto masa synojnë rritjen e transparencës dhe krijimin e një tregu më të drejtë për fermerët.

Njëkohësisht, Autoriteti I konkurrencës ka adresuar disa rekomandime për Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Autoriteti i Konkurrencës rekomandon minimizimin e informalitetit në gjithë zinxhirin e tregtimit, hartimin e një baze të re ligjore në përputhje me standardet e BE-së, krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve (bursë agro-ushqimore), vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe të standardizuara dhe bashkëpunimin për transpozimin e Direktivës së BE-së për praktikat tregtare të padrejta (UTP).

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0