Autoriteti Europian i Privatësisë nis hetim të gjerë ndaj platformës X të Elon Musk - Business Magazine Albania

Autoriteti Europian i Privatësisë nis hetim të gjerë ndaj platformës X të Elon Musk

Autoriteti europian për mbrojtjen e të dhënave personale ka hapur një hetim ndaj platformës X, në pronësi të Elon Musk, lidhur me imazhet e seksualizuara të gjeneruara nga chatbot-i i inteligjencës artificiale, Grok.

Ky veprim shton presionin rregullator mbi X, e cila tashmë po përballet me hetime edhe në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi muajin e kaluar u publikuan mijëra imazhe “deepfake” me përmbajtje seksuale – kryesisht të grave, por edhe të fëmijëve – të krijuara përmes Grok, duke shkaktuar reagime të forta në nivel global.

Komisioni Irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave (DPC), institucioni përgjegjës për zbatimin e Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR) në Bashkimin Europian, njoftoi të martën se ka nisur një hetim “në shkallë të gjerë” ndaj X, lidhur me këto imazhe.

Në fokus të hetimit do të jetë nëse platforma X ka respektuar detyrimet e saj sipas rregullave europiane për privatësinë, veçanërisht në mënyrën se si ka trajtuar të dhënat personale të qytetarëve të BE-së.

“DPC ka qenë në komunikim me X që prej momentit kur u shfaqën raportimet e para në media, disa javë më parë, lidhur me mundësinë që përdoruesit e X të nxisin llogarinë @Grok për të gjeneruar imazhe të seksualizuara të personave realë, përfshirë edhe fëmijë,” deklaroi zëvendëskomisioneri Graham Doyle.

Lexo edhe:ChatGPT nuk është i vetmi chatbot që përdor Grokipedia-n e Elon Musk si burim

Sipas tij, hetimi do të shqyrtojë nëse X ka respektuar detyrimet themelore të parashikuara nga GDPR në lidhje me këtë çështje. CNN bëri të ditur se ka kontaktuar platformën X për koment, por nuk ka marrë ende një përgjigje.

Grok është zhvilluar nga startup-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, xAI, i cili vitin e kaluar bleu platformën X. Chatbot-i është i integruar drejtpërdrejt në rrjetin social.

Nën presionin e qeverive, përfshirë kërcënimet për ndalime dhe gjoba, X muajin e kaluar kufizoi aftësinë e Grok për të gjeneruar imazhe me përmbajtje eksplicite. Megjithatë, kompania vazhdon të jetë nën hetim në disa shtete europiane.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Zyra e Komisionerit për Informacionin (ICO) njoftoi më herët këtë muaj hapjen e hetimeve formale ndaj X dhe xAI, lidhur me përpunimin e të dhënave personale nga sistemi Grok dhe potencialin e tij për të prodhuar imazhe dhe video të dëmshme me përmbajtje seksuale.

Ndërkohë, në fillim të shkurtit, policia bastisi zyrat e X në Paris, në kuadër të një hetimi më të gjerë ndaj kompanisë dhe Grok. Elon Musk u thirr gjithashtu për t’u marrë në pyetje. Në reagimin e saj, ekipi global i marrëdhënieve me qeveritë i X i mohoi akuzat dhe i cilësoi pretendimet që çuan në bastisje si “të pabazuara”.

Bashkimi Europian po e heton tashmë platformën X edhe për mënyrën se si ka vlerësuar dhe menaxhuar rreziqet që lidhen me integrimin e funksioneve të Grok në territorin e BE-së. Kontroversia rreth Grok ka rikthyer në qendër të debatit rolin e inteligjencës artificiale dhe rrjeteve sociale në krijimin e rreziqeve për të rinjtë dhe fëmijët. Të hënën, Mbretëria e Bashkuar njoftoi planet për të detyruar chatbot-ët e AI-së, përfshirë Grok, ChatGPT dhe Gemini të Google, të respektojnë ligje më të rrepta për mbrojtjen e përdoruesve nga përmbajtjet e paligjshme.

CNN

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0