"Audos": Startupi që kërkon të nisë 100,000 biznese në vit përmes fuqisë së AI - Business Magazine Albania

“Audos”: Startupi që kërkon të nisë 100,000 biznese në vit përmes fuqisë së AI

"Audos": Startupi që kërkon të nisë 100,000 biznese në vit përmes fuqisë së AI

Henrik Werdelin, pas 15 vitesh eksperiencë në ndërtimin e markave si Barkbox përmes studios së startup-eve Prehype, ka nisur një rrugëtim të ri. Me iniciativën e tij më të fundit, Audos, një studio me bazë në New York , ai synon të shndërrojë procesin e ndërtimit të bizneseve duke përdorur inteligjencën artificiale, me një ambicie të guximshme: të ndihmojë në krijimin e qindra mijëra kompanive çdo vit.

Koha duket e përshtatshme. Pushimet masive nga puna në shumë industri kanë shtyrë shumë individë të rishikojnë karrierën e tyre, ndërkohë që mjetet e AI kanë ulur ndjeshëm barrierat për ndërtimin e produkteve dhe shërbimeve dixhitale. Pikërisht në këtë ndërthurje pozicionesh vjen Audos, me një premtim për të fuqizuar sipërmarrësit e zakonshëm për të ndërtuar biznese milionëshe, pa qenë nevoja të kenë aftësi teknike.

Werdelin thotë për TechCrunch se qëllimi i Audos është të demokratizojë njohuritë dhe metodat e grumbulluara gjatë viteve në Prehype, duke i vënë ato në shërbim të çdokujt që ka një ide biznesi, por mungesë përvoje teknike apo qasje në kapital tradicional.

Nga ideja te testimi i tregut, vetëm me një bisedë me AI
Audos i pajis përdoruesit me mjete të fuqishme AI që i ndihmojnë të ndërtojnë produkte vetëm përmes gjuhës natyrore, si dhe të targetojnë klientë të mundshëm në rrjete sociale si Instagram dhe Facebook. Përmes algoritmeve të avancuara të reklamimit, platforma teston në kohë reale nëse një ide ka kosto të qëndrueshme për fitimin e klientëve.

Që nga lançimi beta, Audos ka ndihmuar në nisjen e “qindra” bizneseve, përfshirë një mekanik makinash që dëshiron të ndihmojë njerëzit të vlerësojnë ofertat për riparime, një person që ofron shërbime për organizimin e procedurave pas vdekjes, trajnerë virtualë për goditjet në golf dhe nutricionistë me mbështetje AI. Werdelin i quan me humor këto biznese “donkeycorns” – kompani të vogla, por me potencial të qëndrueshëm.

Procesi është i thjeshtë: një person klikoni mbi një reklamë të Audos, zhvillon një bisedë me një agjent AI për të qartësuar idenë dhe publikun e synuar, dhe më pas platforma e çon menjëherë përballë klientëve të mundshëm për të testuar interesin.

Një model i ri biznesi: pa aksione, por me pjesë në të ardhurat
Ndryshe nga akseleratorët tradicionalë apo investitorët e kapitalit të rrezikut, Audos nuk merr aksione në bizneset që ndihmon të krijohen. Në vend të kësaj, aplikon një model ku merr 15% të të ardhurave që biznesi gjeneron – përherë. Për këtë, ofron deri në 25,000 dollarë financim fillestar, qasje në mjetet e zhvillimit me AI dhe ndihmë për shpërndarjen në treg përmes fushatave me pagesë në rrjete sociale.

Sipas Werdelin, kjo qasje është më e përshtatshme për llojin e bizneseve që Audos synon të krijojë – biznese të vogla, të qëndrueshme, që nuk kërkojnë shitje apo investime miliona dollarëshe.

Megjithatë, kjo pjesë e të ardhurave që merret përherë mund të jetë e diskutueshme për disa, veçanërisht nëse në të ardhmen ekzistojnë alternativa që ofrojnë mjete të ngjashme pa këtë “taksë të përhershme”.

Po nëse AI i bën të gjitha vetë?
Ndërsa Werdelin thekson rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve reale me klientët, mbetet për t’u parë se sa nga ky aspekt mund të menaxhohet realisht nga AI. Gjithashtu, me rritjen e numrit të mjeteve të ngjashme në treg, është e paqartë si do të diferencohet Audos në planin afatgjatë. Megjithatë, investitorët nuk duket se shqetësohen. Audos ka siguruar 11.5 milionë dollarë në raundin e parë të financimit të udhëhequr nga True Ventures. Sipas partnerit Tony Conrad, numri i njerëzve që mund të përfitojnë nga një platformë si kjo është jashtëzakonisht i madh.

Synimi nuk është ndërtimi i “unicorn”-ëve, por i miliona bizneseve jetësisht të rëndësishme
Për Werdelin, misioni nuk është ndërtimi i gjigantëve të teknologjisë, por fuqizimi i miliona njerëzve për të ndërtuar biznese me të ardhura të qëndrueshme, që i ndryshojnë jetën. “Ne duam të ndihmojmë në ndërtimin e një milion kompanive që gjenerojnë një milion dollarë në vit. Kjo është një industri me xhiro prej një trilion dollarësh,” thotë ai. Në një kohë kur siguria e punës tradicionale është gjithnjë e më e brishtë, dhe teknologjia po hap dyer të reja çdo ditë, një vizion i tillë duket gjithnjë e më realist. Në fund të ditës, siç e përmbyll edhe vetë Werdelin: “Besojmë se bota është më e mirë kur ka më shumë sipërmarrje.” Investitorë të tjerë të Audos përfshijnë edhe Offline Ventures, Bungalow Capital dhe emra të njohur si Niklas Zennstrom dhe Mario Schlosser.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0