Arrestohet 13-vjeçari në SHBA pasi pyeti ChatGPT si të vriste shokun - Business Magazine Albania

Arrestohet 13-vjeçari në SHBA pasi pyeti ChatGPT si të vriste shokun

Një adoleshent 13-vjeçar në Florida u arrestua pasi përdori ChatGPT për të bërë një pyetje që tronditi autoritetet shkollore dhe policinë: “Si mund ta vras shokun tim gjatë orës së mësimit?”. Pyetja, e bërë përmes një pajisjeje të shkollës, aktivizoi menjëherë sistemin e sigurisë së institucionit. Sistemi i monitorimit të drejtuar nga inteligjenca artificiale GaggleAI dërgoi menjëherë një alarm tek oficeri i policisë përgjegjës për sigurinë e kampusit. Sipas rrjetit lokal NBC (WFLA), polici arriti të lokalizojë dhe arrestojë nxënësin në shkollën “Southwestern Middle School” në qytetin DeLand, rreth një orë në veri të Orlandos.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregonin momentin kur 13-vjeçari dilte me pranga nga automjeti i policisë. Adoleshenti deklaroi më vonë se pyetja ishte “vetëm një shaka me shokun”. Megjithatë, për shkak të historisë së gjatë të sulmeve të armatosura në shkollat amerikane, përfshirë masakrën në shkollën “Marjory Stoneman Douglas” në Parkland, Florida, ku u vranë 17 persona autoritetet nuk e morën lehtë incidentin.

Në Gjermani, ngjarje të ngjashme me kërcënime për bomba në shkolla janë raportuar në maj, por rezultuan të jenë kopje të njëjtës mesazh, dhe policia njoftoi shpejt se nuk kishte rrezik real.

Lexo edhe: Qëndrueshmëria, nga kërkesë ligjore në një domosdoshmëri për bizneset në epokën e gjelbër

Thirrje për kujdes nga prindërit

Pas incidentit, autoritetet i bënë thirrje prindërve të jenë më vigjilentë ndaj mënyrës se si fëmijët e tyre përdorin internetin, veçanërisht platformat e kërkimit dhe chatbot-ët me inteligjencë artificiale. “Një shaka e vetme mund të shndërrohet në një emergjencë shkollore,” deklaroi zyra e policisë së qarkut. “Prindër, flisni me fëmijët tuaj që të mos përsërisin një gabim të tillë.”

Megjithëse GaggleAI konsiderohet efektiv për zbulimin e hershëm të sjelljeve të rrezikshme, sistemi është kritikuar për shkak të numrit të lartë të alarmeve të rreme dhe për ndërhyrjen e tepruar në privatësinë e nxënësve. Debati mbetet i hapur midis atyre që theksojnë nevojën për siguri dhe atyre që paralajmërojnë për një ambient shkolle të ngjashëm me “shtetin e mbikëqyrjes”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0