Arnold Schwarzenegger: Suksesi afatgjatë vjen nga një mentalitet i thjeshtë... - Business Magazine Albania

Arnold Schwarzenegger: Suksesi afatgjatë vjen nga një mentalitet i thjeshtë…

Arnold Schwarzenegger: Suksesi afatgjatë vjen nga një mentalitet i thjeshtë...

Të gjithë duam të kemi sukses, sipas mënyrës se si secili prej nesh e përkufizon “suksesin”. Por të duash suksesin nuk mjafton. Nuk mjafton të thuash “dua të ndërtoj një biznes të suksesshëm”. Duhet të duash edhe punën që vjen me të: planifikimin e përditshëm, zbatimin, shitjet, dështimet, mësimin e vazhdueshëm.

Nuk mjafton të duash të jesh një lider i mirë. Duhet të duash edhe punën e përditshme të udhëheqjes: motivimin e njerëzve, zhvillimin e tyre, menaxhimin e konflikteve, komunikimin e vazhdueshëm.

Duhet të duash qëllimin, atë që Arnold Schwarzenegger e quan “vizion”, por mbi të gjitha duhet të duash procesin që të çon drejt tij.

Madje, më mirë akoma: duhet të presësh me padurim punën.

Siç thotë vetë Arnold: “Njerëzit më pyesnin gjithmonë pse isha duke buzëqeshur ndërsa stërvitesha 5 orë në ditë. Të tjerët bënin të njëjtën gjë, por ishin të mërzitur, të lodhur, të bezdisur që duhej të bënin edhe një set tjetër, edhe një përsëritje tjetër. Unë mezi prisja të bëja edhe një mijë ushtrime barku, edhe disa seri të tjera me peshë. Pse? Sepse e dija që çdo përsëritje më afronte një hap më shumë drejt realizimit të vizionit tim. Kështu që isha i emocionuar. Mezi prisja të shkoja në palestër.”

Arnold e shihte suksesin si një lojë probabiliteti dhe përsëritjeje. Sa më shumë “reps” të bësh, aq më afër i afrohesh qëllimit. Sa më shumë përsëritje, aq më i mirë bëhesh në atë që bën. Kjo është arsyeja pse sipërmarrësit e mëdhenj arrijnë rezultate të jashtëzakonshme. Kjo është arsyeja pse investitorët, shkrimtarët, shpikësit dhe profesionistët e suksesshëm ecin përpara: jo vetëm nga talenti, por nga numri i përpjekjeve. Merr shembull shitësit e shkëlqyer. Ata bëjnë më shumë telefonata, më shumë takime, më shumë ndjekje pas kontaktit të parë. Sa më shumë “reps”, aq më shumë rriten shanset për sukses.

Lexo edhe: Probleme teknike në minutën e fundit, NASA shtyn misionin historik drejt Hënës

E njëjta gjë vlen edhe për shkrimin. Nëse shkruan 5,000 fjalë, jo të gjitha do të jenë perfekte. Por mes tyre do të dalin ide të forta, fjali të mira, fragmente që mund të përmirësohen. Çdo fjalë të çon më pranë diçkaje me vlerë. E njëjta gjë vlen për sportin, për ndërtimin e aftësive praktike, për çdo zanat. Fillimi është gjithmonë i vështirë, por sa më shumë ta bësh, aq më shumë rritet siguria dhe cilësia e rezultatit. Ndryshimi i perspektivës, të shohësh përsëritjen si rrugën drejt qëllimit, e ndryshon gjithçka.

Pra, ashtu si Arnold:
Do të jesh më i miri në fushën tënde? Duaje procesin.
Do të ndërtosh një karrierë, një biznes, një emër? Duaje përditshmërinë e punës, jo vetëm rezultatin final.
Do të bëhesh dikush më i mirë nesër? Duaje çdo hap të vogël sot.

Mos i shih “reps” si barrë.
Mos i shih si sakrificë të përkohshme.
Mos i shih si diçka që duhet “ta kalosh sa më shpejt”.

Shihi si investim tek vetja. Sepse çdo hap i vogël, çdo përpjekje, çdo përsëritje, të çon më pranë asaj që dëshiron të bëhesh.

Dhe kur fillon të shijosh rrugëtimin, jo vetëm destinacionin, atëherë ke filluar vërtet të kesh sukses.

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0