Nëse nuk do të ishte artist, Arben Tufina mund të mos ishte as sipërmarrës. Në fakt, burimi i sipërmarrjes së tij lind nga të qenurit me profesion piktor dhe orëndreqës, si profesion i trashëguar me shekuj në familjen e tij TUFINA, siç ai tregon. Por, gjatë një përshkrimi të nisjes, transformimit dhe zhvillimit të sipërmarrjes, shtyllë mbështetëse e aktivitetit duket edhe shpirti i tij sfidues, ambicja dhe largpamësia.
Duke u renditur ndër sipërmarrësit e parë në vend me ardhjen e demokracisë, Tufina eksploroi, eksperimentoi në shumë fusha të biznesit si ato të elektronikës, ushqimeve dhe të industrisë të veshjeve dhe këpucëve, por në fund vërtetoi që kozmetika e parfumeria ishin zgjedhja e tij ideale, të cilat kishin munguar dhe ishin tabu për popullsinë prej 45 vitesh të sistemit totalitar. Produktet e bukurisë kërkojnë shume korrektësi, cilësi dhe art, sipas tij.
“Para viteve ‘90 edhe pse ishte e ndaluar, ushtroja profesionin e orëndreqësit dhe shisja piktura, duke kompensuar kështu pagën e ulët që ishte atëherë. Që në vitin ‘89 nisi liberalizimi i tregut. Filloi rënia e fuqisë së qeverisë komuniste”, tregon ai. I përndjekur politik, Tufinës i duhej shumë përpjekje për të ecur përpara. Por, kjo e bëri më të fortë. Ishte shumë më korrekt në punën e tij, për shkak se ishte nën lupën e regjimit. Mësoi shumë zanate përmes kurseve të ndryshme dhe lëvizjeve nga vendi i punës që i bënin njerëzit drejtues të regjimit, ndërsa kishte studiuar më parë Liceun Artistik dhe e angazhonin të mbante emulacionin socialist. Ai kujton sot se edhe parullat duhet t’i dizenjonte dhe ngjyroste me kujdes, pasi mund të kritikohej dhe ta dënonin për ngjyrën e e papërshtatshme, apo çdo hap jashtë normës së realizmit socialist.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto