Apple i hyn garës së podkasteve me video, përballë YouTube dhe Spotify - Business Magazine Albania

Apple i hyn garës së podkasteve me video, përballë YouTube dhe Spotify

Apple njoftoi të hënën se këtë pranverë do të sjellë një eksperiencë të re të integruar për podcast-e me video në aplikacionin Apple Podcasts.

Ky hap vjen në një moment kur formati video po e transformon mënyrën se si konsumohen podcast-et. Sipas Edison Research, rreth 37% e personave mbi moshën 12 vjeç shikojnë podcast-e me video çdo muaj.

Me këtë përditësim, Apple Podcasts afrohet më shumë me konkurrentët kryesorë si YouTube, Spotify dhe së fundmi edhe Netflix, të cilët kanë investuar gjithnjë e më shumë në përmbajtje podcast-esh me video.

“Njëzet vite më parë, Apple ndihmoi që podcast-et të bëheshin pjesë e kulturës masive duke i integruar në iTunes, dhe më shumë se një dekadë më parë prezantuam aplikacionin Apple Podcasts,” u shpreh Eddy Cue, Zëvendëspresident i Lartë për Shërbimet në Apple. “Duke sjellë një eksperiencë video të nivelit më të lartë në Apple Podcasts, ne u japim krijuesve kontroll të plotë mbi përmbajtjen dhe mënyrën si ndërtojnë biznesin e tyre, ndërsa audiencës i ofrojmë një mënyrë më të lehtë për të dëgjuar ose parë podcast-e.”

Brenda aplikacionit Apple Podcasts, përdoruesit do të mund të kalojnë pa ndërprerje nga dëgjimi në shikimin e të njëjtit podcast nga i njëjti feed. Do të ofrohet gjithashtu funksioni “picture-in-picture” dhe mundësia për të shkarkuar episodet me video për t’i parë offline. Edhe pse Apple Podcasts e ka mbështetur videon përmes RSS që nga viti 2005, më parë feed-et e videos ishin të ndara nga ato audio. Përditësimi i ri sjell mbështetje për HLS (HTTP Live Streaming), protokoll i zhvilluar nga vetë Apple, që mundëson transmetim adaptiv të videos dhe më shumë kontroll brenda aplikacionit.

Lexo edhe: Kompensimi për kontributet e sigurimeve pas rritjes së pagës minimale, ja kur hapen aplikimet

Formati i ri HLS mundëson edhe futjen dinamike të reklamave video. Krijuesit që shpërndajnë përmbajtje përmes platformave partnere dhe rrjeteve të reklamave do të kenë mundësi të përfshijnë reklama video në episodet e tyre, përfshirë reklama të lexuara nga vetë host-i.

Apple bëri të ditur se nuk do të tarifojë krijuesit apo platformat pritëse për shpërndarjen e përmbajtjes. Megjithatë, do të aplikojë tarifa për rrjetet e reklamave, bazuar në numrin e shfaqjeve të reklamave video që shpërndahen përmes HLS.

Partnerët e parë të hostimit të podcast-eve që do të mbështesin formatin HLS janë Acast, ART19 (në pronësi të Amazon), Omny Studio i Triton dhe SiriusXM.

Ky njoftim vjen në një kohë kur konkurrentët po investojnë fort në video-podcast. YouTube deklaroi vitin e kaluar se ka mbi 1 miliard shikues aktivë mujorë të përmbajtjeve podcast në platformën e tij. Spotify, nga ana tjetër, ka zgjeruar ofertën e podcast-eve me video dhe ka bërë të ditur se vetëm në tremujorin e parë të vitit të kaluar ka paguar mbi 100 milionë dollarë për krijuesit e përmbajtjes.

Edhe Netflix ka hyrë në këtë treg. Platforma ka nënshkruar një marrëveshje me Spotify për të sjellë podcast-e me video në Netflix dhe ka nisur të investojë në përmbajtje origjinale, përfshirë “The Pete Davidson Show”, që u lançua në janar.

Apple nuk publikon të ardhura specifike për Apple Podcasts, por segmenti i Shërbimeve i kompanisë, ku përfshihen përmbajtjet digjitale dhe abonimet, gjeneroi rreth 30 miliardë dollarë të ardhura në tremujorin e fundit.

Në janar, kompania bleu startup-in izraelit të inteligjencës artificiale Q.ai për një shumë të padeklaruar. Detajet e marrëveshjes nuk janë bërë publike, por sipas faqes së kompanisë, Q.ai po zhvillonte mjete AI të fokusuara në audio.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0