Aplikacionet “fantazmë”, Policia e Shtetit godet rrjetin e mashtrimit online - Business Magazine Albania

Aplikacionet “fantazmë”, Policia e Shtetit godet rrjetin e mashtrimit online

Policia e Shtetit ka finalizuar mbrëmë, 13 shtator, një operacion masiv duke zbuluar një rrjet që dyshohet se ka përhapur një skemë piramidale me anë të aplikacioneve dhe grupeve të mbyllura në Telegram. Policia njofton se janë kryer 83 kontrolle në banesa dhe subjekte në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh, ndërsa gjashtë persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas uniformave blu, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “skema mashtruese piramidale” dhe “mashtrim kompjuterik”. Hetimet tregojnë se personat e arrestuar qendronin në krye të zinxhirit të skemës, ku roli i tyre kryesor ishte rekrutimi i pjesëmarrësve të rinj dhe orientimi i tyre brenda grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram.

Anëtarët e skemës udhëzonin të interesuarit të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON, me premtime për “shumëfishim fitimesh”. Përdorimi i kriptomonedhave, thonë hetuesit, ishte zgjedhur qëllimisht për vështirësinë e gjurmimit dhe për perceptimin e rremë që kanë disa qytetarë se ato janë mjet modern e i sigurt për investim.

Mekanizmi ishte klasik piramidal: secili pjesëmarrës u kërkohej të sjellë të paktën pesë persona të tjerë, me premtime për ardhura që rriteshin proporcionalisht me numrin e rekrutimeve dhe shumën e investuar. Në realitet, shpjegon policia, fitonin vetëm nivelet e larta; shumica e pjesëmarrësve shihnin kursimet e tyre të shuheshin.

Lexo edhe: AKSK: Kujdes nga skemat mashtruese të investimeve online – Rasti TXEX

Gjatë kontrollit u sekuestruan prova materiale: 50 telefona celularë, 11 njësi kompjuterike, 1 DVR, 2 hard-diskë, një automjet, si dhe para në dorë,  4.2 milionë lekë, 28,000 euro, 1,750 dollarë dhe 340 franga. Autoritetet njoftuan gjithashtu ngrirjen e gjashtë llogarive të kriptomonedhave, që dyshohen se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat e aktivitetit kriminal.

Ky rast vjen pas paralajmërimeve të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike që nga gushti lidhur me tre platforma të dyshimta: TXEX, XUEXA dhe Grokrexduu; aplikacione që reklamonin investime në kriptovaluta pa qenë të regjistruara apo të licencuara në Shqipëri. Sipas njoftimeve, këto platforma përdornin reklama mashtruese në rrjete sociale dhe grupe komunikimi për të paraqitur fitime të fabrikuara dhe për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat.

Policia lëshoi një apel të fortë për qytetarët: mos i besoni premtimeve të fitimit të menjëhershëm, mos lejoni që emocionet apo presioni social t’ju shtyjnë drejt investimeve të pa verifikuara. “Këto nuk janë mundësi investimi, por mashtrime të strukturuara dhe të sofistikuara, ku në fund humbin më të pambrojturit,” theksojnë hetuesit.

Hetimet vazhdojnë dhe organet e rendit bëjnë thirrje që kushdo që ka humbur fonde apo posedon informacione për këto aktivitete të kontaktojë policinë. Rasti fuqizon nevojën për rritjen e edukimit financiar dhe për masa më të forta rregullatore ndaj platformave digjitale që reklamojnë mundësi investimi.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0