Ankand Albania po përpiqet të ndryshojë mënyrën se si shqiptarët blejnë dhe shesin online, duke u dhënë sendeve një shans të dytë dhe duke sfiduar idenë e konsumit pa kriter. Në këtë intervistë, Arisela Hebovija, bashkëthemeluese e startupit, tregon çfarë e pret dhe çfarë shpreson të arrijë me këtë platformë. Me përvojë solide në strategji HR, menaxhim të talenteve, rekrutim, ligj pune, diversitet, dhe sisteme të burimeve njerëzore, plus një dozë coaching-u, ajo ka një bazë të fortë për të drejtuar këtë nismë. Nga logjistika te besimi i përdoruesve, në këtë intervistë me Ariselën do të kuptojmë si Ankand Albania planifikon të bëjë diferencën në tregun lokal dhe rajonal.
Cilat janë disa nga sfidat kryesore që prisni gjatë zhvillimit të Ankand Albania dhe si do t’i kapërceni ato?
Një nga sfidat kryesore do të jetë ndryshimi i mentalitetit mbi blerjet dhe shitjet online. Tregu shqiptar është ende në fazën e adoptimit të platformave të tilla dhe besimi te transaksionet në distancë mbetet një pengesë. Për këtë arsye, do të investojmë në siguri, transparencë dhe një sistem vlerësimi për përdoruesit, duke krijuar një mjedis të besueshëm.
Një tjetër sfidë do të jetë logjistika dhe lehtësimi i procesit të dërgesave për shitësit dhe blerësit. Partneritetet me kompani të besueshme transporti do të sigurojnë që çdo transaksion të jetë i lehtë dhe pa komplikime.
Natyrisht, gjithmonë ka sfida të paparashikuara, por ne i shohim ato si mundësi për të inovuar. Në fund të fundit, nëse gjithçka do të ishte e lehtë, nuk do të quhej startup, por biznes i mirëformuar!
Cilat janë arritjet më të mëdha që synoni të arrini me Ankand Albania?
Synimi ynë është të krijojmë një platformë që nuk është thjesht një treg i zakonshëm online, por një hapësirë ku sendet, veshjet, pajisjet dhe produktet në përgjithësi gjejnë vlerën e tyre të vërtetë. Ne duam të fuqizojmë grupe të ndryshme shoqërore—të rinjtë që mund të shesin e të fitojnë nga sendet që nuk u duhen më; prindërit, veçanërisht nënat që janë në shtëpi dhe kërkojnë një mënyrë të re për t’u angazhuar, pa sakrifikuar kujdesin për të vegjlit; si dhe koleksionistët që kërkojnë objekte unike me histori.
Një tjetër arritje e rëndësishme do të jetë edukimi i tregut për konceptin e anti-konsumizmit. Në një kohë kur blerjet impulsive janë bërë normë, Ankand Albania do të promovojë një qasje më të ndërgjegjshme ndaj konsumit, duke inkurajuar ripërdorimin dhe qarkullimin e produkteve të reja, të pashfrytëzuara ose të përdorura shumë pak.
Si e shihni zhvillimin e Ankand Albania në 3-5 vitet e ardhshme?
Në tre deri pesë vitet e ardhshme, synojmë të bëhemi platforma lider në rajon për ankandet online, duke krijuar një komunitet të fortë përdoruesish që jo vetëm blejnë e shesin, por edhe ndërveprojnë, ndajnë histori dhe vlerësojnë produktet e njëri-tjetrit.
Teknologjikisht, do të punojmë për të përmirësuar vazhdimisht përvojën e përdoruesve, duke integruar mjete të zgjuara për verifikimin e autenticitetit dhe menaxhimin e ofertave në kohë reale.
Në aspektin e ndikimit social, presim që Ankand Albania të bëhet një zgjidhje konkrete për ata që duan të monetizojnë sendet e tyre pa qenë të detyruar të ulin vlerën e tyre në tregjet tradicionale.
A planifikoni partneritete që do të jenë kyçe për zhvillimin e Ankand Albania?
Absolutisht. Po punojmë për të krijuar bashkëpunime strategjike me kompani logjistike për të siguruar që procesi i dërgimit të sendeve të jetë sa më i lehtë dhe i përballueshëm.
Po ashtu, po shqyrtojmë mundësinë e partneriteteve me institucione dhe organizata që promovojnë ekonominë rrethore dhe anti-konsumizmin, me qëllim që të rrisim ndërgjegjësimin dhe të sjellim ndryshim në mënyrën sesi njerëzit i qasen blerjeve dhe shitjeve.
Ju jeni një nga startup-et e përzgjedhura në Challenge Fund. Çfarë projektesh keni në plan të realizoni me këtë mbështetje?
Mbështetja nga Challenge Fund, për hir të së vërtetës, është ajo që po i jep jetë Ankand Albania dhe po e kthen atë nga një skicë dhe plan në letër, në një platformë aktuale digjitale. Ky fond do të na ndihmojë të zhvillojmë platformën në mënyrë të qëndrueshme, duke siguruar një bazë të fortë teknologjike dhe një strategji efektive për të angazhuar përdoruesit.
Në plan të parë kemi ndërtimin e një sistemi ankandesh të optimizuar për tregun lokal, edukimin e përdoruesve mbi funksionimin e platformës dhe rritjen e besimit në blerjet online. Gjithashtu, do të fokusohemi në krijimin e një ekosistemi ku çdo përdorues ndjehet pjesë e një komuniteti që ndan të njëjtat vlera për ripërdorimin dhe reduktimin e konsumizmit të tepërt.
Cili është vizioni juaj për të ardhmen e Ankand Albania dhe si dëshironi të kujtohet startup-i juaj në industri?
Vizioni ynë është që Ankand Albania të jetë më shumë sesa një platformë tregtare—të jetë një lëvizje që ndryshon mënyrën se si shqiptarët shohin sendet e tyre, duke i dhënë atyre një jetë të dytë dhe duke ndihmuar në ndërtimin e një ekonomie më të ndërgjegjshme dhe të qëndrueshme.
Dëshirojmë që Ankand Albania të kujtohet si platforma që jo vetëm e bëri më të lehtë shitjen dhe blerjen e sendeve me vlerë, por edhe si një aktor kyç në promovimin e një modeli ekonomik ku gjërat nuk blihen për t’u harruar, por për t’u vlerësuar dhe ripërdorur në mënyrë të zgjuar.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.