Nisma e amnistisë fiskale dhe penale për legalizimin e pasurive të padeklaruara do të zhvillohet e gjitha përmes procedurave online, jo vetëm për të shmangur kontaktin fizik në sportele, por dhe për t’i dhënë mundësi emigrantëve jashtë Shqipërisë që të përfitojnë.
Zv/ministrja e Financave, Vasilika Vjero, në një intervistë për televizionin Klan, tha se aplikimi do të bëhet tërësisht në bazë të një formulari që mund të plotësojë çdokush në bazë të vetëdeklarimit, pa kërkuar asnjë dokument shtesë, e pasi të ketë paguar tatimin përkatës në bankë, procesi do të konsiderohet i mbyllur.
“Është administrata tatimore, e cila do t’i japë këtij individi një dokument, një vërtetim, që subjekti ka kryer këtë deklarim dhe nuk do të jenë më objekt dhe i procedimeve penale apo administrative”.
Vjero u shpreh se tatimet do të ngrenë një njësi të posaçme për këtë nismë, e cila do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet e sigurisë publike që të mos përfitojnë organizatat kriminale dhe zyrtarët e lartë.
Lexoni: 121 të rinj shqiptarë në garë për t’u bërë Ambasadorët e Rinj të Evropës
“Do duhet që në momentin që do të kryhet ky aplikim nga individët, nga subjektet, administrata tatimore do duhet të komunikojë me Prokurorinë, do duhet të komunikojë me Policinë e Shtetit dhe me struktura të tjera të rëndësishme ligjzbatuese, që të bëjë të mundur që individë, të cilët janë të përjashtuar të mos kenë asnjë hapësirë ligjore që të përfitojnë nga ligji për amnistinë”.
Ligji i amnistisë ka fuqi në territorin e Shqipërisë dhe jo në vendet e tjera, ndaj emigrantët në rastin se do të sjellin para në “cash” ose sende me vlerë, duhet që të bëjnë deklarim në kufi, por çdo pasuri do të jetë objekt i taksave doganore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.