Një “aktore” e gjeneruar nga inteligjenca artificiale ka ndezur debat në Hollywood, pasi shumë aktorë e panë si kërcënim ndaj punës së tyre. Krijuesja e saj, megjithatë, këmbëngul se personazhi nuk është menduar të zëvendësojë njerëzit.
“Tilly Norwood” duket si një vajzë e re me flokë kafe të valëzuar dhe lëkurë të pastër, e cila prej muajit shkurt poston në Instagram si çdo influencuese e brezit Z. Ajo shfaqet si aktore aspiruese dhe flet për “screen tests” në kërkim të një roli. Por Tilly nuk ekziston: ajo është një produkt i AI, krijuar nga sipërmarrësja Eline Van Der Velden dhe startup-i i saj Particle6, që prodhon përmbajtje digjitale për filma dhe televizione.
Në një postim, Tilly “mburrej” se për 20 sekonda kishte luftuar me përbindësha, kishte shpëtuar nga shpërthime, shitur një makinë dhe pothuajse kishte fituar një Oscar, duke e shoqëruar me hashtag-un #AIActress.
Pas raportimit të Deadline se agjentët e talenteve po shqyrtonin mundësinë për ta përfaqësuar Tilly dhe se disa studio kishin filluar të përqafojnë përmbajtjen e gjeneruar nga AI, rrjetet sociale u mbushën me reagime negative. Ndër kritikët ishin edhe emra të njohur të Hollywood-it. Aktorja Sophie Turner shkroi thjesht: “Wow… no thanks”. Cameron Cowperthwaite e quajti “të pakujdesshme dhe shqetësuese”, ndërsa Ralph Ineson reagoi shkurt në X: “F**k off”.
Van Der Velden, në një deklaratë të publikuar në Instagram, tha se Tilly nuk synon të zëvendësojë aktorët, por është një vepër arti, ashtu si animacioni, kukullat apo CGI, që sollën forma të reja pa eliminuar aktrimin e gjallë. Sipas saj, personazhet e AI duhet të gjykohen si një gjini më vete.
Lexo edhe: Pse “burnout” po bëhet një problem gjithnjë e më i madh në kibernetikë?!
Por shumë aktorë mbeten skeptikë. Ata argumentojnë se këto krijime nuk do të ekzistonin pa punën e tyre, e përdorur për të trajnuar modelet e AI pa leje apo pagesë. Aktorja Mara Wilson komentoi: “Ju nuk e krijuat këtë. Qindra punëtorë të vërtetë, fotografë, kameramanë, madje edhe fermerë e krijuan. Ju thjesht e morët punën e tyre.”
Frika nga AI ishte një nga arsyet kryesore të grevave të aktorëve dhe skenaristëve në vitin 2023, që përfunduan me marrëveshje për kufizimin e përdorimit të saj nga studiot. Megjithatë, këto marrëveshje nuk e ndalojnë përdorimin e AI nga kompani të tjera.
Korporatat mediatike tashmë kanë nisur beteja ligjore kundër gjigantëve të AI. Disney dhe Universal paditën Midjourney, duke e akuzuar për përdorim të paligjshëm të materialeve të tyre për trajnim. Edhe Warner Bros. ndërmori hapa të ngjashëm këtë muaj.
Ndërkohë, OpenAI ka paralajmëruar agjencitë e talenteve se gjeneruesi i saj më i ri i videove, Sora, mund të përfshijë materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit nëse zotëruesit e tyre nuk zgjedhin të përjashtohen. Kompania ka deklaruar se do të bllokojë automatikisht video të krijuara në stilin e artistëve të gjallë dhe do t’u japë figurave publike mundësinë të ndalojnë përdorimin e imazhit të tyre nga teknologjia.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto