Aktiviteti i ARMO në duart e një kompanie offshore nga ishujt britanikë Virgin - Business Magazine Albania

Aktiviteti i ARMO në duart e një kompanie offshore nga ishujt britanikë Virgin


Ionian Refining dhe Trading Co. – IRTC SH.A (IRTC) është kompania që ka marrë në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO. Lajmi është bërë i ditur nga prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, që në një deklaratë për shtyp bëri të ditur nënshkrimin e një marrëveshjeje të kushtëzuar në tregun vendas me kompaninë në fjalë në bazë të së cilës Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto te IRTC. Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga Qeveria Shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesës së prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol.

Ionian Refining dhe Trading Co, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 13 qershor të vitit 2016. Kompania rezulton e regjistruar offshore në Ishujt Britanikë Virgin, duke vijuar me “traditën” e kompanive më aksionerë të panjohur që hyjnë në aktivitetin e naftës në Shqipëri.

Nga Ministria e Industrisë nuk ka informacion se në çfarë marrëdhënie kontraktuale ka hyrë kjo kompani e re me rafinerinë ARMO dhe si do të veprohet me detyrimet e shumta që ka ARMO.

Deri tani, rafineria e ARMO ishte marrë në shfrytëzim nga dy kompani, TPD Drilling dhe Deveron.

ARMO, një histori problematike borxhesh

Rafineria ARMO, është një nga kompanitë më problematikë në Shqipëri, teksa është kreditori më i madh i vetëm i keq në banka dhe ka një mal me detyrime ndaj shtetit dhe të tretëve.

Në fund të tremujorit të parë të 2016-s, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës, një shumë kjo që është gati sa 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrol-it, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve, ku vetëm shtetit i ka të paktën 100 milionë euro.

Punonjësit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.

Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a (15% i ka akoma shteti). Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre.

Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit, duke shkuar në gati 600 milionë dollarë. ARMO është ndërkohë kreditori më i madh i keq në vend, në listën e 35 kompanive që kanë 60% të huave me probleme në vend. Kredia ndaj bankave në Shqipëri vlerësohet në rreth 50 milionë euro.

Asetet e ARMO-s muajt e fundit kanë qenë në shitje nga kreditorët, si Raiffeisen, ndërsa një pjesë e tyre është sekuestruar nga Albpetrol si rrjedhojë e mosshlyerjes së detyrimeve ndaj kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, që arrijnë rreth 50 milionë dollarë. Në sekuestro së fundmi asetet e ARMO-s kanë qenë dhe nga Dogana Fier.

 

burimi: monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0