AKEP i jep Postës Shqiptare autorizimin 5-vjeçar për shërbimin universal

AKEP i jep Postës Shqiptare autorizimin 5-vjeçar për shërbimin universal

Posta Shqiptare

Posta Shqiptare ka marrë për një 5-vjeçar të dytë, autorizimin për ofrimin e shërbimit universal, sipas një vendimi të miratuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare më 30 qershor 2020. Vendimi nënvizon se Posta Shqiptare është e vetmja që plotëson kushtet e kërkuara për këtë shërbim aktualisht.

Ligji gjithsesi thekson se ky autorizim mund t’i jepet më shumë se një kompanie nëse përmbushen kushtet. Në muajin prill, AKEP publikoi një analizë të përgjithshme të sektorit postar në vend, duke u ndalur në pjesën e tregut të të gjithë operatorëve si dhe qarkullimin në të ardhura që kishte secili prej tyre.

Nga regjistri i ofruesve të shërbimeve postare evidentohet se deri më datë 29.01.2020 ishin gjithsej 16 ofrues shërbimi postar aktiv, që ofrojnë shërbime postare në Republikën e Shqipërisë. Sa i takon shërbimit universal postar, pjesën më të madhe të tregut e zotëron posta brenda vendit, e cila luhatet rreth 90% për vitet 2015-2018, duke u shoqëruar me një rënie të kësaj pjese në rreth 80% gjatë vitit 2019. Në vitin 2019, ishin 19.6 milionë dërgesa brenda vendit dhe 4.8 milionë dërgesa ndërkombëtare.

Lexoni: Amnistia fiskale dhe penale për deklarimin e pasurive

Sipas ligjit, të drejtën për shërbimin universal e gëzon çdo përdorues dhe kjo duhet të bëhet me çmime të përballueshme në të gjitha pikat e aksesit në territorin shqiptar. Sipas AKEP, Posta Shqiptare është e vetmja që plotëson kushtet për shërbimin universal, ku ndër të tjera luajnë rol mbulimi më i madh i territorit me pika si dhe dhënia e aksesit për të gjithë qytetarët me çmime të lira.

Në shërbimin jo universal postar, në postën brenda vendit, Posta Shqiptare SHA zotëron pjesën më të madhe të tregut, ndërsa në postën ndërkombëtare ndodh e kundërta, operatorët e tjerë zotërojnë tregun me mbi 60% të totalit të postës ndërkombëtare. Ndryshim ka pasur gjatë vitit 2019, kur Operatorët e tjerë kanë rritur pjesën e tregut, si për postën brenda vendit, ashtu edhe për postën ndërkombëtare.

Referuar të dhënave zyrtare, tregu postar në vend ka një qarkullim prej 2.14 miliardë lekësh ku pjesën më të madhe e zë Posta Shqiptare me rreth 58% të tyre. Shifra i takon vitit 2018, pasi deri në prill kur u publikua analiza e tregut, të dhënat nuk ishin të disponueshme për 2019-n.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0