Division5, mbështetur nga EUforInnovation ka shpallur të hapura aplikimet në Akademinë e programimit “Kodo.al“, me qëllim mbështetjen dhe rritjen e të rinjëve të interesuar në programim, totalisht falas për tri module. Business Magazine zhvilloi një intervistë me Engjëll Raklli, bashkë-themelues dhe CEO i Division5 dhe stafin e tij për të marrë më shumë informacione mbi këtë nisëm.
Çfarë është Kodo.al?
KODO është një akademi kodimi e cila synon të përforcojë dhe thellojë njohuritë e programuesve të rinj në teknologjitë më të kërkuara në treg. Pilotimi i parë i cili nis në Shtator do të përfshijë 3 module me tre teknologji të cilat janë evidentuar si më të kërkuarat në tregun ndërkombëtar, ReactJS, Node.js dhe Python. Secili modul ka një kohëzgjatje 3 mujore, në formatin intensiv prej 2 orësh trajnim çdo ditë. Kurrikulat do të përfshijnë jo vetëm aspektin teorik të teknologjive, duke filluar nga bazat deri në thellimin e tyre me projekte specifike, por edhe mundësi implementimi të njohurive të përftuara. Numri i pjesmarrësve do të jetë i limituar në 5-7 persona për modul, gjë e cila garanton cilësinë dhe përthithjen sa më të mirë të njohurive, të mbeshtetur nga trajnues dhe asistentë të teknologjisë përkatëse.
Aplikimi sapo është hapur dhe përzgjedhja do të bëhet duke zgjidhur nje test fillestar në www.kodo.al e më pas do të lajmërohen për një intervistë të shkurtër.
Si erdhi ideja e krijimit të saj?
division5 ka rreth 6 vite që punon me teknologji të ndryshme në zhvillim softuerik për klientë ndërkombëtarë. Në bashkëpunim me Pirate Global jemi munduar të mbështesim jo vetëm komunitetin e programuesve nëpërmjet programeve të ndryshme por edhe ngritjen e ekosistemit në përgjithësi. Kërkesa e tregut sa vjen dhe diversifikohet, gjë e cila e bën edhe më të vështirë përshtatjen e shpejtë në sistemin arsimor. Të rinjtë e sapo diplomuar shume shpesh e kanë të vështirë të futen në treg me aftësitë e marra nga kurrikula arsimore ekzistuese. E si rezultat kjo sjell vështirësi për kompanitë e zhvillimit softuerik që të mundësojnë balancën ndërmjet ofertës dhe kërkesës të madhe në tregun ndërkombëtar. Akademia është një nevojë e menjëhershme për të rritur kapacitetet brenda komunitetit të programuesve të rinj e cila si rrjedhojë ndihmon kompanitë për të zgjeruar ofertën e tyre të shërbimit.
Cilat grupmosha përfshin?
Pilotimi i pari i akademisë targeton të sapo diplomuarit në shkencat kompjuterike të cilët do të duan të thellohen në një nga teknologjitë të cilat janë evidentuar si më të kërkuarat në treg.
A është e nevojshme eksperienca në programim ose shkollimi në këtë fushë për të aplikuar?
Për pilotimin e parë të akademisë nuk është e detyruar eksperienca konkrete në programim por do të duhet që aplikantët të kenë njohuri bazë. Kjo për arsye se kurrikulat do të jenë intensive dhe do të thellohen në një nga teknologjitë e përzgjedhura në një kohë të shkurtër. Për të rritur efiçiencën, si edhe për të bërë të mundur përfitimin maksimal për pjesëmarrësit do të bëhet një përzgjedhje duke i testuar paraprakisht aplikantët. Kjo edhe sepse vendet janë të kufizuara për çdo modul.
Cilat janë arsyet që dikush duhet të aplikojë në Kodo.al?
Akademia, gjithashtu, është një mënyrë e mirë për t’i prezantuar programuesit e rinj me tregun dhe potencialet që ky treg ofron. KODO ka për qëllim të stimulojë dhe vendosë sa më shumë partneritete e si rezultat aktorë të ndryshëm të komunitetit të kenë mundësi të shkëmbejnë njohuri dhe të bashkëpunojnë. Kjo do të sjellë përfitim si për programuesit por edhe për sipërmarrësit e rinj të cilët kanë nevojë për një ekspertizë teknike brenda ekipit të tyre.
A keni tarifa për aplikimin?
Pilotimi i parë i KODO ka një mbështetje nga Challenge Fund ofruar nga EUforInnovation. Kjo mundëson që 3 modulet e para që do të ofrohen të mos kenë tarifë pjesmarrjeje për aplikantët që do të përzgjidhen. Në vazhdimësi do të ketë tarifa përkatëse për paketa të ndryshme shërbimi që KODO do të ofrojë.
Çfarë pritshmërish mund të kenë aplikantët pas përfundimit të kursit?
Aplikantët do të kenë mundësinë që të përfitojnë jo vetëm njohuri të thelluara teknike në teknologjitë e përzgjedhura por edhe të punojnë në projekte specifike të cilat do të bëjnë të mundur aplikimin njohurive të përftuara. division5 do të ofrojë në mënyrë të vazhdueshme ekspertizën e përftuar në vite për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve duke ofruar gjithashtu një praktikë një mujore të paguar, në përfundimin e modulit, për 3 nga pjesmarrësit e pilotimit të parë të akademisë. Pjesa tjetër do të prezantohet me kompani të ndryshme dhe nevojat e tyre për punësim. Do të punohet fort për të bërë të mundur ndërmjetësimin e programuesve edhe me aktorë të ekosistemit si inkubatorë, akseleratorë dhe coworking në mënyrë që të integrohen akoma edhe më shumë në komunitetin Tech në Shqipëri.
Cili është vizioni juaj afatgjatë për Kodo.al?
KODO është ideuar si një hapësirë ku komuniteti i programuesve mund të rritet, forcohet dhe të bashkëpunojë. Një hub i cili jo vetëm ndihmon në ngritjen e kapaciteteve individuale të programuesve, ndërlidhjen e tyre me tregun kombëtar dhe ndërkombëtar, por gjithashtu edhe gjenerimin e ekspertizës së nevojshme për të mbeshtetur ekosistemin e inovacionit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.