Në një moshë kur shumica e adoleshentëve po nisin shkollën e mesme, Laurent Simons ka marrë tashmë një doktoraturë në fizikë kuantike, një arritje që ka tërhequr vëmendjen e laboratorëve dhe universiteteve në mbarë botën. Në nëntor të vitit 2025, 15-vjeçari mbrojti tezën e doktoraturës në Universitetin e Antwerpit, në Belgjikë, duke përfunduar kërkime të avancuara që zakonisht u marrin vite të tëra shkencëtarëve. Tashmë ai është nisur drejt Gjermanisë për të filluar një doktoraturë të dytë në shkencat mjekësore dhe Inteligjencën Artificiale, duke ndjekur objektiva që ndërthurin fizikën, biologjinë dhe të ardhmen e shëndetit njerëzor.
Arritja e Laurent-it nuk lidhet vetëm me moshën. Ajo ka të bëjë me përshpejtimin e mundësive në shkencë, nga sistemet kuantike ultratohëta deri te vizionet ambicioze për përmirësimin e biologjisë njerëzore dhe zgjatjen e jetës së shëndetshme. Rrugëtimi i tij hap diskutime mbi talentin, arsimin dhe ritmin e zbulimeve shkencore në shekullin XXI.
Laurent ka lindur në Ostend, në Belgjikë, dhe ka shfaqur shenja të aftësive të jashtëzakonshme që në vitet e para të shkollës. Ai e përfundoi ciklin fillor në moshën gjashtëvjeçare dhe shkollën e mesme në moshën tetë vjeç, shumë më herët se ritmi i zakonshëm akademik. Më pas hyri në studime universitare për fizikë, duke marrë diplomën bachelor në moshën 12-vjeçare, pasi përfundoi një kurrikulë trevjeçare brenda vetëm 18 muajsh, një ritëm i përshpejtuar që ngjalli kureshtje ndërkombëtare. Laurent vijoi studimet në Universitetin e Antwerpit për një master në fizikë kuantike, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të larta, përpara se të kalonte në kërkime doktorale.
Doktoraturë në fizikë kuantike në moshën 15 vjeç
Në nëntor 2025, Laurent mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës në fizikë kuantike. Teza e tij, me titull “Bose polarons in superfluids and supersolids”, shqyrton mënyrën se si papastërtitë ndërveprojnë brenda gjendjeve ekzotike të materies në kushte ekstreme, tema që zakonisht trajtohen nga studiues me përvojë të gjatë. Kjo fushë e fizikës lidhet drejtpërdrejt me bazat e kompjuterëve kuantikë, matjeve me precizion të lartë dhe shkencës së materialeve, fusha që po bëhen gjithnjë e më qendrore për inovacionin teknologjik. Përfundimi i këtij niveli kërkimi në moshën 15 vjeç është jashtëzakonisht i rrallë dhe e rendit Laurent-in ndër njerëzit më të rinj në histori që kanë fituar një doktoraturë në fizikë.
Lexo edhe:Robotët inteligjentë dhe dronët ”marrin kontrollin” e stacionit kinez të trenit
Përtej fizikës: mjekësia, Inteligjenca Artificiale dhe potenciali njerëzor
Në vend që të hynte menjëherë në një laborator kërkimor apo në industrinë e teknologjisë, Laurent ka zgjedhur një sfidë tjetër akademike: një doktoraturë të dytë në shkencat mjekësore me fokus në inteligjencën artificiale, të cilën e ka nisur menjëherë pas mbrojtjes së tezës në Antwerp. Këtë herë, ai është vendosur në Mynih, Gjermani.
Vizioni i tij afatgjatë shkon përtej mekanikës kuantike. Në disa intervista, përfshirë ato për televizionin belg VTM Nieuws, ai ka folur për synimin e tij për të përmirësuar shëndetin e njeriut dhe për të zgjatur jetën, madje ka përdorur edhe terma si “krijimi i super-njerëzve”, një mënyrë e thjeshtuar për të përshkruar përdorimin e fizikës, informatikës dhe biologjisë në rritjen e jetëgjatësisë dhe rezistencës njerëzore. Edhe pse kjo tingëllon dramatike, ideja thelbësore, përdorimi i Inteligjencës Artificiale për të kuptuar dhe ndërhyrë në sisteme biologjike komplekse, përputhet me kërkimet më të avancuara në biomjekësi dhe shkencë kompjuterike. Sot, përdorimi i machine learning për diagnostikim sëmundjesh, zbulim ilaçesh dhe studime mbi plakjen po tërheq investime të mëdha dhe interes të gjerë shkencor në botën akademike dhe industrinë.
Rruga e Laurent-it pasqyron si aftësitë individuale, ashtu edhe një mjedis shumë mbështetës. Nga përshpejtimi i arsimit në moshë të hershme, te mentorimi universitar dhe praktikat kërkimore (përfshirë kohë të kaluar në Institutin Max Planck për Optikën Kuantike në Gjermani), ai ka pasur kontakt me shkencën e avancuar shumë më herët se shumica.
Pas diplomimit, raportohet se ka marrë oferta nga kompani të mëdha teknologjike, por familja e tij ka zgjedhur rrugën e kërkimit shkencor. Ky vendim tregon një fokus te thellësia dhe kontributi afatgjatë, më shumë sesa te fama apo përfitimi i menjëhershëm. Pavarësisht vëmendjes mediatike, Laurent mbetet një adoleshent jashtë botës akademike: ai ka folur edhe për interesa tipike të moshës së tij, si videolojërat dhe rutina e përditshme, duke treguar përpjekjen për të ruajtur një ekuilibër mes studimit intensiv dhe jetës normale të një të riu.
Historia e Laurent-it nuk ka të bëjë vetëm me thyerjen e rekordeve. Ajo nxjerr në pah mënyrën se si kërkimi ndërdisiplinor, nga fizika kuantike te mjekësia e mbështetur në Inteligjencën Artificiale,po e riformëson shkencën sot. Po ashtu, ngre pyetje më të mëdha mbi mënyrën se si sistemet arsimore identifikojnë dhe zhvillojnë talentin, si gjejnë komunitet dhe qëllim studiuesit e rinj, dhe deri ku mund të arrijë kureshtja individuale kur shoqërohet me mundësi reale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto