AI në politikë, deputeti britanik krijon klonin e tij digjital - Business Magazine Albania

AI në politikë, deputeti britanik krijon klonin e tij digjital

Imagjinoni sikur të mund të takonit deputetin tuaj lokal në çdo moment dhe t’i drejtonit pyetje për gjithçka që ju shqetëson, pa caktuar takime, pa burokraci dhe pa pritur me javë të tëra për një përgjigje. Kjo është pikërisht ajo që ka synuar të bëjë një deputet britanik me anë të teknologjisë.

Mark Sewards, deputet i Partisë Laburiste dhe përfaqësues i zonës Leeds South West dhe Morley, ka prezantuar një klon të vetin të bazuar në Inteligjencë Artificiale (AI), i cili është ndërtuar për të dhënë përgjigje dhe për të ndihmuar qytetarët në çdo orë të ditës, çdo ditë të javës.

“Jam shumë i interesuar të eksploroj mënyrat se si teknologjitë e reja, si Inteligjenca Artificiale, mund të forcojnë lidhjen mes zyrës së një deputeti dhe qytetarëve që ai përfaqëson”, deklaroi Sewards.

Ai i ftoi qytetarët e tij të provojnë “AI Mark”, por sqaroi gjithashtu në një postim në Instagram se ky mjet nuk ka për qëllim të zëvendësojë rolin e tij zyrtar si deputet. Në vend të kësaj, synimi është të ofrohet një shërbim 24/7, ku banorët mund të raportojnë probleme lokale, të kërkojnë sqarime për politikat ose thjesht të lënë një mesazh në zyrën e tij pa pasur nevojë të presin për një takim formal.

“Ky bot thjesht i jep njerëzve një mundësi tjetër për të më kontaktuar, në çdo kohë të ditës”, shkroi Sewards.

Si u krijua kloni digjital i deputetit
Startup-i me qendër në Leeds, i quajtur Neural Voice, është kompania që zhvilloi versionin AI të Sewards, duke e shpallur atë si “deputeti virtual i parë në Mbretërinë e Bashkuar”.

Kompania përdor teknologjinë më të fundit të sintetizimit të zërit dhe përpunimit të avancuar të gjuhës natyrore për të krijuar asistentë zanorë për sisteme telefonike dhe faqe interneti. Për ndërtimin e këtij kloni, ajo përdori regjistrime të zërit të Sewards nga seancat parlamentare, profilet në rrjetet sociale dhe korrespondencat e mëparshme me qytetarët, për të krijuar një dublikatë që imiton stilin e të folurit, tonin dhe gjestikulacionet e tij me një saktësi të habitshme.

Lexo edhe: OpenAI ofron ChatGPT për qeverinë amerikane thuajse falas, vetëm 1 dollar për agjenci

Një hap drejt politikës më të hapur?
Neural Voice shpreson që teknologjia e tyre të ndihmojë në afrimin e politikanëve me qytetarët.

“Për një kohë të gjatë, politikanët kanë qenë të paarritshëm për votuesit e tyre,” deklaroi Jeremy Smith, CEO dhe bashkëthemelues i kompanisë. “Shumica dërrmuese e njerëzve nuk e dinë as emrin e deputetit të tyre, e lëre më zërin ose qëndrimet që ai mban,” shtoi ai.

Smith beson se kjo teknologji mund të kthehet shpejt në standard, me deputetë të tjerë apo edhe biznese që mund të ndjekin shembullin për të kapërcyer hendekun në komunikim.

Klonë digjitalë në politikë dhe biznes
Inteligjenca Artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në role publike për të tejkaluar barrierat fizike dhe për të krijuar komunikim të vazhdueshëm me qytetarët.

Në Japoni, kryetari i qytetit Yokosuka krijoi një avatar me AI për të komunikuar me mijëra pjesëtarë të marinës amerikane të vendosur atje. Në Danimarkë, një parti politike e quajtur “Partia Sintetike” paraqiti si kandidat në zgjedhjet e vitit 2022 një model AI me emrin “Lideri Lars”, i cili u ndërtua mbi bazën e programit politik të partive të vogla daneze që nga viti 1970.

Edhe në Poloni dhe Kinë, disa kompani kanë eksperimentuar me drejtues të përgjithshëm të markave të tyre që janë tërësisht të ndërtuar me AI.

Megjithatë, mjetet e tilla kanë rrezik të shfrytëzohen për të imituar figura publike pa miratimin e tyre ose për të krijuar persona të rremë që duken si realë.

Skema të bujshme mashtruese me “deepfake” kanë pasur në shënjestër ministrin italian të mbrojtjes Guido Crosetto, sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio, si dhe personazhe të njohur si Taylor Swift dhe Joe Rogan, zërat e të cilëve janë përdorur për të promovuar mashtrime që premtuan fonde qeveritare.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Mëso nga e djeshmja, jeto të sotmen, shpreso për të nesërmen. E rëndësishme është të mos ndalesh së pyeturi.”
— Albert Einstein
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0