AI ndez garën gjeopolitike: SHBA, Kina dhe Europa në një duel historik - Business Magazine Albania

AI ndez garën gjeopolitike: SHBA, Kina dhe Europa në një duel historik

Nga Sylvain Duranton dhe Nikolaus S. Lang* – Është joshëse të shihet inteligjenca artificiale (AI) thjesht si një përparim tjetër teknologjik, por një qasje e tillë është e gabuar, ashtu si të thuash se motori me avull ishte vetëm një mënyrë më e shpejtë për të tërhequr një karrocë. Në realitet, AI po transformon shpejt rendin gjeopolitik. Nëse dikur fuqia botërore mbështetej mbi ushtritë, naftën dhe kontrollin e hapësirës ajrore e detare, sot ajo varet gjithashtu nga të dhënat, talenti, infrastruktura kompjuterike dhe kornizat ligjore që mundësojnë ndërtimin dhe përdorimin e modeleve më të avancuara.

Aktualisht, Shtetet e Bashkuara kanë një epërsi të qartë. Që nga viti 2019, kompanitë amerikane kanë prodhuar mbi gjysmën e modeleve kryesore të AI-së. Vetëm në periudhën 2023-2024, gjashtë gjigandë teknologjikë investuan 212 miliardë dollarë në kërkim-shkencë dhe zhvillim, ndërsa startup-et gjenerative siguruan pothuajse 90 miliardë dollarë në vitin 2024. SHBA-ja zotëron gjithashtu rreth 500 mijë specialistë të AI-së dhe kapacitetin më të madh global të qendrave të të dhënave – 45 gigavat (GW).

Por epërsia amerikane nuk është e garantuar. Kina po afrohet me shpejtësi, duke ndjekur një strategji të mbështetur nga shteti, me financime masive dhe integrim ushtarako-industrial. Deri më sot, Pekini ka derdhur rreth 132 miliardë dollarë në sektorin e AI-së dhe shpenzon çdo vit rreth 60 miliardë për kërkim korporativ. Si rezultat, Kina numëron 15 nga 40 modelet kryesore të AI-së, 18% të studiuesve më të mirë në këtë fushë dhe gjeneron më shumë të diplomuar në shkencat STEM se çdo vend tjetër. Kapaciteti i saj i qendrave të të dhënave arrin në 20 GW – i dyti në botë.

Edhe pse i kufizuar nga sanksionet amerikane mbi qasjen në çipa të avancuar, inxhinierët kinezë kanë arritur efikasitet të lartë me pajisje më modeste, duke surprizuar botën me modelin DeepSeek, i cili rivalizoi performancën amerikane me vetëm një pjesë të fuqisë kompjuterike.

Lexo edhe: Amerika përballet me një krizë të shkrim-leximit. A është AI zgjidhja apo pjesë e problemit?

Ndërkohë, Bashkimi Evropian gjendet në një pozitë të vështirë. Ai renditet i treti me rreth 275 mijë specialistë, 381 miliardë euro investime vjetore në R&D dhe 8 GW kapacitet qendrash të të dhënave. Megjithatë, BE-ja ka avantazhe strategjike: 19% e punimeve akademike më të cituara në fushë, si dhe kompaninë holandeze ASML – furnizuesi kryesor botëror i makinerive litografike për prodhimin e gjysmëpërçuesve. Përmes Aktit të AI-së, BE-ja po përpiqet të ushtrojë “fuqi të butë” përmes rregullimit.

Rivaliteti SHBA–Kinë është intensifikuar. Në janar, startup-i kinez DeepSeek prezantoi modelin hiper-efikas R1, një sfidë e hapur ndaj sanksioneve amerikane. Vetëm një ditë më pas, presidenti amerikan Donald Trump shpalli “Stargate Initiative” – një plan prej 500 miliardë dollarësh për qendra të dhënash të gjeneratës së re dhe furnizim të sigurt me çipa.

Kjo garë nuk ka të bëjë vetëm me hardware dhe software, por edhe me vlerat: kush përcakton se çfarë është e drejtë dhe cilat moralitete do të kodifikohen në algoritme që do të ndikojnë shëndetësinë, arsimin dhe jetën publike? Po aq e rëndësishme sa eksporti i modeleve bëhet edhe eksporti i etikës së AI-së.

Ndërkohë, vendet e Jugut global po fillojnë të kërkojnë sovranitet digjital, duke zhvilluar modele të përshtatura për gjuhët dhe nevojat lokale. Në Lindjen e Mesme, Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe po investojnë miliarda nga pasuria e naftës për qendra të të dhënave dhe modele vendase.

Përballë kësaj dinamike, mungesa e mekanizmave globalë të llogaridhënies mbetet shqetësuese. OECD, G7 dhe OKB kanë hedhur hapa drejt koordinimit, por zbatimi është minimal. Pa një vizion të përbashkët global, AI mund të thellojë ndarjet digjitale dhe të riformësojë shoqëritë larg syve të publikut.

E ardhmja nuk është e paracaktuar. Dritarja për të zgjedhur një rrugë tjetër ekziston ende, edhe pse po ngushtohet me shpejtësi. Kjo është sfida përcaktuese e kohës sonë.

*Sylvain Duranton është Drejtues Global i BCG X. Nikolaus S. Lang është Drejtues Global i BCG Henderson Institute.

Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0